Kulturë

“Jepi ngjyra jetës” në alarm që gruaja ta marrë fatin në duar

“Jepi ngjyra jetës” me Anisa Ismailin e Fitore Broqin është pasqyrë e realitetit të grave me ëndrra të shkatërruara si alarm për prerjen e të njëjtin fat te gjeneratat e reja
 

E kaluara dhe e tashmja e pasojave të paragjykimeve dhe mendësisë në shoqëri janë trajtuar në performancën “Jepi ngjyra jetës” të përgatitur dhe luajtur nga aktoret Anisa Ismaili dhe Fitore Broqi. Me të synohet emancipimi i shoqërisë dhe fuqizimi i gruas. Aty aktoret sjellin edhe copëza rrëfimesh personale dhe kanë një qëllim me këtë qasje

Për më shumë se gjysmë ore, skena e teatrit “Oda” në kryeqytet ka qenë dedikim për gruan, emancipimin dhe lirinë e saj. Performanca “Jepi ngjyra jetës” me mesazhe e rrëfime ka shpalosur kapitujt që ndryshojnë rrjedhë nga vendimet e të tjerëve. Ka ardhur si zë i shumë grave që patën ëndrra të pafundme, të prera nga mendësia e shoqërisë. E përgatitur dhe luajtur nga aktoret Anisa Ismaili dhe Fitore Broqi dhe përkrahur nga organizata “Artpolis” ajo alarmon kur dëshmon se historia e tillë vazhdon edhe sot.

Fillimisht në skenë vihen dy rrëfime fiktive, jehona e të cilëve e përcjell kaherë shoqërinë. Dritat pozicionohen tek Ismaili në ambientin me dekorin minimal me elemente tradicionale. E ulur pranë sofrës teksa gatuan, kujton periudhën kur i ishte ndaluar shkollimi. Është mërzia që përjeton prej rrëfimit që u përshtatet shumë grave. Çastet qesharake që krijohen për publikun janë ato që i kanë mbetur më së shumti peng në jetë. Nis në monolog e më pas ajo i drejtohet publikut.