Kulturë

“E kaluar e çmuar” gjen dashurinë me thesaret e trashëgimisë

Burhan Ahmeti shfaq elementet stilistike tradicionale përmes teknikave të ndryshme të shtypit, duke eksperimentuar në mediume të ndryshme që u japin veprave dimensione shtesë, si tentim për t’i përjetësuar këto simbolika kulturore në çdo pikturë e grafikë
 

Galeria “Qahili” hapi dyert për ekspozitën e titulluar “E kaluar e çmuar” si një kompozicion i dyzuar mes veprave të artistëve nga Gostivari, Burhan Ahmeti dhe Nevzat Kica. Hapësira e ndriçuar nga shkëlqimi i kujdesshëm i dritave, shërbeu si sfondi i përsosur për një gamë eklektike të pikturave, vizatimeve, printimeve, akuareleve e shumë mediumeve të tjera që për emërues të përbashkët kanë trashëgiminë kulturore shqiptare

Titulli i ekspozitës, “E kaluar e çmuar”, mjeshtërisht kap thelbin e veprave të shfaqura në të. Secila vepër shërben si një narrativë vizuale, duke eksploruar aspekte të ndryshme të trashëgimisë kulturore, sa kolektive aq edhe personale të cilat ofrojnë një dritare në personalen e vetë artistëve.

Koleksioni i kuruar nga galeria “Qahili”, me veprat e Nevzat Kicës e Burhan Ahmetit shfaq emocione të ndryshme dhe aspekte të jetës përmes simbolikave duke filluar nga kuajt në vizatimet dhe pikturat e Kicës, e elementet e arkitekturës tradicionale, djepit, veshjet kombëtare e deri te grafikat e Ahmetit. Vëzhgimet e kujdesshme dhe ekspresiviteti i artistëve mbi këtë tematikë arrin të përçojë emocione si dashuria, hidhërimi, ndjenja e përkatësisë. Shfaqin udhëtimin si proces, paraqesin nëpërmjet artit. Mjeshtërisht e konceptuar nga galeria “Qahili”, kësaj ekspozite iu dha një përshkrim meritor, poetik ku siç shkruhet në poster, bëhet ndërthurja e veprave artistike të Ahmetit e Kicës me Sonetin e 30-të nga Shakespearei. Vjen si një reflektim mbi sfidat e jetës dhe kalimin e kohës, fillon me një njohje melankolike të hidhësirave të kaluara në jetë, por më pas gjendet një ngushëllim përmes kujtimeve. Metafora përmes së cilës zbulohet “thesari i së kaluarës” ilustron fuqinë ripërtëritëse të kujtesës, njëjtë si përpjekja e artistëve për të gjetur atë thesar në elementet etnografike shqiptare. Shekespearei thekson natyrën transformuese të dashurisë, ai përmes vargjeve sugjeron se mendimet për të kaluarën sjellin pasuri dhe një mënyrë të ballafaqimit me sfidat e jetës.