Ka hyrë në vitin e 23-të si ide, 16 vjet janë bërë prejse kishte edhe projekt ideor e parcelë, e të mërkurën mbrëma është prezantuar koncepti themelues i muzeut të artit bashkëkohor. Duke lënë prapa një histori dështimesh, zotimesh e premtimesh, tash synim është që një muze si ky të inaugurohet më 2028-n. Ish-objekti i “Rilindjes” është evidentuar si hapësira e mundshme e këtij institucioni, i cili tash ka hyrë në fazën e themelimit me letra
Janar i vitit 2028. Në njërën prej ditëve të muajit, në ballë të aneksit të ish-shtypshkronjës “Rilindja” shpaloset mbishkrimi “Muzeu i Artit Bashkëkohor – Rilindja”. Brenda ndërtesës ceremonia nis eventualisht me ndonjë performancë dhe më pas fjalimet zyrtare e shpalosja e koleksionit bashkë me hapësirat ekspozuese dhe ato të punës.
Kësisoj do të ngjante nëse Koncepti themelues i muzeut të artit bashkëkohor të Kosovës do të implementohej sipas planit me të cilin është prezantuar të mërkurën mbrëma në mensën “Ramiz Sadiku”, në Prishtinë. Artistë, kuratorë, përfaqësues institucionalë e të tjerë kanë marrë pjesë në ceremoninë ku është shpalosur Koncepti si dokument me hapat e ardhshëm për themelimin dhe funksionimin e institucionit, që shteti tash e 16 vjet është në tentative për ta bërë. Kaq është koha e llogaritur prejse kishte edhe projekt për të, por si ide ka hyrë në vitin e 23-të.
Pos lokacionit, ish-“Rilindjes”, Këshilli Iniciues ka punuar edhe në statut e organogram. Dokumenti i prezantuar sjell në detaje institucionin e synuar. Pret periudhat kohore se çka do të posedojë Galeria Kombëtare e Kosovës e çka ai që pritet të jetë muzeu i artit bashkëkohor.
Por gjithçka praktikisht duhet nisur nga pika A. Ministria e Kulturës tash posedon veç dokumentin udhërrëfyes.
Yll Rugova në cilësinë e kryesuesit të Këshillit Iniciues të emëruar më 6 qershor 2022 ka treguar se propozimin final e kanë dorëzuar më 8 qershor të këtij viti. Janë dashur gati katër muaj veç që të prezantohet ky koncept.
Rugova ka sqaruar se grupi në përbërje të tij dhe Petrit Halilajt, Flaka Halitit, Sislej Xhafës, Erëmirë Krasniqit, Zake Prelvukajt, Nita Salihu-Hoxhajt e Valdete Pacollit kanë mbajtur takime nga katër herë në muaj, kanë pasur vizita studimore, punëtori e po ashtu është punuar edhe në nëngrupe. Fillimisht ka folur për lokacionin e propozuar.
“Pos që i plotëson nevojat hapësinore për sipërfaqe, ish-‘Rilindja’ si institucion me rëndësi për kulturën e Kosovës, është simbol i domosdoshëm për nisjen e një iniciative ambicioze kombëtare për art. ‘Rilindja’ ka qenë për disa dekada shtylla qendrore e veprimtarisë kulturore në vend”, ka thënë ai. Muzeu i artit bashkëkohor është i rëndësisë së veçantë për Kosovën, sipas tij, dhe krahas GKK-së do të krijonte kuadro të reja institucionale me fokus në hulumtim, interpretim të trashëgimisë dhe në blerje dhe ruajtje të veprave të artistëve bashkëkohorë vendorë dhe ndërkombëtarë.
“Jemi marrë edhe me çështjen e statutit, që parasheh se si do të funksionojë institucioni i ri. Ky statut, që është në përputhje me ligjin e ri të kulturës, nxjerr një vizion të ri për kulturën që buron nga komuniteti. Statuti parasheh kompetencat e drejtorit të ri, drejtorit administrativ, organizimin e departamenteve kryesore, çështjen e koleksionit dhe të gjitha pikat me rëndësi të institucionit”, ka thënë ai. Sipas Rugovës, statuti është shkruar me kujdes që kornizat e vëna t’ua japin autonominë e nevojshme strukturave të muzeut.
“MAB do të nisë një koleksion të ri të artit bashkëkohor. Pra ky do të jetë një koleksion nga fillimi, ku do të ketë buxhet të veçantë vjetor dhe komision që përcakton blerjen e veprave. Koleksioni do të ketë për bazë dy shtylla: koleksionimin si formësim të rrëfimeve dhe koleksionim si avancim të diversitetit dhe gjithëpërfshirjes”, ka thënë ai. Sipas Konceptit të paraqitur muzeu do të jetë një platformë kulturore transformuese për artistët, publikun dhe komunitetet e ndryshme, duke ofruar hapësirë për eksperimentim, shprehje artistike, reflektim dhe dialog. Kurse thelbi i programit të muzeut është besimi i palëkundur në fuqinë transformuese të artit. Nëpërmjet një bashkëbisedimi me të pranishmit anëtarët e Këshillit Iniciues kanë sqaruar se ideja është që të ruhet trashëgimia e ish-shtypshkronjës “Rilindja”, muzeu të jetë sa më gjithëpërfshirës për krejt komunitetet në vend dhe se aty do të prezantohen vepra të viti 1990 e të mëpastajme. Veprat e viteve paraprake do t’i ngelin Galerisë Kombëtare të Arteve. Sipas Konceptit, në qershor a korrik të vitit 2024 do të hapet konkursi ndërkombëtar për arkitekturën e muzeut, në shkurt 2025, thirrja për adaptim a ndërtim, e në gusht të atij viti të nisin punimet. Kurse në janar të vitit 2028 institucioni të jetë me koleksion, këshill dhe drejtor.
Por synimi i Këshillit Iniciues dhe i MKRS-së është goxha ambicioz. Ish-“Rilindja” – që është monument – është nën menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe vendosja e muzeut aty tash është veç synim.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se kjo kornizë orientuese, siç është Koncepti, tashmë lehtëson punën për pjesën që vjen pas. Ka thënë se janë të mobilizuar në kuptimin edhe financiar, edhe të resurseve njerëzore që ta çojnë tutje këtë plan.
“Besoj se puna e këtij këshilli e vendos një standard të ri të ndërtimit të institucioneve në Kosovë. Jam shumë i bindur që nuk do të mungojnë mundësitë financiare. Më shumë duhet të koncentrohemi nga kapacitetet menaxhuese të një institucioni kaq të madh”, ka thënë ai. Sipas Konceptit, për fillim do të jenë 20 punonjës. Sipas ministrit Çeku, shumë shpejt do të miratohet projektligji për artin dhe kulturën dhe që ligjërisht e themelon muzeun, pastaj është një plan i veprimit për vitet në vijim nga ndërtesa, krijimi i kushteve, blerja e veprave, krijimi i koleksionit, stafit, drejtorit, të cilat do të realizohen në vitet në vijim.
“Lokacioni i propozuar është ish-shtypshkronja ‘Rilindja’. Praktikisht është nën menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, pasi ka edhe të tjerë që janë të interesuar për atë hapësirë. Aneksi është shumë i madh. Besoj që një pjesë e atij aneksi do ta akomodonte në një plan afatmesëm muzeun e artit bashkëkohor. Ne duhet të jemi fleksibil për të konsideruar edhe opsione të tjera”, ka thënë ai. Ka shtuar se një herë do të shohin mundësinë për “Rilindjen”. Ka bërë të ditur se me propozim-buxhetin për tre vjetët e ardhshëm, 2024, 2025, 2026 kanë buxhetuar 2 milionë euro për nevojat e ndërtesës, “qoftë rinovim ose opsioni i dytë ndërtim i ri apo adaptim i ndonjë ndërtese tjetër”. “Pas miratimit të ligjit për kulturë dhe themelimit të muzeut, buxhetohet edhe menaxhimi i muzeut”, ka thënë Çeku.
MKRS-ja ka 16 vjet që projekton buxhet për muzeun e artit bashkëkohor.
Ndër vite janë të paktën tri hapësira që janë përmendur për ta ndërtuar muzeun e artit bashkëkohor, por asnjëherë nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret.
Në vitin 2007, Ministria e Kulturës kishte paguar 20 mijë euro për projektimin e ndërtesës, që ishte bërë nga arkitekti Bujar Demjaha. Konkretizimi i tij qe llogaritur të kushtonte mbi 5 milionë euro. Por prejse është projektuar, punët rreth këtij projekti nuk kanë shkuar mirë. Sa i përket lokacionit Ministria e Komuna e Prishtinës prej vitit 2011 deri më 2020 kanë akuzuar njëra-tjetrën.
Fillimisht UP-ja kishte ndarë lokacionin për ndërtimin e muzeut në trekëndëshin midis Galerisë Kombëtare të Arteve, kishës ortodokse dhe Bibliotekës Kombëtare, por e njëjta hapësirë kishte dalë të jetë më e volitshme për ndërtimin e Fakultetit të Edukimit, që është ngritur në gjashtë kate.
Më 2011, ish-ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, kishte thënë se e kishte marrë seriozisht idenë që ndërtesa e ndërmarrjes shoqërore “Gërmia” të shndërrohej në muze të artit bashkëkohor. Shqyrtimi i mundësisë që ish-objekti i “Gërmisë” të bëhej muze i arteve bashkëkohore qe hedhur qysh në vitin 2006. Ka qenë filozofi e kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi, i cili e kishte dhënë këtë ide në kohën kur komuniteti artistik po protestonte në mbrojtje të ish-hotelit “Union”, të cilin shteti e kishte privatizuar, ani pse një herë i ishte premtuar Galerisë së Arteve të Kosovës. Por ish-“Gërmia” në planet e Komunës do të jetë galeri e një ndërtesë e re ngjitur sallës koncertale.