Ka marrë pjesë në projekte të shumta filmike e teatrore si para kamerave e prapa tyre. Megjithatë filmi “Shok” mbetet suksesi më i madh i Eshref Durmishit, jo veç për nominimin për “Oscar”, por edhe për faktin se aty zë vend edhe një pjesë e jetës së tij. Në listën e projekteve të tij filmike ka paralajmëruar se do të renditen edhe dy filma të rinj, të cilët janë në proces të realizimit
Kur flet për karrierën e tij artistike, aktori Eshref Durmishi ngërthen edhe historitë e tij e të të tjerëve në skenë. Ka marrë pjesë në projekte të shumta filmike e teatrore si para kamerave e prapa tyre. Megjithatë filmi “Shok” mbetet suksesi më i madh, jo veç për nominimin për “Oscar”, por edhe për faktin se aty zë vend edhe një pjesë e jetës së tij. Në listën e projekteve të tij filmike ka paralajmëruar se do të renditen edhe dy filma të rinj, të cilët janë në proces të realizimit.
I ishte dashur të largohej nga vendi për shkak të rrethanave të luftës dhe me t’u kthyer në Kosovë vendosi ta ndiqte karrierën në aktrim. Me të gjetur kryeqytetin të lirë, i ishte dukur se nuk po ngopej duke shëtitur nëpër rrugët e Prishtinës pa frikën e policisë serbe. Ndonëse shkollimi i mesëm nuk përkonte aspak me atë që bën sot, ishte viti 2004 kur vendosi të aplikonte për aktrim në Universitetin e Prishtinës. E kishte dashur gjithmonë dhe dashuria e tij për skenën reflekton edhe sot. Dëshmi për këtë është angazhimi i tij në projekte filmike e teatrore si aktor e producent.
Në emisionin “Pro X” të KTV-së ka paralajmëruar dy projekte të reja kinematografike. Një film grek në bashkëprodhim me Kosovën e Italinë është xhiruar dhe është në procesin pasues.
“Xhirimet kanë përfunduar, momentalisht është duke u bërë montazhi në Itali dhe pastaj do të vijë në Kosovë të bëhet montazhi i zërit, miksi e këto gjëra të tjera. Aty luan Ilire Vinca nga Kosova, jam shumë i lumtur që luan një aktore kosovare. Ajo e luan greken në këtë rast”, ka treguar Durmishi.
Ndryshe nga ky film, tjetri në të cilin është duke punuar është prodhim kosovar, në të cilin ai është producent kryesor. Derisa ka folur për projektin, ka treguar se është vlerësuar si më i miri nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
Në regji do të jetë Visar Morina, i cili edhe ka shkruar skenarin në bashkëpunim me Doruntina Bashën.
“Kemi marrë fond në Kosovë e në Gjermani, po presim edhe nga disa vende të tjera për ta kompletuar filmin dhe po shpresoj se këtë vit do të nisin xhirimet që do të realizohen në Kosovë me gjithë aktorët shqiptarë të Kosovës, kjo është më e reja momentale”, është shprehur Durmishi.
Formësimi i tij si aktor nuk kishte qenë krejt si rrjedhojë e përgatitjes universitare, pasi që atë kohë kishte nisur të zgjidhej si aktor në audicione të ndryshme. Rrugëtimin e tij e kishte pasuruar edhe përvoja që kishte përvetësuar nga regjisori i ndjerë i teatrit, Bekim Lumi.
“Kur e kam përfunduar vitin e dytë, regjisori Bekim Lumi ka bërë shfaqjen ‘Galani’, ku luajnë Astrit Kabashi, Fatmir Spahiu dhe unë. Të gjithë, përfshirë edhe Faruk Begollin, kanë thënë se si më vendosin në një rol kaq të rëndësishëm, ishin role kryesore të gjitha. Por Bekimi ka parë diçka në provimet dhe potencialin që mund ta realizoj atë rol dhe për mua është një prej shfaqjeve që më së shumti kam mësuar si student”, është shprehur aktori Eshref Durmishi, duke thënë se mësimet e Bekim Lumit kanë qenë sa tre vjet studime themelore universitare.
Sukses i veçantë për Durmishin kishte qenë filmi “Shok” si për tematikën dhe depërtimin e tij. Kishte qenë i pari bashkëprodhim kosovar që, jo vetëm ishte futur në nominimet për “Oscar”, por edhe kishte qenë në mesin e filmave që llogaritej si favorit për çmimin prestigjioz në kategorinë për filmin më të mirë të shkurtër. Me regji e skenar të britanikut Jamie Donoughue, filmi ishte i bazuar në ngjarje të vërtetë të luftës në Kosovë. Premierën e pati në prill të 2015-s në festivalin “Aspen Shortsfest” në Kolorado të SHBA-së, ku kishte fituar çmimet për “Dramën më të Mirë”, “Njohja Speciale e Publikut” dhe “Çmimin e Jurisë së Re”.
Ideja për realizimin e filmit “Shok” kishte qenë rezultat i shumë historive dhe përjetime personale nga lufta që regjisori i filmit, Jamie Donoughue, dhe bashkëproducenti Harvey Ascott kishin dëgjuar gjatë qëndrimit në Kosovë kur ishin ftuar nga Durmishi. Ky i fundit madje i kishte dërguar në Prekaz për të parë gjithçka nga afër. Aty kishin lindur shkëndijat e projektimit vizual, që do të rrugëtonin në ekranet e kinemave botërore. Një film i regjisorit shqiptar Spartak Pecani kishte qenë arsyeja e takimit. “U kam treguar shumë histori gjatë luftës, histori personale që më kanë ndodhur dhe pas një kohe vjen dhe më thotë se e ka shkruar skenarin nëpërmjet storieve që i kam treguar unë e njerëz të tjerë. Vendosëm të aplikojmë në QKK, fituam dhe vendosëm ta bëjmë filmin. E bëmë audicionin dhe e zgjodhëm Andin dhe Lumin të luajnë në rolet kryesore. Për mua nuk ka pasur rol aty dhe Jamie më tha: ‘E kam një rol për ty, rolin e Draganit’”, ka treguar Durmishi.
Roli i Draganit nuk e kishte bërë atë vetëm pjesë të kastës së aktorëve. Me të kishte hedhur një pjesë të përjetimeve të trishta duke luajtur policin serb, Draganin, që kishte ushtruar dhunë ndaj tij derisa po udhëtonte drejt Gjakovës, ku po kryente stomatologjinë në shkollën e mesme. Kishte qenë veç 14 vjeç kur e kishte rrahur, pasi kishte kuptuar se ai shkon në shkollë dhe nuk di serbisht. “Aty më ka rrahur, ka thënë: ti shkon në shkollë dhe nuk di të flasësh serbisht, herën tjetër kur të shoh jo që do të flasësh, por edhe të këndosh serbisht”, ka treguar Durmishi.
Historia e cila luhet në filmin “Shok” e paraqet skenën ku Dragani e rrah Lumin në film. “Kjo është historia ime që është futur në filmin ‘Shok’, ku unë e luaj Draganin dhe e rrah Lumin. Kjo është pjesa e filmit që është pjesë e bazuar në jetën time reale. Ka qenë sfiduese, por pastaj thashë se askush nuk ka qenë më afër me Draganin dhe askush nuk di si jam ndier dhe sa fuqi ka pasur Dragani në atë moment te një fëmijë i pambrojtur dhe i pafuqishëm”, është shprehur aktori.
Në “Pro X” të KTV-së ka folur edhe për shfaqjet teatrore, të cilat shpesh e kanë kthyer podiumin e skenës në shpalosje historish. “Muret e Padukshme” është njëra nga to, e cila flet për izolimin e Kosovës para luftës, gjatë luftës e pas luftës. Sipas tij, “shfaqja do duhej të vazhdonte të jepej pasi ende jemi shteti më i izoluar në Evropë”. Edhe shfaqja “Refuge” e vitit 2019, prodhim i teatrit “Oda”, kishte qenë e tillë, pasi barte historinë e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë shfaqje ka luajtur gjashtë role të ndryshme. “Ka pasur publik shumë të madhe dhe u përhap shumë fjala për këtë shfaqje. Ajo që më ka prekur më së shumti është se pas disa shfaqjeve, filluan të vijnë shumë njerëz që e kanë përjetuar Holokaustin. Ajo ka qenë vërtet emocionuese, pasi pas shfaqjes na kanë përqafuar me lot në sy, na kanë thënë faleminderit që e keni sjellë këtë shfaqje, pasi shumë njerëz nuk e dinë që shqiptarët e kanë bërë atë gjest aq bujar”, është shprehur Durmishi.