Kulturë

“Bijtë e Gjergj Kastriotit Skënderbeut” në frymë me arbëreshët

“Bijtë e Gjergj Kastriotit Skënderbeu” i trajtuar si një tregim vizual mes rrëfimesh e pamjeve të ndryshme nga peizazhi i Horës së Arbëreshëvet, arkitektura, jeta sociale e deri te veshjet, ngjyroset me nuanca etnografike, mirëpo gjithmonë me një vetëdije melankolike, e cila pasqyrohet krahas kërcënimeve globaliste të kulturës arbëreshe
 

Hora e Arbërshëvet është sheshi i xhirimit të “Bijtë e Gjegj Kastriotit Skënderbeut” nën regji të Vranin Gecajt. Aty gjëllijnë shenjat që ruajnë identitetin e arbëreshëve të Sicilisë, por që thërrasin që ato të promovohen me qëllim që të mos veniten prej globalizmit. Rrëfimet fillojnë nga mishërimi i arbëreshëve me figurën e Skënderbeut e deri te veshjet e ritet kishtare, të cilat shfaqen si potpuri praktikash e traditash arbëreshe

Arbëreshët e Italisë kanë përzgjedhur Prishtinën dhe që ta shpalosin rrëfimin për Skënderbeun. Dokumentari “Bijtë e Gjergj Kastriotit Skënderbeu” i Vranin Gecajt ka ndezur projektorin e “Kino Armatës” të hënën mbrëma teksa u ka paraprirë kremtimeve të 28 Nëntorit. Në 30 minuta sjell disa rrëfime që kujtojnë arbëreshët dhe ruajtjen e kulturës ndër breza. I realizuar gjatë një vizite në prill të 2023-tës në festën e Pashkëve te Hora e Arbëreshëvet në rajonin e Palermos në Itali ngërthen rrëfime që fillojnë nga mishërimi i arbëreshëve me figurën e Skënderbeut e deri te veshjet e ritet kishtare, të cilat shfaqen si potpuri praktikash e traditash arbëreshe që bëjnë pjesë në shtyllat mbajtëse të identitetit shqiptar.

Figura dhe funksioni i Skënderbeut në kujtesën historike kolektive dhe në rrënjët identitare të arbëreshëve lidhet me fatin tragjik të heroit, i cili tërhoqi pas vetes dhe atë të arbëreshëve. Nisur nga vdekja e tij dhe intensifikimi i ekspansionit të Perandorisë Osmane, migrimet e shqiptarëve morën përmasat e eksodeve të vërteta, që lanë gjurmë të thella si në vendin e origjinës ashtu dhe në vendbanimet e reja, e në këtë rast në jugun e Italisë.