Kulturë

Shteti merr nën mbrojtje zonën ku u gjet mozaiku antik në Durrës

Mozaiku i gjetur në Durrës muajin e kaluar, ka zbukuruar dyshemenë e një vile luksoze në afërsi të Amfiteatrit. Sipas të dhënave të deritanishme, arkeologët e kanë datuar midis fundit të shekullit I para erës sonë të fillimit të shekullit I
 

Marrja nën mbrojtje e zonës ku muajin e kaluar u gjet mozaiku i rrallë në Durrës është hapi i radhës që kanë bërë autoritetet shqiptare. Mozaiku i shtrirë në 60 metra katrorë, vlerësohet të jetë në gjendje të mirë, përderisa konsiderohet se do të jetë një thesar për promovimin e trashëgimisë së pasur kulturore të Shqipërisë

Ministria e Kulturës e Shqipërisë e ka marrë nën mbrojtje zonën në Durrës, ku së voni është zbuluar mozaiku i rrallë. Sensacionale do të konsiderohej gjetja e këtij lloji në mesin e tetorit kur doli në dritë teksa po hapeshin themelet e një shkollë të mesme, e cila do të rindërtohej pasi ishte dëmtuar nga tërmeti i nëntorit të katër vjetëve më parë. Arkeologu Luan Përzhita citohet të ketë thënë se mozaiku është në gjendje mjaft të mirë me një sipërfaqe mbi 60 metër katrorë.

“Jemi fatlumë, pasi mozaiku i zbuluar është në një gjendje shumë të mirë. Ai ka zbukuruar territorin e një vile luksoze, në afërsi të Amfiteatrit të Durrësit dhe si kohë datimi mendojmë se është diku nga fundi i shekullit I para Krishtit dhe fillimi i shekullit I pas Krishtit. Sot flasim për atë që njohim, por mbase zhvillimet e ardhshme do të kenë një datim më të saktë të këtij mozaiku”, citohet të ketë thënë Përzhita, raporton “Zëri i Amerikës”, Sipas tij, në vetvete mozaiku është i tillë, i veçantë edhe për qytetin e Durrësit dhe për Shqipërinë. “Është pjesë e pasurisë së mëtejshme të kësaj trashëgimie antike që i shtohet qytetit aq të njohur, siç ka qenë në antikitet qyteti i Dyrrahut”, ka thënë ai.