Më 2021 do të bëhej fitues i kategorisë “The Open Competition - Musica Contemporanea”. Sivjet është në garë, po ashtu, në këtë kategori. Por pos kësaj ngjashmërie, sikurse më 2021, korit “Siparantum” edhe sivjet i rrezikohet pjesëmarrja. Formacioni koral nga Peja kërkon mbështetje për t’u prezantuar dhe garuar në “World Choir Games”.
Në atë që njihet si Olimpiada e Koreve, “Siparantum” është në garë edhe në kategorinë “Mixed Choir” me veprat premierë të Mendi Mengjiqit e të Jan Van der Roost. Sivjet Kori mund të privohet nga pjesëmarrja e plotë e tij për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Kanë bërë thirrje publike për mbështetje. Këtë vit shënohet edicioni i 12-të i organizimit prestigjioz dhe mbahet në Korenë e Jugut prej 3 deri më 13 korrik. Kori i drejtuar nga dirigjenti e kompozitori Memli Kelmendi prezantohet me programin që përfshin vepra të kompozitorëve të periudhave të ndryshme stilistike. Me vepra të shkruara enkas për këtë formacion koral.
Kompozitori e dirigjenti Memli Kelmendi e ka vlerësuar Korin si shembull të suksesit dhe se periudhën e fundit ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në fushës e muzikës korale. Për të marrë pjesë në garë, paraprakisht duhet një fond i konsiderueshëm që duhet dorëzuar deri në një afat kohor. Sipas Kelmendit, Kori aktualisht po përballet me krizë financiare.
“Kori ‘Siparantum’ tashmë përfaqëson Kosovën në tërësi, duke reflektuar diversitetin kulturor dhe muzikor të vendit tonë. Megjithatë, aktualisht po përballemi me sfida financiare në përpjekjen tonë për të vazhduar këtë ëndërr dhe histori të suksesshme. Ne jemi në kërkim të fondeve dhe duhet t'i sigurojmë ato deri më datën 6 qershor 2023. Pjesëmarrja e korit ‘Siparantum’ në këtë konkurs është e rëndësishme jo vetëm për Korin, por edhe për imazhin e shtetit dhe promovimin e kulturës sonë”, ka thënë Kelmendi nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.
Ndonëse ka marrë mbështetje nga Komuna e Pejës, Ministria e Kulturës, Ambasada e Zvicrës në Kosovë e nga sektori privat, megjithatë shuma e fondeve është ende e pamjaftueshme. Me mjetet e deritanishme, Kori nuk do të mund të marrë pjesë as me gjysmën e anëtarëve të tij.
“Në mënyrë të zhgënjyer, duhet të informoj se, për shkak të mungesës së fondeve, ne do të jemi në gjendje të shkojmë në ‘World Choir Games’ me një numër më të kufizuar, duke përfshirë 27 persona nga 50 anëtarët e korit ‘Siparantum’. Megjithatë, edhe me këtë numër aktual nuk po mund të përmbushim nevojat financiare për pjesëmarrjen tonë. Nëse brenda 10 ditëve të ardhshme nuk arrijmë të sigurojmë mjetet financiare, rrezikohet pjesëmarrja jonë në këtë konkurs”, ka bërë të ditur Memli Kelmendi. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve për ta shkruar bashkë historinë.
“Kjo situatë nuk do të çojë vetëm në humbjen e korit ‘Siparantum’, por edhe në humbjen e përfaqësimit të shtetit dhe kulturës sonë në përgjithësi. Ne do të ishim shumë mirënjohës ndaj të gjithë atyre që kanë mundësi të na mbështesin në këtë moment të vështirë”, ka thënë më tej ai.
Kori “Siparantum” sivjet do të kthehej në “World Choir Games” për të dytën herë pas vitit 2021, që ishte mbajtur në Belgjikë. Me interpretimin e tyre kishin arritur ta vendosnin Kosovën në skenën botërore të koreve. Kishin triumfuar në kategorinë për muzikën bashkëkohore. Sivjet Kori synon të arrijë suksese më të mëdha sesa edicionin e kaluar. Olimpiada e Koreve nuk ishte mbajtur vitin e kaluar.
Mbi të gjitha, “Siparantum” synon që paralelisht të prezantojë kulturën dhe vendin në mënyrë sa më dinjitoze me talent, profesionalizëm e pasion. “Është rast i rëndësishëm dhe i shkëlqyeshëm për të treguar talentin, pasionin dhe profesionalizmin tonë në skenën ndërkombëtare të muzikës korale. Ky konkurs, i cili është një prej garave më të mëdha dhe prestigjioze të Korit në botë, paraqet një platformë të përsosur për të përfaqësuar vendin tonë, kulturën tonë dhe vlerat tona muzikore”, ka thënë Memli Kelmendi, kompozitor i shquar në vend, veprat e të cilit i ka prezantuar në skenën ndërkombëtare nën interpretimin e “Siparantumit”.
Sipas Kelmendit, “duke prezantuar vlerat tona unike, meloditë tradicionale dhe repertorin modern, me këtë ne i krijojmë një imazh pozitiv vendit tonë”. Ai ka njoftuar se planifikojnë të nisen për në Korenë e Jugut më datë 7 korrik dhe të qëndrojnë deri më 15 korrik.
Kori “Siparantum” i ka sjellë vendit tetë çmime ndërkombëtare gjithsej. Në fillim të vitit të kaluar në Festivalin Evropian të Muzikës për të rinj në Belgjikë në edicionin e 70-të mori Çmimin në kategorinë “F” dhe “G”, me çka kishte rrëmbyer dy nga tetë sa ishin gjithsej në kuadër të Festivalit. Kishin marrë pjesë gjithsej 50 kore nga vende të ndryshme të botës.
Pos garës për Kore të Përziera dhe të Muzikës Bashkëkohore, “World Choir Games” vë në garë koret e botës edhe në 26 kategori të tjera. Ndër to janë edhe Garat e Koreve të Fëmijëve, “Musica Sacra a cappella”, “Jazz”, Pop-koret, “Folklor a cappella”, Folklor me Shoqërim e Folklor Skenik.
Juria profesionale përfshin dirigjentë, performues e kompozitorë nga katër anët e botës. Soundarie David Rodrigo nga Shri Lanka, turkja Basak Dogan, Changeun Im, Domi Kim, Heechurt Kim, Ouk Sook e Kee Tae Kong nga Republika e Koresë, danezi Steen Lindholm, greku Dimitris Ktistakis, belgu Maarten Van Ingelgem e shumë të tjerë do të vlerësojnë performancat më të mira.
Nikoqir i ngjarjes këtë vit do të jetë qyteti Pyeongchang në Korenë e Jugut, saktësisht në vendin ku ishin mbajtur Lojërat Olimpike Dimërore më 2018 – në “Gangëon-do”. Në ueb faqen e tyre, hapësira është vlerësuar si vend i përsosur për fuqinë unifikuese të muzikës korale për t’u bërë simbol ndërkombëtar i paqes. Kjo, pasi aty kishin paraqitjen e përbashkët atletët e Koresë së Veriut dhe ata të Jugut e vetë ngjarja kishte hyrë në histori si “Lojërat e Paqes”.
“Qyteti pritës i Lojërave Botërore të Korit 2023, Gangneung, është i njohur për vendndodhjen mahnitëse buzë detit, përballë peizazheve fantastike malore. Parku Olimpik dhe Arena e Akullit ishin gjithashtu vende për Lojërat Olimpike Dimërore 2018 dhe ndodhen në qendër të qytetit. Një mundësi unike për të thithur ajër të vërtetë olimpik këtu gjatë Lojërave Botërore të Korit”, shkruhet në prezantimin e “World Choir Games”.
Në kuadër të organizimit është edhe performanca jashtë konkurrencës, gjithashtu përfshihet trajnim individual, koncerte miqësore, punëtori, derisa krejt ngjarja do të përmbyllet me interpretimin e korit të “Ëorld Choir Games”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.