Kulturë

Mësimi i historisë dhe kulturës së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian – mjet kundër diskriminimit

“Rëndësia e përfshirjes së historisë dhe kulturës së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë”, ka qenë temë diskutimi të enjten në Prizren, në përmbyllje të ekspozitës “Diagnoza racore: ‘magjup’ – gjenocidi nazist mbi sinti-romët dhe lufta e gjatë për njohje”
 

Përfshirja e historisë dhe kulturës së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian është e rëndësishme, jo vetëm për njohjen e tyre, por edhe për luftimin e diskriminimit, i cili ende është i pranishëm në Kosovë, është thënë në kuadër të përmbylljes së asaj që është quajtur ekspozita e Holokaustit me titullin “Diagnoza racore: ‘magjup’ – gjenocidi nazist mbi sinti-romët dhe lufta e gjatë për njohje”. Lidhur me domethënien e përfshirjes së historisë së këtyre komuniteteve të margjinalizuara kanë diskutuar Ilirjana Blakaj, antropologe nga “Stands for United States Holocaust Memorial”, Avdi Misini, gazetar në Radiotelevizionin e Kosovës dhe Urma Menekshe, mësuese e gjuhës rome, me ç’rast kanë vënë në pah edhe nevojën për luftimin e gjuhës së urrejtjes, por edhe të ndërgjegjësimit për një shoqëri të barabartë dhe gjithëpërfshirëse.

Urma Menekshe ka theksuar se mbajtja e mësimit fakultativ në katër shkolla të Prizrenit ka mundësuar që nxënësit e komunitetit rom të mësojnë për historinë, kulturën dhe traditën e komunitetit rom.