“Kjo hapësirë, që gjendet në një vend plot bukuri natyrore, do të sjellë ngjarje kulturore dhe mundësi të reja për krijimtari artistike në këtë zonë. Të nxisë artin, edukimin dhe njohjen e trashëgimisë sonë kulturore. Marrëveshjen për bashkëfinancim në vlerë totale 850 mijë euro e nënshkruam sot me kryetarin e Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ndërsa mbështetje profesionale do të ofrojë edhe fondacioni ‘Hajde’, i udhëhequr nga Petrit Halilaj”, ka njoftuar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku
Çështja e Shtëpisë së Kulturës në Runik të Skenderajt ka marrë kthesë të madhe. Larg ekskavatorëve që kishin nisur rrënimin e saj në korrik, Ministria e Kulturës dhe Komuna e Skenderajt janë marrë vesh që të punojnë së bashku që monumenti t’u kthehet qytetarëve si hapësirë kulturore. “Kumbar” i krejt kësaj marrëveshjeje është artisti me nam botëror nga Runiku, Petrit Halilaj.
“Kjo hapësirë, që gjendet në një vend plot bukuri natyrore, do të sjellë ngjarje kulturore dhe mundësi të reja për krijimtari artistike në këtë zonë. Të nxisë artin, edukimin dhe njohjen e trashëgimisë sonë kulturore. Marrëveshjen për bashkëfinancim në vlerë totale 850 mijë euro e nënshkruam sot me kryetarin e Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ndërsa mbështetje profesionale do të ofrojë edhe fondacioni ‘Hajde’ i udhëhequr nga Petrit Halilaj”, ka njoftuar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Në fillim të korrikut të këtij viti, kur i kishin mbetur dhjetë ditë që ta shënonte pesëvjetorin si monument, Shtëpisë së Kulturës në Runik të Skenderajt i ishin futur ekskavatorët. Objektit të viteve ’50 të shekullit të kaluar – i cili pos vlerave arkitekturore, është një shenjë e kujtesës kolektive në këto anë – i ishte rrënuar një pjesë anësore. Krejt kjo ngjante në emër të një projekti më madhor komunal.
Shtëpia e Kulturës në Runik, 64 kilometra prej kryeqytetit, më 25 korrik të vitit 2018 u fut në Listën e trashëgimisë nën mbrojtje të përkohshme. Sebep u bë ringjallja me art që i bëri atë kohë artisti me famë botërore Petrit Halilaj, i lindur në këtë fshat, e të cilin e ka promovuar në galeritë më me nam në botë, deri në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie.
Asokohe e prerë ka qenë Ministria e Kulturës në reagim. E kishte konfirmuar se bëhet fjalë për ndërhyrje të jashtëligjshme njësoj siç ka bërë edhe Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore e Mitrovicës.
Edhe në raportin “Informatë mbi ndërhyrjet në monument – Shtëpia e Kulturës, Runik” adresuar Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe zyrtarëve të MKRS-së, e të cilin e kishte siguruar KOHA, QRTK-ja i kishte njoftuar për gjendjen në terren, ndërhyrjet dhe pasojat.
Dënimet për ndërhyrje të paautorizuara në monumente të mbrojtura janë të qarta. Demolimi pa lejen e institucioneve kompetente të trashëgimisë kulturore sanksionohet dhe me Kodin Penal.
Zërat për ndërhyrje të paautorizuar në monument nuk ishin të paktë dhe vinin nga jashtë institucioneve.
Me një reagim të gjatë i ishte adresuar pikërisht kryetarit të Skenderajt, në atë që është nënshkruar si “Letër nga qytetarët dhe komuniteti artistik i Runikut”.
“Jemi tejet të pikëlluar pasi mësuam lajmin për ndërhyrjet degraduese dhe joligjore në hapësirat e ish-Shtëpisë së Kulturës në Runik”, shkruhet ndër të tjera. Aty shpaloset edhe një historik i objektit.
“Gjatë periudhës së Jugosllavisë, Shtëpia e Kulturës në Runik funksiononte si bibliotekë me 7000 libra, me teatër, si dhe kooperativë bujqësore. Gjatë kësaj kohe ajo kishte mbledhur rreth saj aktivitete kulturore e artistike dhe si të gjithë komunitetin. Ajo ka shërbyer si hapësirë aktive deri në vitet ‘90, kur situata politike u përkeqësua dhe ndërtesa u mbyll padrejtësisht, ndërsa gjatë luftës ishte zhveshur nga përmbajtja e saj”, shkruhet në reagim. Përmendet koha kur u shpall monument.
“Në vitin 2018, përmes performancës artistike ‘Shkreptima’, artistë dhe hulumtues e patën ringjallur jetën dhe memorien kolektive të kësaj hapësire duke i bërë pjesë të saj banorët, mësuesit dhe gjeneratat e ndryshme. Në saje të këtij projekti dhe angazhimit qytetar ky objekt sot i ka shpëtuar privatizimit dhe shkatërrimit të mëtejshëm”, shkruhet në reagim.
Pikërisht Petrit Halilaj në emër të fondacionit “Hajde” para pak ditësh ka zhvilluar takime me autoritetet qendrore dhe lokale. Ka ndërmjetësuar që Shtëpia e Kulturës në Runik të jetë një qendër kulturore. Ia ka arritur.
“Jam shumë i lumtur për këtë që kemi arritur bashkërisht”, ka thënë Halilaj të mërkurën mbrëma. “Hajde” do të hulumtojë e propozojë se si t’i kthehet funksionaliteti Shtëpisë së Kulturës.
Shtëpia e Kulturës është lënë pas dore që prej pasluftës, përjashtuar ditët kur u pastrua e iu dha një tjetër imazh në ditët e “Shkreptimës” në verën e pesë vjetëve më parë.
Rrënimi i një pjese është vetëm goditje e radhës. Bërllok në hapësirat e brendshme, çarje në mure e zgavra në pullaz janë vetëm disa prej imazheve të kahershme.
Por ndryshe e mban në mend Zejnije Selmani, e vetmja punonjëse në bibliotekën e fshatit Runik, vendosur në objektin nja 200 metra prej Shtëpisë së Kulturës.
“Shtëpia e Kulturës ka shërbyer deri në vitet ‘90, derisa kanë ardhur masat e dhunshme. Ka qenë biblioteka, salla e amfiteatri. Janë shfaqur programe që janë dhënë për ditën e shkollës, kanë ardhur nga Skenderaj, prej shkollave të tjera kanë dhënë programe. Në vitet ‘90 masat e dhunshme e kanë mshelë, është demoluar edhe biblioteka që ka ekzistuar aty edhe është shkatërruar, salla e çdo gjë”, kishte kujtuar ajo në korrik. Aty do të merrte pjesë në programe e do të shikonte filma.
“Shumë ka qenë e zhvilluar jeta kulturore, edhe në shkollë ka pasur shumë aktivitete. Në përgjithësi jeta ka qenë shumë më e mirë se tani pas lufte”, kishte thënë Selmani, e cila edhe tre vjet pret të pensionohet.