“Hyjnesha e Kuqe” për filmat e përplasjeve me identitet e teknologji
Fisnik Maxville me “Hyjneshën e Kuqe” për filmin “Toka brenda Meje”. Por në “PriFest” ky nuk ka qenë i vetmi çmim për të
Është një lloj feste jo vetëm duke shpërblyer filmat, por për ta shënuar edhe fundin e një kapitulli. E sivjet, çmimin kryesor “Hyjnesha e Kuqe”, që mban edhe emrin e producentes Vjosa Berisha, e kanë marrë “Toka brenda meje” nën regji të Fisnik Maxville nga Kosova dhe “Blaga’s Lessons” nën regji të Stephan Komandarev nga Bullgaria. I pari një rropatje në kërkim të identitetit, i dyti një rrëfim që kap pasojat e keqpërdorimit të teknologjisë. “PriFesti” pos filmave e ceremonive, edhe në edicionin e 15-të ka mbajtur synimin që e karakterizon – rrjetëzimi i kineastëve
Janë rrëfime që flasin për viktima. Te i pari personazhi kryesor është i lindur në një kontekst që e bën atë viktimë ende pa ardhur në këtë botë. Kurse te i dyti personazhi kryesor bie viktimë e teknologjisë.
Janë “Toka brenda meje” nën regji të Fisnik Maxville dhe “Blaga’s Lessons” nën regji të Stephan Komandarev nga Bullgaria filmat që kanë ndarë çmimin kryesor të Prishtina International Film Festival, “Vjosa Berisha” për filmin më të mirë në kategorinë e filmave ballkanikë. “Hyjnesha e Kuqe” në këtë rast është ndarë midis Kosovës dhe Bullgarisë.
Të dielën mbrëma producenti amerikan, Mark Forstater, kinematogarfi anglez, John Mathieson, producentja holandeze, Claudia Landsberger, producenti izraelit, Kobi Mizrahi, dhe shkrimtarja e kinematografja nga Afrika e Jugut, Cheryl Johnson si anëtarë të jurisë, kanë ndarë çmimet për kategorinë kryesore të filmave të gjatë artistikë ballkanikë.
“Toka brenda meje” sillet rreth një plage të madhe ballkanike të shkaktuar nga luftërat e viteve ’90. Gjithçka zë vend te varrezat masive. Sikur prej aty buron gjithçka. Realisht është vend që jep shumë sqarime të historisë që pasqyrohet; prej urrejtjes e deri te kërkimi i identitetit. Personazhi kryesor është fryt i dashurisë midis një shqiptareje dhe një serbi. Të dy prindërit e tij të vrarë shkaku i urrejtjes ndëretnike. E në këtë rast kërkimi i identitetit dhe përballja me të janë të vështira.
Kurse te filmi bullgar “Blaga’s Lessons”, një mësuese e pensionuar e cila ka mbetur e vejë së fundmi, bie pre e një mashtrimi telefonik, duke i humbur kështu kursimet e jetës dhe duke mbetur pa para për varrin e bashkëshortit të saj. Jeta e saj përmbyset kur e kupton se nuk ka asnjë mënyrë për t’i kthyer paratë e saj, derisa merr një ofertë joshëse por të dyshimtë për punë. Filmi rrëfen hap pas hapi udhëtimin e një gruaje që vërtitet në ciklin vicioz të realitetit të jetës jashtë rehatisë së saj.
Prej 12 shtatorit deri të dielën mbrëma me orar të rregullt dhjetëra filma janë shfaqur në kuadër të edicionit të sivjetmë “PriFestit”, i cili për me tepër është edhe pikëtakim i kineastëve nge vendi e bota. Ndarja e “Hyjneshave...” shënon kulminacionin
Përderisa regjisori bullgar Stephan Komandarev nuk ka qenë i pranishëm në ceremoni, kolegu i tij nga Kosova, Fisnik Maxville, ka qenë tejet falënderues për Festivalin.
“Jam tepër i kënaqur që e kam prezantuar këtë film këtu. Ky është filmi im i parë i metrazhit të gjatë dhe ta marr këtë Çmim është nder shumë i madh”, ka thënë Maxville.
Çmimi është ndarë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Fjalën e tij ia ka kushtuar producentes së ndjerë, njëherësh themelueses së Festivalit, Vjosa Berishës.
“Kreativiteti, zelli e mirësia e Vjosa Berishës nuk kishte çmim, por tash ky festival e ka një çmim me emër të Vjosa Berishës”, ka thënë ai.
Çmimi për regjinë më të mirë, po ashtu, është ndarë midis dyshes Maxville dhe Komandarev. Në këtë rast Maxville pos Festivalit ka falënderuar edhe aktorët për punën që kanë bërë në këtë projekt kinematografik.
Festivali më i njohur i Kosovës për filmat e metrazhit të gjatë ka edhe kategorinë e filmave të metrazhit të mesëm. Në këtë rast, më i miri është shpallur “Si në vaj” nën regji të Aulona Selmanit e ku personazhi kryesor luhet prej Ilire Vincës. Filmi rrëfen për sakrificat e një nëne.
“E vlerësoj tepër këtë çmim pasi është një rrëfim personal dhe së bashku me Iliren kemi punuar shumë për të treguar botën e sakrificën e një nëne dhe Ilirja ka bërë një punë shumë të madhe”, ka thënë Selmani si regjisore e projektit, producent i të cilit është Zvicra. Ndërsa aktorja Ilire Vinca në këtë rast ka pasur një dedikim. “Këtë çmim ua dedikoj të gjitha nënave”, ka thënë ajo.
Sa i përket kategorisë së filmave të shkurtër, Mirënjohje speciale ka marrë filmi “Home of the Heart” nën regji të Sarah Saidan nga Franca, kurse Çmimin për filmin më të mirë e ka marrë “Road Triper” nën regji të Christophe Granger nga Franca.
“Hyjnesha e Artë” për aktoren më të mirë i ka takuar Eli Skorcheva për rolin e saj në filmin “Blaga’s Lessons”, ndërsa Çmimin për aktorin më të mirë e kanë ndarë vëllezërit binjakë Edgar Morais dhe Rafael Morais për rolet e tyre në filmin “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” nën regji të Gentian Koçit.
Sivjet “Hyjnesha e Artë” për arritje vjetore në kinematografi është ndarë për producentin Valon Bajgora.
“Faleminderit shumë dhe njëkohësisht shumë faleminderit krejt ekipit që kemi punuar bashkë. Ky çmim ka shumë domethënie për ne”, ka thënë ai në ceremoninë e së dielës mbrëma, e cila sikurse në hapje është moderuar nga aktorja Aurita Agushi bashkë me batutat e saj shpesh të vrugëta.
Festivali ka ndarë disa çmime në kuadër të programit “PriForum” duke mbështetur edhe nisma të reja sa u përket projekteve kinematogarfike. Në këtë rast Qendra Kinematografike e Kosovës ka vendosur që me tre mijë euro të përkrahë dy projekte: “Medusa” nga Shqipëria dhe “I Must Go Down By The Sea Again” nga Kosova.
“Kemi kënaqësinë e madhe që prej këtij viti të fillojmë bashkëpunimin me një prej festivaleve kryesore të filmit. Është Festival që bën rrjetëzim të jashtëzakonshëm. Kemi vendosur që me një shumë simbolike të mbështesim projektet kinematografike në ‘best pitch’”, ka thënë Blerta Zeqiri, drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovës.
Edhe sivjet në edicionin e vet të 15-të “PriFest” ka vazhduar të jetë një hapësirë e madhe për kineastët e rinj dhe ata me përvojë nga vendi e jashtë kufijve. Me fokus Izraelin në “PriFest” janë dhënë shumë filma që janë mbështetur dhe janë prodhim i këtij shteti që është edhe i fundit në listën e atyre që e kanë njohur Kosovën si shtet.
Prej 12 shtatorit, me orar të rregullt dhjetëra filma janë shfaqur në kuadër të edicionit të sivjetmë të Festivalit. Debatet formale e ato joformale kanë ofruar perspektiva e ide të ndryshme sa i përket kinematografisë. Gjatë gjithë kohës regjisori Fatos Berisha – trash drejtues i Festivalit – ka provuar që “PriFest” të mbajë frymën e themelueses, producentes Vjosa Berisha. E siç është bërë traditë që prej vitit të kaluar, portretet e saj në projektor në anën veriore të hotelit “Grand” bëjnë që Berisha të jetë e pranishme krahas tapetit të kuq. Kurse motot si “For her” dhe “Vjosa forever” janë dëshmi e vazhdimit të traditës së Festivalit.