Kulturë

Art Lokaj dhe “Killin’ Quintet” bashkohen në “Use You”

Descriptive Text

Tradita është që mbrëmjet e së shtunës të mbledhin familjarë e miq. Kryeqyteti vazhdon ta dëshmojë ruajtjen e daljeve në të shtuna.

Lokalet e ndryshme pikërisht në këtë ditë të fundjavës mbushen me artistë, e atmosfera dallon varësisht nga muzika që bëhet e nga të pranishmit që janë aty.

E shtuna e parë e shkurtit në “Dit’ e Nat’” ka nisur ndryshe. Art Lokaj, shoqëruar nga instrumentistët, qe kryefjala e mbrëmjes. “Use You”, albumi i tij i parë, ishte ai që e futi publikun në një rrugëtim muzikor me ngjyra e tema të ndryshme. Thelbi i tij është dashuria, dhe atmosferë të tillë edhe krijoi krejt performanca.

Projekti i zhanrit “R&B Soul” në “Dit’ e Nat’” dëshmoi se puna e 2019-s e Lokajt po vazhdon të mbahet në mend. Madje edhe të rekrutojë adhurues të rinj. Ani pse kanë kaluar pothuajse 4 vjet nga lansimi, melodia dhe teksti i të gjithë albumit tingëllojnë si diçka e re.

Kur instrumentet u vunë në qendër, entuziazmi i paraqitjes kaploi të gjithë. Përderisa tingulli i tupanëve të Nesim Maxhunit dëgjohej fuqishëm, loja e Ilir Bajrit në tastierë e zbuste situatën duke i dhënë një finesë të veçantë. “Përplasja” mes kitarës së Art Lokaj dhe Kejdi Barbullushit dilte lezetshëm, kur kënga që performohej nga Lokaj përcillej nga Arian Randobrava në saksofon.

Qe ky formacioni Art Lokaj dhe “Killin’ Quintet” që mblodhi shumë njerëz në hapësirën e lokalit, përderisa afërsia mes artistëve dhe publikut e mbajti të mbushur plot atë. Mbrëmja dukej si një natë mes miqsh, kur Ilir Bajri, Art Lokaj dhe të tjerët u ulën në tavolinë me të pranishmit dhe po bënin muhabet. Tek kur të pranishmëve iu sos durimi për këngë, artistët dolën në skenë, e cila edhe pse është për të ndarë publikun dhe performuesit, aty pothuajse nuk e krijonte fare një imazh të tillë.

Solisti i mbrëmjes, që e bëri këtë bashkim të emrave të dashur për audiencën, pos të tjerash, qe edhe vetë i lumtur me këtë formacion. Ishte formacioni minimal me të cilin ai këndon këngët e veta, por doli i suksesshëm deri në fund.

“Çdo natë është ndryshe. Njerëzit janë ndryshe, lokalet, bendi, qytetet. Më janë bërë 16 vjet që jam pjesë e ‘live-ve’ dhe kurrë nuk më bëhet bajat. Por sonte është goxha interesant, sepse këngët e mia nuk i kam luajtur qe ndoshta 6 muaj, për shkak se zakonisht i luaj me bend të madh me 10 veta. Tash e kemi bërë një formacion të vogël, kemi zbritje 50 për qind. Sot jemi 5 veta”, ka thënë Lokaj.

Kënaqësi ishte për të gjithashtu që edhe pse natën e nisi si solo artist në këndim, këngët nuk i këndonte vetëm. Derisa këndonte publiku i bashkohej si kor.

Lidhja e lokajt me publikun është e fortë. Këtë e ka dëshmuar për më shumë se një dekadë.

“Tu e marrë parasysh që s’kam ndonjë profesion tjetër, edhe natën është shumë ‘boring’ me ndejt për mu, sepse nuk jam mësuar. Normalisht mund të bësh kontakte për të shkuar në ndonjë festival që mundesh edhe jashtë Kosovës, e që na ka ndodh. Kështu që, është mirë sepse edhe të mban në formë kur je aktiv, je në kondicion, për çfarëdo performance që ke je i gatshëm të performosh. Nëse qëndron në shtëpi dhe nuk bën muzikë fillon edhe të dyshosh në vete”, ka thënë Lokaj teksa shpjegonte praninë e tij në skenën e lokaleve.

Pos në Prishtinë, që është shtëpia e tij, ai performon edhe jashtë saj shumë shpesh. Miqësi të tilla tregoi se nuk ka vetëm me publikun e vendit të tij, por edhe me ata jashtë kufijve.

Ka një publik të cilin ai e dallon dhe i cili i fal shumë entuziazëm.

“Shkodrën e kam shumë favorite. Në një lokal ku luaj ka shumë njerëz që e duan muzikën ‘live’. Prej këngës së parë janë shumë mbështetës. Normal edhe në Tiranë. Kështu që në Shkodër deri tash, prej të gjitha performancave nëpër lokale, ka publik goxha të mirë”, ka thënë Lokaj

Por përderisa Lokaj e “dashuron” Shkodrën dhe publikun e saj, shkodrani që ishte pjesë e bendit flet me të njëjtën dashuri për publikun prishtinas.

“Prishtina është më e mira në botë. Më pret si më e mira në botë. Vij shumë shpesh dhe përherë e kam pasur pritjen e mirë. Të gjithë i kam shokë, vëllezër dhe jam ftuar goxha herë të bëj muzikë në ‘Dit’ e Nat’’ dhe në vende të ndryshme. Kam luajtur në Gjakovë e Gjilan, dhe përherë ka qenë eksperiencë e bukur”, ka thënë Kejdi Barbullushi.

Ai shpesh bëhet pjesë e formacioneve të huaja me kitarën e tij, duke performuar në vende të ndryshme. Pavarësisht kësaj, duket se mbi të gjitha kënaqësinë e gjen në bendet shqiptare dhe pranë artistëve me të cilët pos kolegë i ka edhe miq.

“Është kënaqësi e madhe, sepse me Artin kemi një kimi shumë të mirë. E kemi qysh nga hera e parë që kemi luajtur, sepse kur luhet me dy kitare përnjëherë sjell një super ‘clash’. Kështu që me Artin e kemi një super kimi dhe është gjithmonë kënaqësi me i luajt këngët e tij”, ka thënë Barbullushi.

Mbrëmjet e tilla kushtuar muzikës, pranë njerëzve që të shtunat mbrëma i kanë për kënaqësi, nuk janë të rralla për Art Lokajn. Shpeshtësia nuk i ka bërë të mos jenë të veçanta secila prej tyre.

Albumi i tij “Use You”, qe kryefjala e mbrëmjes, me 8 këngë, për realizimin e të cilave punën më të madhe e ka bërë vetë ai.