Baza e muzikës së tij është muzika rap, por nuk ndalet vetëm te rimat. Muzika e tij rrjedh dhe në këtë rrjedhë ai lyp ndryshimin teksa ikën prej shablloneve. Albumi “23” i Despotit, ka ardhur jo vetëm si projekt muzikor por edhe filmik. “Me numerologji i bie se numri 23 është inovacion, revolucion, dhe unë besoj se brenda këtij projekti ka shumë tendencë të ndryshimit dhe besoj se gjërat do të ndryshojnë, pasi jemi lodhur duke parë shabllone”, ka thënë Despoti
Nuk janë këngë të zakonshme ato që sjell Despoti. As në ekranin e “Kino Armatës” nuk është shfaqur ndonjë projekt filmik, e rëndomtë në këtë vend. Por jo larg prej një projekti filmik, ka qenë premiera e albumit “23” të artistit, këngëtarit e regjisorit Mit’hat Ramadani me emrin artistik Despoti. Pamjet vizuale kanë ngjarë në ato të filmave të zhanrit fanta-shkencë e mister dhe u kanë bërë shoqëri këngëve moderne me muzikë elektronike. Por baza gjëllin në hip-hop, pavarësisht ngjyrave të tjera.
Bisedat e të mbledhurve para hyrjes në “Kino Armata” të enjten mbrëma dëgjoheshin nga larg dhe vinin si paralajmërim për një ngjarje jo fort të zakontë. Atmosfera ka ngjarë në ato që organizonte “Manifesta 14”, e ku hapësira ishte një prej lokacioneve ku Bienalja Nomade Evropiane do të shpërfaqte verën e kaluar artin përgjatë 100 ditëve. Brenda sallës, në ekran ka qëndruar posteri i albumit me personazhet në pamje. Mbi gjysmë ore pas kohës së paralajmëruar për prezantimin e projektit, në skenë ka dalë tekstshkruesi e regjisori i projektit audio-vizual, Despoti për ta lajmëruar nisjen.
“Sot e kemi mundësinë ta shohim dhe ta dëgjojmë albumin ‘23’ që e kemi bërë për një periudhë gati pesëvjeçare”, ka thënë ai para publikut, prapa të cilit pamjet kanë projektuar posterin e albumit deri disa sekonda para nisjes së këngës së parë.
Albumi “23” në fillim duket si film i metrazhit të mesëm. Pa pauza mes tyre, janë vetëm rënie densiteti të muzikës në fund të këngës dhe ngritja në fillim të saj që bëjnë të ditur nisjen e asaj të radhës. Një super-soli me tupanë është intro e pjesë folklorike që sa shkon e deformohet në versionin elektronik, si për të shpalosur shtrembërimin e këngëve origjinale shqiptare. E tillë vjen edhe “Prishtina” e këngëtares Gili e deformuar në një version më të çrregullt para se të nis interpretimi i artistit Despoti.
Për muzikën ka bashkëpunuar me Genc Elezajn, proces që u ka marrë kohë rreth gjashtë muaj.
“Bashkë me Genc Elezaj e kemi regjistruar muzikën. Mandej albumi ka qëndruar një kohë të gjatë në studion time. Kam qenë duke e vizualizuar se si do të duket videoja. Ka marrë kohë një vit derisa e kam pasur të qartë se si do të duket derisa janë bërë veshjet, derisa kam mundur të projektoj e gjëra të tjera”, ka thënë Despot.
Këngët, të gjithat solo të kënduara prej tij, vijnë me rima në rrymën rap, por në version unik të Despotit jo të dëgjuar shpesh në skenën muzikore kosovare.
“Projekti ka rrjedhur ashtu siç unë i ndiej gjërat, që duhet të bëhen dhe faktikisht se si i vizualizoj gjërat në mendjen time. Nuk është se kam dëshirë të përcaktohem në një zhanër, faktikisht veç e lë të rrjedh atë që e ndiej dhe mundohem ta realizoj ashtu”, është shprehur Despoti. Ka thënë se i është dashur të sakrifikojë për të mbërritur deri në realizim, por që sipas tij ia ka vlejtur i gjithë angazhimi.
Art në secilën skenë të pamjeve shoqëron klipet e këngëve të albumit të parë të artistit. “Fantazi”, “HPPD”, “Fryma e malit”, “Radioaktivitet/Telepati”, “A je qut” dhe “Qiell” janë krejt pjesa përbërëse e tij. Kontrasti mes këngëve vë në pah ngrohtësinë nëpërmjet ngjyrave e interpretimit në tupan, e nganjëherë edhe zymtësinë nëpërmjet atmosferës që jepet në pamje. Një balerinë e veshur me të zeza shfaqet duke vallëzuar në rrugë pranë konvikteve të studentëve në Prishtinë. Në lojë ka qenë balerina Blerta Thanaj, e cila për herë të parë ka shpërfaqur artin e saj në një projekt vizual.
“Ka qenë prej video-projekteve që më kanë lënë mbresa të mëdha, qoftë si ekip, qoftë si proces i punës dhe kemi kaluar shumë mirë. Kemi xhiruar gjatë natës, nuk është se ka pasur shumë lëvizje. Kanë qenë kushtet pak ekstreme, ka qenë ftohtë, por besoj se ia kemi dalë mjaft mirë”, ka thënë ajo pas premierës së albumit “23”.
Emri i albumit nuk ka qenë krejt rastësi.
“Me numerologji i bie se numri 23 është inovacion, revolucion, dhe unë besoj se brenda këtij projekti ka shumë tendencë të ndryshimit dhe besoj se gjërat do të ndryshojnë pasi jemi lodhur duke parë shabllone, gjëra të njëjta”, ka thënë Despoti i cili më tej ka shprehur ambiciet për prezantimin e albumit edhe jashtë shtetit dhe depërtimin e tij si artist në këtë zhanër.
Despoti është artist, muzikant, producent e regjisor nga Prishtina i cili përmes krijimeve të tij eksperimentale përçon temat e përjetimeve të tij dhe ngjarje të cilat zhvillohen brenda shoqërisë. Pas shumë prodhimeve muzikore të realizuara në garazhin e tij, gjatë viteve të fundit ka zhvilluar universin e tij muzikor duke themeluar “Rrjedha” si label, ku pjesë e saj janë artistë lokalë nga të gjitha rrymat.
Rina Sadiku ka qenë asistente e regjisë dhe sipas saj, idetë për paraqitjen vizuale janë zhvilluar tërë kohën.
“Ka qenë jashtëzakonisht e vështirë sa u përket kushteve, sepse ka qenë shumë ftohtë dhe vendet që i kemi zgjedhur kanë qenë pak më të vështira për të punuar, po besoj që ka dalë ashtu siç e kemi menduar. Projekti në ekran të madh të jepte idenë se je aty me krejt karakteret. Definitivisht, është tjetër ndjenjë kur e sheh me një shfaqje të madhe”, është shprehur ajo.
Arbnora Ademi ka qenë pjesë e kastës së aktorëve prej ku veshja artistike e paraqitja e saj pasqyrojnë edhe elemente mistike. E ato vijnë shpesh edhe prej tingullit e pamjeve që kombinohen mjaft mirë me njëra-tjetrën. Për aktoren Ademi ka qenë hera e parë që e ka parë produktin final të krejt punës.
“Në disa momente kanë qenë si kushte ekstreme nëse mund të themi, por prapë ia kemi dalë pasi na ka mbajtur ngrohtë për të dalë një rezultat sa më i mirë. Jam ndarë e kënaqur me punën që e ka bërë dhe se si ka bashkëpunuar me ne. Nuk është se kemi pasur diçka të jashtëzakonshme si rol, unë personalisht si aktore mendoj se është diçka e bukur dhe ia vlen të shihet dhe të dëgjohet”, ka thënë Ademi, e cila në këtë projekt ka luajtur rolin e shenjtores.
Në projekt janë paraqitur edhe vetë artisti Despoti, Kosovare Krasniqi si simbolikë e inteligjencës artificiale, Albert Kurti si djali i rrugëve, e foshnja Helena Avdyli. Drejtor i fotografisë është Fis Halili.
Në kuadër të projektit vizualizohen edhe pamjet e trupit të shtrirë pranë lumit dhe i mbuluar me çarçaf të bardhë teksa e valëvisin valët e lumit. Ato zhvendosen edhe në ballkonin e katit më të lartë të “Hotel Grand”, atje ku balerina Blerta Thanaj shpërfaq akrobacionet derisa bie borë.
Publiku ka brohoritur e përgëzuar tekstshkruesin, producentin e regjisorin e projektit Mit’hat Ramadani me emrin artistik, Despoti.
Genti Behramaj e ka vlerësuar si artistik e shumë interesant. “Në fakt nuk jam mësuar të shoh një kombinim të tillë të videos dhe muzikës. Më pëlqeu shumë se si e kanë ndërlidhur, pasi në Kosovë nuk kanë shumë kuptim me këngën. Kjo ishte shumë e ndërlidhur dhe më pëlqeu që ka dalë jashtë normës së artistave në Kosovë”, ka thënë ai.
Në maj të vitit të kaluar, artisti kishte publikuar projektin e tij “Cluster and Whispers” si seri me tri këngë të cilave u ishin bashkëngjitur edhe klipet. Në vazhdim ka paralajmëruar publikimin e projekteve të tjera në të cilat është duke punuar.