Kulturë

Brazili e Gjermania, shenjat e para të suksesit për “Heshtjen e sirenave”

Aktori Sunaj Raça në filmin “Heshtja e sirenave” me skenar dhe regji të Gazmend Nelës
 

Jo pak dilema kishte pasur regjisori i “Heshtjes së sirenave” në lidhje me atë se si do të pritej filmi i tij nga një publik i huaj. Shkaku: tema lokale që përthekon filmi. Por testi i parë qe Brazili dhe u kalua me sukses. I dyti, Gjermani, ku po ashtu “Heshtja...” u mirëprit. “Çka ishte befasuese për mua ishte mënyra e reagimit të publikut. Filmi e ka një temë shqiptare, ndodh në një vend të caktuar, është temë goxha lokale”, ka thënë regjisori e skenaristi i filmit, të cilin e presin destinacionet e radhës

Ka qenë publiku në Brazil ai që i pari e ka parë filmin “Heshtja e sirenave” me skenar dhe regji të Gazmend Nelës, kur u dha premierë botërore në Festivalin e Filmit në Sao Palo. Filmi qe shfaqur në kategorinë “New Filmmakers” në ngjarjen e cila në ditën e parë të këtij muaji përmbylli maratonën dyjavore të edicionit të 47-të. Prej aty, zbarkoi në Evropë, kur po këtë muaj u shfaq në Gjermani.

Si premiera botërore njashtu edhe ajo evropiane, për regjisorin Nela, kanë peshë të madhe. Është një fillim i mbarë për filmin e tij, të cilin e presin destinacionet e radhës. Regjisori i këtij filmi të gjatë, disa ditë pasi është kthyer prej atje, thotë se Brazili ka qenë shenja e parë pozitive për pritjen nga publiku. Salla ka qenë plot.