Kulturë

Kitaristi Petrit Çeku i rikthehet Kosovës me dy koncerte të rralla

Kitaristi i njohur Petrit Çeku në agjendën e majit ka edhe Kosovën. Siç ka njoftuar festivali ndërkombëtar i muzikës “DAM Fest”, Çeku vjen për dy koncerte të rralla në Mitrovicë dhe në Prizren. “Ai do të interpretojë ‘Gjashtë suitat për violonçel’ nga kompozitori Johann Sebastian Bach, të transkriptuara për kitarë nga Valter Deshpali”, shkruhet në një postim të “DAM-it” në Facebook. Në Mitrovicë, koncerti do të mbahet të enjten e 18 majit në Muzeun e Qytetit, përderisa dy ditë më vonë në katedralen “Zonja Ndihmëtare” në Prizren. Maestro Çeku citohet të ketë thënë se kaherë e ka kapluar dëshira për ta ndarë me publikun këtë eksperiencë.

“Interpretimi i këtij cikli të Suitave të Bachut në tërësi përfaqëson një sfidë të veçantë për çdo instrumentist, por edhe një përjetim të jashtëzakonshëm për publikun. Ka kohë që më ka kapluar një dëshirë që ta ndaj këtë eksperiencë me publikun kosovar, prandaj jam shumë i gëzuar që, falë organizatorëve kulturorë që treguan gatishmëri që të më ndihmojnë me logjistikë, kjo ide do të realizohet”, citohet të ketë thënë Çeku. “Jam posaçërisht i kënaqur që koncertet do të jenë në Mitrovicë, ku po shkoj për herë të parë dhe në Prizren, vendlindjen time, ku paraqitjen e fundit e kam pasur para rreth 7 vjetësh”.

Ditë me parë, Çeku u shpall fitues i çmimit “Porin” në Kroaci në kategorinë “Interpretimi më i mirë klasik për interpretimin e ‘Ommagio a Marko Ruždjak, Op. 17’ nga Goran Listeš”, botuar nga “Croatia Records”.

Petrit Çeku interpretoi në Kosovë në janarin e sivjetmë, shoqëruar nga Filharmonia e Kosovës në koncertin simfonik në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Risi për publikun ishte premiera botërore e “Koncertit për kitarë” e kompozitorit Kreshnik Aliçkaj, e cila erdhi në interpretim mjeshtëror të Çekut, nën drejtimin e dirigjentit izraelito-gjerman Maayan Franco. Po aty u interpretuan edhe “Koncerti i Aranjuezit” nga Joaquín Rodrigo për të vazhduar me simfoninë e nëntë të Antonín Dvořák, “Nga Bota e Re”.