Kulturë

Ministria mburret, punonjësit e kulturës në mjegull për paga

Deri në dyfishim të pagës parashihet me Ligjin për Pagat, por te punonjësit në fushën e kulturës kjo është e qartë vetëm te udhëheqësit. Pavarësisht kësaj, institucionet e edhe vetë Ministria e Kulturës ende nuk e kanë të qartë se çdo do të ndodhë. Janë duke negociuar ende për rangimin që do të bëhet. Pakënaqësitë janë shfaqur në disa institucione, duke filluar nga Teatri Kombëtar i Kosovës. Prej tyre ka aso që konsiderojnë se MKRS-ja është duke i luftuar institucionet e saj vartëse

Pothuajse asnjë institucion kulturor nuk e ka të qartë se cilat do të jenë pagat e punonjësve, pos atyre të drejtorëve dhe udhëheqësve artistikë. Ligji për Pagat në sektorin publik përcakton emërtimet e pozitave në terma të përgjithshëm dhe koeficientët. Por punonjësit profesionalë dhe ata teknikë të institucioneve kulturore ende nuk e dinë saktë se si do të kategorizohen pozitat e tyre krahas koeficientëve, përderisa vlera e koeficientit është 105 euro. Prej tyre ka asi që konsiderojnë se Ministria e Kulturës është duke i luftuar institucionet e saj vartëse. Ka paqartësi në mesin e komunitetit artistik, ani pse çështja e pagave me ligj të ri nuk është përfundimtare.

Ministria e Kulturës ka bërë një publikim të shifrave në rrjete sociale ku tregohet për rritjet e pagave vetëm në disa kategori. Sqarohet se drejtorët e institucioneve qendrore të kulturës dhe trashëgimisë kulturore nga 605 euro bruto do të kenë pagë prej 1365 eurosh. Drejtorët e qendrave rajonale të trashëgimisë kulturore prej 484 euro do të kenë rritje në 945 euro. Kuratori i Galerisë prej 637 në 1155 euro e profesionistët e trashëgimisë kulturore prej 637 në 840 euro. Sipas publikimit të MKRS-së, instrumentistët e parë në Filharmoni prej 675 euro do të marrin pagë 892 euro. Aktorët prej 720 në 840 euro, balerinët prej 675 në 892 euro e valltarët e “Shotës” prej 521 në 840 euro.

Por këto paga të proklamuara janë veç për kategoritë e para të punonjësve, pasi profesionistët e artit dhe të kulturës ndahen në disa kategori. Pavarësisht kësaj, institucionet e edhe vetë MKRS-ja ende nuk e kanë të qartë se çdo do të ndodhë. Janë duke negociuar ende për rangimin që do të bëhet.

Pakënaqësitë janë shfaqur në disa institucione, duke filluar nga Teatri Kombëtar i Kosovës. Shoqata Sindikale e këtij institucioni kishte kërkuar që kategoria e “Aktorëve të parë” të ketë koeficient 11, që i bie të marrë pagë bruto prej 1155 eurosh. Për kategorinë e dytë të aktorëve është kërkuar koeficient 9 e për të tretën koeficienti 8.5. Por aktualisht, sipas MKRS-së, “Të parët e teatrit” do të kenë koeficient 8. Në kërkesën e Shoqatës Sindikale, të dërguar ende pa u aprovuar Ligji renditen edhe koeficientët e propozuar për pozitën e dramaturgut, mjeshtrit të dritave, organizatorit e deri te punëtorët tekniko-artistikë.

Veseli: Luftë e pastër ndaj Teatrit Kombëtar

Sipas kryetarit të Shoqatës Sindikale të TKK-së, aktorit Shkëlzen Veseli, asnjë praktikë në shtetet e rajonit nuk e diskriminon Teatrin Kombëtar siç ka bërë Ministria e Kulturës. Sipas Veselit, me të gjitha kriteret e përcaktuara me Rregulloren aktuale për gradat dhe pagat, por edhe me vetë Ligjin e Pagave, Teatri Kombëtar është barazuar e në disa raste edhe i nënvlerësuar krahasuar me institucione gjysmamatore.

“As kualifikimet, as përgatitjet, as shkollimin, as volumin e punës nuk e kanë as për së afërmi me TKK-në. Po flasim për institucionin që prodhon 10 premiera në të dy skenat, rreth 150 repriza, ku po t’i mbledhim bashkë krejt institucionet e tjera qendrore dhe lokale të kulturës nuk kanë aktivitete të gjitha bashkë sa ka TKK-ja”, ka thënë Veseli. Sipas tij, kategorizimi aktual i Komisionit të MKRS-së për punëtorët e TKK-së përveçse është skandaloz edhe i bën të besojnë se, ndër të tjera, “është edhe sulm ndaj Teatrit Kombëtar të Kosovës”.

“Kjo vjen edhe në vazhdën e lënies së institucionit pa drejtor gjeneral për tre vjet, pa udhëheqës artistik që nga viti 2019, mbylljes se objektit pa asnjë plan, ku edhe sot s’ka filluar asnjë hap për renovim, duke improvizuar objekte që nuk i plotësojnë as kushtet minimale për punë, shkurtime buxhetore... Pra, është një luftë e pastër ndaj TKK-së”, ka thënë Veseli. Sipas tij, janë në komunikim të vazhdueshëm me MKRS-së dhe janë duke pritur që të përmirësohet degradimi që i është bërë TKK-së.

Filharmonia midis hapit pozitiv dhe çakordimit

Telashe me kategorizim kanë edhe në Filharmoninë e Kosovës. Drejtori i këtij institucioni, Baki Jashari, ka thënë se pavarësisht se si do të vendosen punonjësit e Filharmonisë, pozicioni prej koeficientit më të ulët 4.5 deri në 13 është një hap shumë pozitiv dhe i mirëpritur, pasi vazhdimisht kultura ka qenë e anashkaluar në aspektin financiar.

“Shihet që është bërë një ngrirje e përgjithshme e pagave të të gjithë punonjësve të kulturës. Problemi është si do të vendosen punonjësit e kulturës në këto kategori. Ende nuk është asgjë finale. Na shqetëson se përkundër propozimeve të Filharmonisë kuptova që bazamenti është Rregullorja aktuale e pagave. Shqetësimet janë pikërisht te Rregullorja e cila prej vitit 2011 nuk ka pësuar ndryshime. Ndryshimi i vetëm ishte rritja 50 për qind në vitin 2018”, ka thënë Jashari. Kërkesë e vazhdueshme e tij ka qenë që punonjësit e Filharmonisë të ndahen në 17 kategori. Ka thënë se ashtu funksionon modeli evropian i institucioneve si Filharmoni.

“Por institucioni është dëmtuar pasi janë bërë tri kategori e pastaj me disa nënkategori të bëhet ndonjë dallim”, ka thënë Jashari. Sipas tij, ende nuk është asgjë e qartë se çfarë do të ndodhë dhe me rangimin në koeficiente. Kërkesat e synimet janë që shumica e anëtarëve të Filharmonisë të pozicionohen te koeficienti 9.

Teatrot e qyteteve në pritje të “pagës së parë”

Telash më vete është rangimi i punonjësve të teatrove të qyteteve. Ata përballen edhe me paqartësitë më të mëdha. Erson Zymberi, drejtor i Teatrit të Gjilanit, ka thënë se kanë kërkuar nga Njësia e Personelit në Komunën e Gjilanit të bëjë kategorizimin e stafit sipas Shtojcës së 12-të të Ligjit për Paga. I bie që të kategorizohen sikurse punonjësit e institucioneve qendrore të kulturës.

“E njëjta na ka informuar që nga grupi punues i kësaj njësie nuk është kërkuar të bëjë kategorizim, por vetëm identifikim të pozitave ekzistuese dhe kjo pritet të behet nga Departamenti për menaxhimin e burimeve njerëzore në kuadër të MPB-së”, ka thënë Zymberi. Sipas një zyrtari që kishte bërë punë kryesore në propozimet e MKRS-së për Ligjin e Pagave, teatrot e qyteteve janë të përfshirë në këtë shtojcë sikurse edhe institucionet tjera lokale të kulturës.

“Dallime në paga nuk do të ketë sa u përket aktorëve midis Teatrit Kombëtar dhe atyre të teatrove të qyteteve. Dallim do të ketë te niveli drejtues i këtyre institucioneve”, ka thënë ky burim.

Asgjë nuk ka të qartë as stafi i teatrit “Adriana” në Ferizaj.

“Asgjë nuk jemi informuar, nuk jemi konsultuar, po e presim pagën e parë për ta kuptuar se në fakt çka ka ndodhur. Në shumë teatro pritet të ketë reagime të përbashkëta, sidomos stafi teknik, por edhe aktorët e udhëheqësit e teatrove, veçanërisht për dallimin e madh midis Teatrit Kombëtar dhe teatrove te qyteteve”, ka thënë udhëheqësi artistik i teatrit “Adriana”, Besim Ugzmajli.

Rritja paushall e vitit 2019

Për herë të fundit pagat e krijuesve, performuesve dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore ishin rritur në nëntor të vitit 2019. Në shtatorin e atij viti fillimisht kishin hyrë në grevë aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës e më pas atyre u ishin bashkuar edhe punonjësit e institucioneve të tjera. Pas negociatave, ministri i Kulturës në atë kohë, Kujtim Gashi, ishte marrë vesh me përfaqësuesit e punonjësve që pagat të rriteshin deri në 50 për qind. Rritja ishte bërë pa ndonjë planifikim dhe ishte sakrifikuar buxheti i disa projekteve kapitale e ai vjetor i institucioneve. Për vitin pasues, pagat ishin paraparë me rritje në Ligjin mbi ndarjet buxhetore.

Më 1 nëntor të atij viti 228 punonjës kishin marrë pagat me rritje. Dy konferenca për media e një ndejë në një hotel luksoz në periferi të Prishtinës ishin organizuar për këtë vendim. Pavarësisht kësaj, rritja në shumë raste nuk është bërë për 50 për qind, ashtu siç kishte premtuar ministri i asokohshëm i Kulturës, Kujtim Gashi. E shumë punonjës të kulturës kishin bërë fushatë në rrjete sociale duke e quajtur Gashin “ministër që mban fjalën”.