Kulturë

Bendi arbëresh “Shega” me plane për turne në Evropë, Kosovë e Shqipëri

Këngët “Një” dhe “Mos më thuaj jo” të grupit arbëresh “Shega” prej ditës së 10-të të shkurtit do të jenë pjesë e platformave “Spotify”, “Itunes” e “Amazon Music”
 

Bendi muzikor arbëresh “Shega” nga Sicilia e Italisë kultivon këngën në gjuhën shqipe me qëllim të ruajtjes së saj. Muzika autentike e tyre tejkalon me emocion çdo pengesë gjuhësore. “Pas publikimit të këngëve mendojmë të organizojmë turne në gjithë Evropën. Kemi disa rezervime për në Zvicër në qershor dhe shpresojmë që në verë të vijmë edhe në Shqipëri e Kosovë për të koncertuar, pasi na pëlqen të regjistrojmë e të shkruajmë këngë...”, ka thënë vokalisti Giorgio Fusco

Ani pse kanë kaluar më shumë se gjashtë shekuj prej kur mijëra arbëresh ishin zhvendosur në jug të Italisë, shumë prej tyre E përcjellin edhe sot traditën e të parëve. Zakonet, veshja, ritet, arti e gastronomia përbëjnë elemente të kulturës shqiptare. Por më thelbësore është gjuha që flasin. Atë edhe synon pop/folk grupi “Shega” nga Sicilia, muzika autentike e të cilit e tejkalon me emocion çdo pengesë gjuhësore. Inspirim është përditshmëria e jetës atje nëpërmjet së cilës grupi prej pesë anëtarësh hedhin dritë mbi kulturën minore në Itali, por kuptimplotë për ta e historinë. Gati dhjetë vjet më parë, njëri nga anëtarët e tanishëm të grupit “Shega”, Giorgio Fusco, filloi të hedhë fjalët shqipe në partiturat e këngëve që do të interpretoheshin nga bendi. Pos si autor, është vokalisti kryesor i grupit.

Këngët kanë çdoherë elemente reale të jetës së tij. Në vargje i vë ato që i jeton. Të tilla janë dy këngët e fundit të tyre: “Një” dhe “Mos më thuaj jo”. Me të parën u paraqitën në Festivalin e Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, ndërsa me “Mos më thuaj jo” fituan edicionin e 40-të të Festivalit të Këngës Arbëreshe në San Demetrio të Kalabrisë. Ato janë dy këngë dashurie por të ndryshme në esencë: në njërën këndohet për gjetjen e dashurisë e në tjetrën për atë të humbur. Ato do të publikohen në platforma online të muzikës më 10 shkurt e më pas do të prezantojnë këngën shqipe në shtete të tjera evropiane. “Pas publikimit të këngëve mendojmë të organizojmë turne në gjithë Evropën. Kemi disa rezervime për në Zvicër në qershor dhe shpresojmë që në verë të vijmë edhe në Shqipëri e Kosovë për të koncertuar, pasi na pëlqen të regjistrojmë e të shkruajmë këngë, por na pëlqen më së shumti t’ua tregojmë njerëzve, të pranojmë dashuri nga ta”, është shprehur anëtari i grupit “Shega”, Giorgio Fusco. Sipas tij, këto dy këngë në ditën e 10 të këtij muaji do të jenë të qasshme edhe në plarformat si “Spotify”, “Itunes” e “Amazon Music”.