“Duje” e këngëtares nga Kosova, Albina Kelmendi me familje, do të dëgjohet edhe një herë sonte në skenën e madhe të “Eurovisionit” në Liverpool.
Më 13 maj zhvillohet finalja e shumëpritur e garës së këngës për ta pritur fundin e natës me fituesin.
Albina Kelmendi me familje përfaqëson Shqipërinë sivjet në “Eurovision” me këngë “Duje” e cila ka kaluar gjysmëfinalen të enjten në mesin e dhjetë këngëtarëve që u kualifikuan.
Të shtunën familja Kelmendi është e dhjeta në radhë nga gjithsej 26 këngët garuese.
Përveç shteteve pjesëmarrëse, finales do t’i bashkohen edhe shumë mysafirë specialë. Sam Ryder, Kalush Orchestra janë vetëm dy prej tyre.
Natën e parë të gjysmëfinales në skenën e “Eurovisionit” performoi këngëtarja me origjinë kosovare, Rita Ora.
Spektakli do të fillojë në orën 21:00 dhe pritet të zgjatë rreth 4 orë.