Ende pa nisur xhirimet, “Pilivesa” ka një episod “prapaskenash”. Projekti filmik mori përkrahjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës, kaloi nëpër verifikim, u mbështet me 166 mijë e 770 euro. Pas gjashtë ditësh u anulua vendimi. Institucionet e shtetit e filtruan edhe një herë, e shkak u bë një kriter që e ndëshkon regjisorin Dren Zherka. Emri i tij figuroi në një tjetër projekt për të cilin u tërhoq producenti. Regjisori Zherka për rastin e “Pilivesës” thotë se nuk ka tjetër rrugë pos gjykatës, sepse me këtë lexim të kriterit ai s’do të mund të marrë kurrë mbështetje prej shtetit
Ekipi që synon realizmin e projektit kinematografik “Pilivesa” ka pritur që në pranverë të nisë xhirimet. Në konkursin e vitit të kaluar kishte aplikuar për subvencionim nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Aplikacioni kishte kaluar nëpër verifikim dhe midis 51 projekteve të tjera i kishte plotësuar kushtet për t’u vlerësuar. Iu nënshtrua vlerësimit dhe doli të jetë një prej pesë projekteve që do të subvencionoheshin.
Qendra Kinematografike më 8 dhjetor të vitit të kaluar ka njoftuar se projekti për film të gjatë artistik “Pilivesa” me producent Alban Zogianin, nën regji e me skenar të Dren Zherkës, ishte midis atyre që ishin vlerësuar për t’u përkrahur. Ekipi më 30 dhjetor do të pranonte vendimin se “Pilivesa” është mbështetur me 166 mijë e 770 euro. Por gjashtë ditë më vonë, gjërat kishin ndryshuar.
Këshilli Drejtues i QKK-së do të vendoste që të anulohej vendimi për përkrahjen e këtij projekti. Përderisa QKK-ja bashkë me Ministrinë e Kulturës kanë nxjerrë vendime të njëjta, ekipi në emër të pretendimit se i është bërë e padrejtë synon që çështja të zgjidhet në gjykatë.
Sipas vendimeve të nxjerra nga QKK-ja, në bazë të kritereve të vëna në konkurs, regjisori që është pjesë e një projekti kinematografik të mëhershëm dhe për të cilin nuk kanë përfunduar xhirimet nuk mund të përfshihet në një tjetër projekt që synon përkrahjen e institucionit.
Dren Zherka si regjisor ishte pjesë e ekipit të projektit “Hotline”, që më 2019 u përkrah nga QKK-ja. Filmi nuk ishte realizuar. As që kishin nisur xhirimet. Në korrik të vitit të kaluar, producenti i atij projekti, Bujar Kabashi, i ishte drejtuar me një shkresë QKK-së ku kishe vënë në dijeni institucionin se “për shkak të ndryshimeve kadrovike dhe strategjike në kompaninë ‘Mobius’, si dhe të dështimit tonë të sigurojmë fonde shtesë sipas planit paraprak, jemi të detyruar të tërhiqemi nga prodhimi i këtij projekti”, kishte shkruar Kabashi.
Producenti Bujar Kabashi ka thënë se e ka njoftuar QKK-në se projekti nuk mund të ecë përpara dhe i është kërkuar që ta bëjë një shkresë nëpërmjet së cilës i tregon arsyet se përse “Hotline” nuk mund të realizohet.
“Unë e kam bërë atë shkresë ku sqarohet se anulohet projekti. Nuk kemi marrë asnjë pjesë të mjeteve për realizimin e projektit dhe projekti është anuluar”, ka thënë Kabashi. Ka thënë se vendimi i tij ka qenë që të mos realizohet projekti dhe se regjisori nuk ka të bëjë me këtë punë.
“Regjisori nuk mund të marrë vendim për asgjë, pasi regjisori është punëtor i producentit. Përgjegjësinë e merr producenti për çdo gjë. Madje producenti ka të drejtë ta ndërrojë regjisorin edhe pse ka marrë përkrahje nga QKK-ja me një ekip të caktuar”, ka thënë Kabashi.
Por më 5 janar Këshilli Drejtues i QKK-së ka marrë vendim për anulimin e vendimit me të cilin përkrahej projekti filmik “Pilivesa”.
“Vendimi për subvencionimin e projektit filmik anulohet për arsye të kriterit të konkursit të projekteve filmike të metrazhit të gjatë: ’Regjisorët të cilët nuk e kanë përfunduar fazën e xhirimit të filmit të përkrahur më parë nga QKK nuk kanë të drejtë pjesëmarrjeje në cilësinë e regjisorit’. Pra, regjisori i projektit filmik Dren Zherka ka qenë regjisor i projektit filmik ‘Hotline’, i përkrahur nga QKK dhe nuk është xhiruar”, shkruhet në vendim. Po në këtë dokument, vetë Këshilli i QKK-së hedh dyshime nëse ky kriter vlen për këtë rast.
“Përkundër që bazuar në memorien institucionale të QKK-së kriteri në fjalë nuk është menduar për rastet e tilla të projekteve, megjithatë ky kriter nuk është mjaftueshëm specifik që në rastin e projektit ‘Pilivesa’ të bëhet përjashtim nga ndalesa që përcaktohet nga ky kriter”, shkruhet në vendimi e nënshkruar nga kryesuesja e Këshillit, aktorja Xhejlane Terbunja.
KOHA gjatë ditës së hënë ka provuar të komunikojë me Terbunjen, por ajo nuk është lajmëruar në thirrjet telefonike e as në porosi elektronike.
Pas këtij vendimi, producenti Alban Zogjani është ankuar në Ministrinë e Kulturës. Në ankesë ka sqaruar krejt situatën se si producenti i “Hotline” ka hequr dorë nga realizmi i filmit. Po ashtu, është cekur se për “Pilivesën” janë konsultuar me QKK-në dhe kanë kaluar filtrat e verifikimit para se projekti t’i nënshtrohej vlerësimit. Por Komisioni ad hoc këtë ankesë e ka refuzuar si të pabazuar. Arsyetim në këtë vendim është bërë i njëjti arsyetim që ka përdorur Këshilli Drejtues i QKK-së. Në vendim nuk përmendet në asnjë rast se projekti “Hotline” është anuluar nëpërmjet shkresës së producentit.
Regjisori e skenaristi Dren Zherka ka thënë se rasti i anulimit të vendimit nga QKK-ja për skenarin e tij është “një interpretim plotësisht i gabuar dhe skandaloz i një kriteri”, pasi projekti paraprak është anuluar nga producenti.
“Unë nuk kam mundësi dhe as obligime për të kryer xhirime. Po ashtu ky interpretim absurd i kriterit të lartpërmendur, faktikisht ma ndalon mua përgjithmonë të aplikoj si regjisor ndonjëherë në konkurset e ardhshme të QKK-së pasi gjithmonë do të vlente i njëjti kriter nëse do të interpretohej në këtë mënyrë jologjike”, ka thënë Zherka. Sipas tij, me gjithë prezantimin e fakteve e situatës faktike me projektin paraprak dhe absurditetin e interpretimit të tillë të kriterit, Këshilli Drejtues i QKK-së dhe Komisioni i MKRS-së as nuk kanë marrë mundin të shpjegojnë apo arsyetojnë vendimin “dhe diskriminimin ndaj meje e anomalinë juridike që rrjedh prej tij”. Por Zherka thotë se nuk do të ndalet me kaq.
“Kështu që nuk më mbetet rrugë tjetër veçse të ndjek rrugët ligjore duke kontestuar këtë vendim në gjykatë”, ka thënë ai.
Vitin e kaluar Qendra Kinematografike e Kosovës e ka vazhduar trendin e rritjes së projekteve filmike të cilat i mbështet me subvencione. Përderisa në vitin 2021 janë përkrahur 22 projekte kinematografike, për vitin 2022 numri ka shkuar në 26. Institucioni më i lartë kinematografik i shtetit e ka mbajtur ritmin në përkrahjen e filmave të metrazhit të gjatë artistik. Sikurse më 2021, edhe më 2022 janë përkrahur nga pesë projekte. Për vitin 2022, buxheti i QKK-së për subvencione ka qenë 1.5 milionë euro. Po aq janë ndarë edhe sivjet.