Alpet Shqiptare kanë shënuar rekord vizitorësh dhe ka qenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai që ka dhënë shifrat. “Magjia e Alpeve Shqiptare, që këtë gusht priti mbi 130 mijë vizitorë, të cilët zgjodhën të udhëtonin drejt majave madhështore, luginave si parajsa, shtigjeve e lumenjve duke konfirmuar se turizmi malor është në ditët e tij më të mira dhe harta e atraksioneve për t’u zbuluar sa vjen e zgjerohet”, ka shkruar Rama në rrjete sociale.
Alpet Shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8 për qind të tij. Sipas shënimeve, lartësia mesatare e tyre mbi nivelin e detit arrin në një mijë e 500 metra, e këtu ndodhen shumica e majave të Shqipërisë me lartësi mbi 2000 metra.
Shqipëria sivjet ka qenë në qendër të mediave botërore jo vetëm si dentinacion turistik për bukuritë natyrore, por edhe për turizmin kulturor. Një ditë para se të zbulojë shifrat për Alpet Shqiptare, kryeministri Rama në një intervistë në këtë temë, citohet të ketë thënë se “e gjithë zhurma e madhe që u bë botërisht për Shqipërinë si destinacion i ri turistik në Mesdhe, efektin më të madh do ta japë në vitet që vijnë”.
“Ne duhet ta balancojmë ofertën, të ofrojmë shumë më tepër mundësi për turizmin e konsumatorëve, të ardhura të larta, për të futur shumë më tepër të ardhura në vend, për ta ndihmuar shumë më tepër ekonominë e vendit dhe për të pasur njëkohësisht një balancë dhe në aspektin e ekuilibrave mjedisorë, pasi dihet se turizmi i masës e sjell me vete dhe këtë kërcënim”, ka thënë ai. Ka shprehur edhe synimet e vendit. “Duam të jemi kampionë të Ballkanit në turizëm, por këtu kam parasysh rajonin e Ballkanit Perëndimor, jo Greqinë akoma. Për të qenë ne mbi Greqinë, në raport me turizmin do të na duhet shumë më tepër kohë dhe në fund të fundit, është e vërtetë se e kemi barazuar për numër turistësh, por nuk janë numrat, janë edhe të ardhurat, dhe këtu ne duhet të bëjmë shumë punë”, ka thënë ai.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.