Kulturë

Akademik Skënder Gjinushi: Kundër standardit gjuhësor janë individët më mediokër

Të hënën kur akademik Gjinushi ka lënë të nënkuptohet se pasurimi i gjuhës nuk është fort urgjencë, institucioni që ai udhëheq është bërë edhe me tre anëtarë të rinj. Adem Bunguri, Anila Hoda, e Valter Memisha kanë marrë titullin akademik të hënën. Kësisoj numri i anëtarëve të rregullt të institucionit ka shkuar në 49
 

“Siç edhe pritej, si bartës e propagandues të linjës kundër standardit dhe të antiakademizmit u evidentuan vetëm disa individë, ndër më mediokrit në specialitetin e tyre”, ka thënë Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Sipas Gjinushit, me këtë rast, Akademia e Shkencave dhe institucionet kryesore në Shqipëri, Kosovë e Arbëri përcaktuan dhe një herë qartë e publikisht qëndrimin ndaj gjuhës standarde

Kryetari i Akademisë së Shkencave në Shqipëri, Skënder Gjinushi, të hënën ka paraqitur punën e institucionit që udhëheq, duke përmbledhur krejt aktivitetit e vitit të kaluar, midis tyre edhe konferencat e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit.

Sipas Gjinushit, konferencat me rastin e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit patën një rol të dyfishtë. Sipas tij, krahas rikonfirmimit të rëndësisë e vlerave që pati dhe ka vendosja e gjuhës standarde si gjuha zyrtare, si gjuhë e komunikimit ndërshqiptar, e administratës dhe e shkollave publike, më 1972 u evidentua fakti se ajo është produkt i një pune shkencore ndër vite e jo i një gjuhe të parapërgatitur e të imponuar politikisht.