Kulturë

Kulla e Ahmet Delisë jehon me rrëfimin e luftës për çështje kombëtare

Rregullimi kronologjik i ekspozitës ofron një udhëtim nëpër kohë. Vizitorët ecin nëpër korridoret e historisë, duke ndjekur gjurmët e Ahmet Delisë dhe bashkëkohësve të tij
 

Dita e Flamurit në Kullën e Ahmet Delisë në Prekaz të Epërm, ka hapur kapitull të ri. Aty është hapur ekspozita e përhershme me artefakte dhe shkrime kronologjike të kohës së tij. Shpaloset rrëfimi i qëndresës dhe përpjekjes për pavarësi. Deri tash, Kulla – e rindërtuar mbi themelet e asaj të vitit 1860 – ka qenë statike. Me ekspozitë, gjëllin rrëfimi për luftëtarin i lirisë, tribunin popullor dhe prijësin e Drenicës

Në rajonin e Drenicës qëndron një dëshmitar i heshtur i historisë shqiptare – kullë që dikur i përkiste heroit Ahmet Delia. E vendosur rrëzë një rruge të Prekazit të Epërm jo vetëm që shërbeu si bastion i mbrojtjes, por gjithashtu luajti një rol të rëndësishëm në formësimin e fatit të rajonit në periudha vendimtare. E rindërtuar mbi themelet e kullës së moçme, kulla e Ahmet Delisë u shfaq si një pikë qendrore për vendime të mëdha që ndikuan në rrjedhën historike të rajonit të Drenicës. Muret e saj jehojnë me zërat e personaliteteve të shquara të përkushtuara thellë për çështjen kombëtare. Ndër ta edhe Hasan Prishtina.

Ahmet Delia la gjurmë të pashlyeshme në këtë fortifikatë që mbrohet si monument i trashëgimisë kulturore, duke e shndërruar atë në një simbol të qëndresës dhe sakrificës. Ky emër i skalitur në faqet e historisë shqiptare mori fundin e tij heroik në vitin 1913. Ai mbrojti me trimëri atdheun e tij në një kohë trazirash të mëdha, duke u bërë një fanar guximi dhe patriotizmi të palëkundur.