Artikull i përditësuar - Një marrëveshje armëpushimi e arritur me ndërmjetësimin e SHBA-së herët të shtunën në mes Indisë dhe Pakistanit është vënë në dyshim pas raportimeve për vazhdim të sulmeve në zonën kufitare. Teksa India akuzoi direkt Pakistanin për shkelje të marrëveshjes, Pakistani mohoi akuzën ndërsa lavdëroi marrëveshjen

India dhe Pakistani kanë arritur marrëveshje armëpushimi pas bisedimeve të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, për t’u dhënë fund përleshjeve mes dy vendeve të pajisura me armë bërthamore. Megjithatë, gjithçka u vu në dyshim pas raportimeve për bombardime dhe shpërthime në Kashmirin e administruar nga India, vetëm disa orë pasi u njoftua për arritjen e armëpushimit.

Njoftimi për armëpushimin u dha fillimisht nga presidenti amerikan, Donald Trump, përmes postimit në rrjetin social “Truth Social” se pas një nate të gjatë negociatash, dy shtetet janë pajtuar që armëpushimi të jetë i plotë dhe i menjëhershëm. Tek i ka uruar vendet për marrëveshjen, presidenti amerikan u shpreh se India e Pakistani përdorën arsyen e shëndoshë dhe inteligjencën e lartë, duke e ndërmarrë këtë hap. Marrëveshja më pas u konfirmua nga zyrtarët e lartë shtetërorë të Indisë dhe Pakistanit.

Por vetëm pak orë pas njoftimeve, marrëveshja u vu në dyshim. Disa bombardime përgjatë kufirit nxitën akuza të Indisë se Pakistani ka shkelur armëpushimin.

“I bëjmë thirrje Pakistanit të ndërmarrë hapa të duhur për t’i adresuar këto shkelje dhe të merret me seriozitet dhe përgjegjshmëri për situatën”, ka thënë sekretari i Jashtëm i Indisë, Vikram Misri, të shtunën në mbrëmje tek akuzoi Pakistanin për sulme.

Ndërkaq nga Pakistani, ministri i Informacionit, Attaullah Tarar, nëpërmjet një interviste me “Geo Nwes” u shpreh se akuzat janë të pabaza dhe se koha është për festim të fitores. E “fitore” shpalli edhe kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, në një adresim para popullit. Ai ka falënderuar edhe Arabinë Saudite dhe Kinën për ndërmjetësim, ndërsa akuzoi Indinë për shpërndarje të lajmeve të rreme e për shkatërrim të xhamive. “Jemi shtet shumë i përgjegjshëm dhe e kemi dëshmuar. Duam paqe... jemi komb paqësor. E kemi arritur këtë marrëveshje për të mirën e të gjithëve”, ka thënë ai.

Para se të bëhej publik lajmi për marrëveshjen, më herët gjatë të shtunës, zyrtarët e ushtrisë pakistaneze ishin shprehur për mediat shtetërore se kanë filluar operacione hakmarrëse, me cak disa baza duke përfshirë edhe një depo të raketave në Indinë veriore. Ofensiva pakistaneze ndodhi pak pasi njoftoi se India të shtunën ka sulmuar me raketa nga aeroplanë luftarakë tri baza ushtarake, duke përfshirë edhe një afër kryeqytetit Islamabad. Zyrtarët pakistanezë kanë njoftuar se mbrojtja ajrore i ka rrëzuar shumicën e tyre.

Tensionet mes Indisë e Pakistanit u përshkallëzuan të martën pasdite, kur India e sulmoi atë që e quajti “infrastrukturë terroriste” të Pakistanit, dy javë pasi e akuzoi fqinjin për përfshirje në një sulm që rezultoi me 26 të vdekur në Kashmirin e kontrolluar nga India. Islamabadi zyrtar i mohoi këto akuza teksa ndërmori sulme në disa baza ushtarake në Indinë veriore.

 

Kryeministri pakistanez lavdëron “fitoren historike”

1 muaj më parë / 10 maj 2025 20:36
India-Pakistani

Photo: Associated Press

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, ka thënë se shteti i tij ka arritur “një fitore historike”. Teksa ka lavdëruar ushtarët e tij, Sharifi ka thënë se Pakistani “ka qenë i suksesshëm dhe ka arritur fitoren”.

Ai po i adresohet popullit pakistanez pak orë pasi Pakistani dhe India u dakorduan për armëpushim, por India menjëherë akuzoi Pakistanin për sulme në Kashmirin e administruar nga indianët. Sipas Sharifit, ndaj Pakistanit ka akuza të pabaza. Ai ka thënë se nga sulmet e Indisë janë shkatërruar xhami në Pakistan.  

“I gjithë Pakistani ka qenë i suksesshëm. Ne kemi fituar. Kjo është fitore”, ka thënë ai para se të deklaronte se armëpushimi është për të mirën e të gjithëve.

“Ne jemi një shtet paqësor. Për të mirën e të gjithëve e kemi arritur këtë marrëveshje armëpushimi dhe kemi qenë pozitivë për të”, ka shtuar ai.

India akuzon Pakistanin për shkelje të armëpushimit

1 muaj më parë / 10 maj 2025 20:22
India

Sekretari i Jashtëm i Indisë, Vikram Misri ka akuzuar shtetin e Pakistanit për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit në Kashmir.

Ai ka deklaruar se forcat e armatosura të Indisë janë duke ju përgjigjur shkeljeve të armëpushimit, ka raportuar “The Guardian”.

Tek ka bërë thirrje që Pakistani të ndalë sulmet, ai ka shtuar se forcave të armatosura indiane u janë dhënë udhëzime për të përballur fuqishëm me shkeljet përgjatë kufirit.

Dëshmitarët në qytet Jammu dhe Srinagar të Kashmirit të kontrolluar nga India kanë raportuar se kanë parë shpërthime dhe predha që fluturonin në qiell.

Raportohet për shpërthime pak pas arritjes së marrëveshjes për armëpushimin Indi-Pakistan

1 muaj më parë / 10 maj 2025 19:02
Trumpi thotë se India dhe Pakistani janë pajtuar për armëpushim

Foto: Arkiv

Është raportuar për sulme me dronë në qytetin Jammu, në zonën e Kashmirit që kontrollohet nga India, pak orë pas arritje së armëpushimit në mes Indisë dhe Pakistanit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Edhe ekipet e BBC-së kanë njoftuar se shpërthime po dëgjohen në Srinagar të Kashmirit të administruar nga India.

E nga Pakistani, ministri i Edukimit në Kashmirin e kontrolluar nga Pakistani ka raportuar se janë duke vazhduar përplasjet përgjatë kufirit de-facto me Indinë, ka raportuar “The Guardian”.

India dhe Pakistani, të shtunën kanë arritur një armëpushim të menjëhershëm dhe të plotë për konfliktin që u përshkallëzua gjatë javëve të fundit në territorin e kontestuar të Kashmirit, me ndërmjetësimin e presidentit amerikan, Donald Trump. 

Tensionet në mes vendeve u përshkallëzuan pasi një grup terrorist pati kryer një sulm terrorist në Kashmirin e kontrolluar nga India duke vrarë 26 persona. E India e ka akuzuar Pakistanin për përfshirje, akuza që Islamabadi zyrtar i ka mohuar.