Kulturë

Shans i ri për artefaktet me gjeneratë të re restauruesish

Punën praktike dhjetë pjesëmarrësit në punëtori fillimisht e kanë realizuar në kopje të artefakteve
 

Jo rrallë është theksuar nevoja për restaurues artefaktesh e këtë synim ka edhe punëtoria e mbajtur në hapësirat e Muzeut Arkeologjik të rajonit të Prizrenit. Dhjetë të rinj kanë përfituar njohuri lidhur me metodat dhe teknikat e restaurimit, rikonstruktimit, pastrimit, ngjitjes dhe përgatitjes për ekspozim të një artefakti arkeologjik. Pas aftësimit e certifikimit, ata do të angazhohen në restaurimin e dy pitosëve, për të pasuruar në këtë mënyrë ekspozitën brenda këtij muzeu të veçantë

Muzeu Arkeologjik i rajonit të Prizrenit përkohësisht është shndërruar në mësonjëtore, duke mundësuar jetësimin e punëtorisë së restaurimit të artefakteve. Në këto hapësira, dhjetë të rinj, kanë marrë njohuri lidhur me metodat dhe teknikat e restaurimit, rikonstruktimit, pastrimit, ngjitjes dhe përgatitjes për ekspozim të një artefakti. Pas këtij aftësimi, të rinjtë synojnë që me angazhimin e tyre t’i kontribuojnë ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore, si dhe prezantimin e tyre për një publik më të gjerë.

Punën praktike fillimisht e kanë realizuar në kopje të artefakteve, ndërkohë që pas aftësimit e certifikimit do të angazhohen në restaurimin e dy pitosëve, për të pasuruar në këtë mënyrë edhe ekspozitën brenda këtij muzeu të veçantë.