Kulturë

Luan Mulliqi – Artisti që promovoi tradicionalen nëpërmjet modernes

Luan Mulliqi kishte tjetër koncept për artin publik. Shpërfaqte përmbajtësisht personalitetin që i kushtonte veprën dhe në të njëjtën kohë këtë e bënte duke prekur bashkëkohoren në art. Në këtë “melodi” ka punuar edhe ciklet e skulpturave. Duke u thelluar në rrënjët e tradicionales, e ka promovuar atë nëpërmjet modernes. Artisti që pos me artin e tij si krijues ka promovuar Kosovën edhe në forma të tjera, vdiq të hënën. Ai ishte 70 vjeç. Lajmin për vdekjen e anëtarit korrespodent të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe sekretarit shkencor të saj e ka bërë të ditur vetë institucioni dhe familja e tij

Nëpërmjet një vizite të shkurtër përreth shtatoreve në Kosovë, shpejt mund të bëhen dy ndarje: ato të realizmit socialist që janë shumicë dhe disa që janë e kundërta e tyre. Te grupi i dytë hyjnë skulpturat monumentale të Luan Mulliqit. Ato shkojnë përtej. Prekin filozofinë e personit që paraqitet dhe i takojnë frymës moderne. Mulliqi kishte tjetër koncept për artin publik. Shpërfaqte përmbajtësisht personalitetin që i kushtonte veprën dhe në të njëjtën kohë, këtë e bënte duke prekur bashkëkohoren në art. Në këtë “melodi” ka punuar edhe ciklet e skulpturave. Duke u thelluar në rrënjët e tradicionales, e ka promovuar atë nëpërmjet modernes. Artisti që pos me artin e tij si krijues ka promovuar Kosovën edhe në forma të tjera, vdiq të hënën. Ai ishte 70 vjeç. Lajmin për vdekjen e anëtarit korrespodent të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe sekretarit shkencor të saj e ka bërë të ditur vetë institucioni dhe familja e tij. Ndërsa vdekja e Mulliqit është përshkruar si humbje për kulturën e vendit e përtej saj. Veprat e tij janë pjesë e koleksioneve të artit të disa prej udhëheqësve të fuqive botërore.

Artisti ekspeditiv

I lindur në Gjakovë më 1953, Mulliqi studimet për skulpturë i përfundoi në atë që ishte Akademi e Arteve Figurative e Universitetit të Prishtinës, tash Fakulteti i Arteve. Më pas, më 1979 do të përfundonte studimet pasuniversitare në Fakultetin e Arteve në Beograd. Shpejt do të dilte në pah me stilin e tij në skulpturë monumentale dhe me skulpturat që përgatiste për ekspozita.

Që nga viti 1977, qe anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës si dhe anëtar i Shoqatës së Artistëve Chicagos. Prej vitit 1992, ishte bërë anëtar i “United American Artist” në New York si dhe anëtar i rregullt i “International Sculpture Center” në Washington. Do të merrte vëmendje të madhe me stilin e tij e njëkohësisht, do të gjurmonte në kulturën shqiptare. Pos kësaj, synonte që të ishte në rrjedhat e artit botëror, duke qenë i pranishëm në simpoziume të skulpturës. Sipas biografisë së tij në ASHAK, ai ka përgatitur dhe botuar dy monografi për artin pamor në Kosovë. Ka realizuar disa skulptura monumentale si shtatoret e Ismail Qemalit e Fehmi Aganit në Prishtinë, bustet e Madeleine Albright e Bob Dole po në Prishtinë, atë të Ali Podrimjes në Gjakovë e të Nënë Terezës në Shqipëri. Për shumë vite punoi ligjërues në Universitetin e Tetovës dhe në Universitetin e Prishtinës. Për afro dhjetë vjet, ishte drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës, ndërsa prej vitit 2012, qe pranuar anëtar korrespondent në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Veprat e tij gjenden në disa galeri e muze, ndërsa skulptura “Hyjnesha” është pjesë e koleksionit të përhershëm të Muzeut Kombëtar të Francës. Veprat e tij gjenden gjithashtu te koleksionistë privatë dhe personalitete të njohura, siç janë Papa Gjon Pali II, presidenti Bill Clinton, mbreti Hirohito, mbretëresha Elizabeth II, princesha Diana, sekretarja amerikane, Madeleine Albright, presidenti George W. Bush, Papa Benedikti dhe te disa personalitete të tjera. Kurse sa u përket ekspozitave personale, pos Kosovës e vendeve të rajonit, ai ka ekspozuar edhe në “Renata Gallery”, Chicago, “Artecounter Gallery”, Dallas, “Gallery Art 54”, New York, “Coco Gallery”, Vjenë, “Triada Gallery” Timișoara, Rumani. E disa vende të tjera. Më 2015, skulptura e tij “Hyjnesha” do të ekspozohej krahas hyjnive të Ballkanit në Muzeun Arkeologjik Kombëtar në Paris.

“Fryma moderne në qasje ndaj skulpturës”

I njohur për stilin e tij të veçantë, Luan Mulliqi ka sjellë frymë moderniste në skulpturën monumentale të Kosovës. vdekja e tij është përshkruar si humbje e madhe nga shkrimtari e kritiku i artit, Eqrem Basha. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për humbje vetëm të kulturës shqiptare. Ai ka thënë se Mulliqi qe ndër gjeneratat e para që dolën nga Universiteti i Prishtinës.

“Që në fillim, pas përfundimit të studimeve, ai u shqua për qasje të veçantë për veprat e tij skulpturore. Ishte ndër më të dalluarit. Janë disa orientime të tij. Para së gjithash, unë çmoj atë që është vepër artistike. Skulpturat që realizonte në bronz dhe veçanërisht në mermer. Kultura të modeluara me një shkathtësi të veçantë të modelimit që ishte tipike për të”, ka thënë akademik Basha. Ka shtuar se Mulliqi shquhet edhe për realizimin shtatoreve.

“Ai solli një frymë moderne në qasje ndaj skulpturës. Nuk i takonte frymës tradicionale.

Veprat e tij në bronz shquhen për një formë sugjestive të modelimit. Ishte një qasje moderne, qasje origjinale”, ka thënë Basha.

“Skulptor që synonte shkrirjen e përfytyrimit tradicional”

Akademik Rexhep Ismajli ka thënë se vdekja e parakohshme e skulptorit Luan Mulliqi na erdhi e papritur dhe e hershme. Sipas tij, Mulliqi i përket brezit të dytë të skulptorëve të Kosovës pas Agim Çavdarbashës dhe në dekadat e fundit ka pasur rastin të luante një rol në zhvillimet në fushën e arteve pamore në Kosovë, sidomos si drejtor i Galerisë së Arteve, e pastaj edhe si sekretar i Seksionit të Arteve të ASHAK-ut.

“Luan Mulliqin, aq sa kam parë unë, e njohim si një skulptor që synonte shkrirjen e përfytyrimit tradicional, sidomos atij të etnografisë dhe të historisë kombëtare me trajtimin modern, për çka kishte njohuri dhe afinitet. Për mua janë të njohura motivet e tij, t’i quaj kështu, ‘hasjane’ dhe loja me format me prejardhje etnografike, por tani të shndërruara dhe të ripunuara në një frymë moderne”, ka thënë Ismajli. Sipas tij, Mulliqi njihet po ashtu për një sërë monumentesh publike, sidomos portrete dhe shtatore figurash me rëndësi për historinë shqiptare. Derisa ka përmendur disa prej shtatoreve, Ismajli ka thënë se ato, herë ishin të trajtuara me ndjenjë realizmi, herë me implikime interpretimesh të ndryshme.

“Të gjitha këto e bëjnë veprën e tij të begatshme. Shkuarja e tij e hershme nga kjo botë ka lënë një zbrazëti ndër ne, por vepra e tij do ta bëjë jetën e vet. Të nderuar qofshin përgjithmonë personaliteti dhe vepra e tij”, ka përfunduar Ismajli.

“Balerinat” e “Hasjania”

Ciklet me skulpturat e Mulliqit janë të veçanta. “Balerinat” e “Hasjania” janë midis cikleve ku Mulliqi kishte punuar me vite. I interesonte të shpërfaqte tradicionalen nëpërmjet modernes. Në këtë rrafsh, promovonte trashëgiminë kulturore të Kosovës.

“Unë jam përpjekur shumë të hulumtoj nga e kaluara në mënyrë që nëpërmjet shprehjes moderne ta kthej në të tashmen”, do të thoshte ai në tetor të vitit 2016 në një intervistë për “Koha Ditore”, pasi kishte hapur ekspozitën personale “Hasjania”. Kishte treguar se për të hasjania ka qenë diçka si më e pastër si trashëgimi materiale. Ishte marrë gjatë me modelimin e formave që paraqisnin gratë e Hasit me veshjet e tyre tradicionale.

“E kam vërejtur se kam mundësi ta kthej edhe në një formë moderne ku nëpërmjet kreativitetit është eliminuar pjesa e ngjyrave që po ashtu janë të pasura, por janë më shumë për pikturë. Unë jam marrë me formën”, kishte thënë ai.

Duke pasur parasysh kontributin e Mulliqit, piktorja e profesoresha universitare, Zake Prelvukaj, ka thënë se ai padyshim që me punën krijuese, menaxheriale, pedagogjike, por edhe kritike e shkrime arriti të pasuroj fondin artistik dhe literaturën artistike kosovare. Ka përmendur se Mulliqi ka shkruar monografi dhe vepra të tjera për artin dhe artistët e Kosovës.

“Por edhe për të kanë shkruar libër. Vlen ta përmendim prof. Dr. Johan Guntherin, autor i librit ‘Mulliqi një skulptor i madh’. Si krijues vazhdimisht ka ndryshuar në koncepte, por formën qe e ka karakterizuar nuk e ka lëvizur shume”, ka thënë ajo. ka kujtuar se ai ishte drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës pas luftës së fundit në një periudhë aspak të lehtë tranzitore. Ka thënë se pavarësisht kësaj, ka arritur ta menaxhojë mirë institucionin dhe të sjellë personalitete te njohura ndërkombëtare për të ekspozuar. “Ishte iniciues për kthimin nga Serbia të ‘Hyjneshës në Fron’. Luani shkoi fizikisht, por veprimtaria e tij do ta krijojë jetën e përjetshme”, ka thënë Prelvukaj.

Skulptori Adem Rusinovci ka vlerësuar se Mulliqi u takon artistëve të cilëve u rron vepra. Ka kujtuar se si kolegë në Fakultetin e Arteve kanë pasur bashkëpunim të mirë.

“Një njeri zotëri që e ka dashur punën e jetën. Është marrë me personalitete dhe figura të ndryshme. Emri i tij do të jetojë sa të ketë njerëzim. E ka pasur një formë të shprehjes ku ka luajtur me format e figurave që ka punuar. Ai gjithmonë e ka arsyetuar se përse janë ashtu”, ka thënë Rusinovci.

“Luanin do ta shohim në qytet nëpërmjet punës së tij”

Me rastin e vdekjes së Mulliqit, atë e ka vlerësuar edhe udhëheqësia e shtetit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ngushëlluar familjen dhe miqtë e Mulliqit, duke thënë se veprat e tij artistike do të mbeten trashëgimi dhe kujtesë e përhershme e tij.

“Pas vetes la një fond të pasur artistik nga skulptura monumentale bashkëkohore dhe ajo kombëtare. Do të jetojmë përjetësisht me kujtimin e skulptorit të shquar. U përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe komunitetit kulturor”, thuhet në mesazhin ngushëllues të presidentes Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në Facebook se shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadaresë, i ishte ngulitur aq thellë në mendje një skulpturë e Nënës Terezë sa edhe kishte shkruar: “Nënë Tereza e Mulliqit ka një metaforë të rrallë që duke shpërthyer nga toka dëshmon për vërtetësinë e shenjtores sonë”. Sipas kryeministrit Kurti, si veprat, edhe emri i Mulliqit, jehon gjithandej.

“Pafund janë vendet në të cilat ka ekspozuar, e ku veprat e tij janë të koleksionuara, njësoj sikur pafund janë punët që la pas. Një artist me shije të hollë e me dije të gjerë nga sot nuk është më në mesin tonë. Mungesën do t'ia ndiejmë përherë më shumë, por, Luanin do ta shohim në qytet nëpërmjet punës së tij. Artisti nuk shuhet, sepse vepra e tij jeton”, ka shkruar kryeministri Kurti.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, nëpërmjet një telegrami ka ngushëlluar familjen Mulliqi. Sipas telegramit, Mulliqi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën artistike të Kosovës dhe angazhimi i tij në zhvillimin e artit pamor dhe monumental në vend ka qenë thelbësor.

“Kontributi i Mulliqit si drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës, autor i dy monografive për artin pamor në Kosovë, ligjërues në Universitetin e Prishtinës dhe atë të Tetovës si dhe angazhimi në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, do të mbetet i çmuar në artin dhe kulturën e Kosovës duke frymëzuar brezat e ardhshëm”, shkruhet në telegram. Sipas Çekut, karriera e bujshme e Mulliqit ngërthen shumë simpoziume të skulpturës me karakter ndërkombëtar, një sërë shkrimesh për skulpturë, për artet figurative dhe zhvillimet kulturore në Kosovë, ekspozita personale dhe kolektive nëpër shumë vende të botës.

Janë pikërisht shumë personaliet të botës që në koleksionet mbajnë veprat e Mulliqit. Në këtë mënyrë, skulptori promovonte trashëgiminë kulturore të Kosovës e të shqiptarëve. Këtë e kishte edhe midis synimeve.

“Nëse nuk kam diçka nga hapësira ku kam lindur dhe jetoj, atëherë ai për mua nuk është art”, kishte thënë ai për “Koha Ditore” më 2016. E, Luan Mulliqi bënte art.