Kulturë

Projektligji për kinematografi drejt miratimit final, pavarësisht kritikave

Me një sagë prej 15 vjetësh, zëvendësimi i Ligjit për kinematografi me një të ri ka bërë hapin e radhës. Projektligji është miratuar në parim, pavarësisht kritikave. Kompetencat e shtuara të drejtorit të Qendrës Kinematografike e statusi i “KosovaFilmit” janë dy prej tyre që janë përmendur edhe të enjten në Kuvendin e Kosovës. Shoqata e artistëve të filmit “Pro Arte” ka kohë që këtë projektligj e cilëson produkt nga një “grup amatorësh anonimë të shokëve të ministrit të Kulturës”

Kuvendi i Kosovës ka përfunduar gjysmën e punës sa i përket Projektligjit për kinematografi. Me 62 vota për, 1 abstenim dhe asnjë kundër, të enjten ky projektligj është miratuar në parim. Shumica e votave ishin të pozitës, përderisa më shumë se gjysma e deputetëve opozitarë nuk ishin në seancë.

Me gjithë kritikat, Projektligjin e ka votuar edhe deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha. E LDK-ja nuk ka paraqitur kurrfarë qëndrimi. Me këtë projektligj synohet zëvendësimi i Ligjit të kinematografisë që është në fuqi prej vitit 2007.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në seancë ka thënë se projektligji është hartuar nga grupi punues me anëtarë stafin profesional të Ministrisë dhe përfaqësues nga institucionet e tjera përkatëse.

“Gjithashtu falë mbështetjes së Ambasadës së Francës në Kosovë, ekspertë nga Qendra Kinematografike e Francës kanë mbështetur profesionalisht hartimin e këtij projektligji. Besoj shumë që edhe gjatë procedurës parlamentare projektligji do t’u nënshtrohet diskutimeve të mëtejshme, të brendshme dhe atyre publike për të siguruar që të gjitha dilemat janë sqaruar dhe që të gjitha vërejtjet janë trajtuar me kujdes”, ka thënë ai. Sipas ministrit Çeku, me këtë projektligj filmi shpallet sektor i interesit të veçantë publik duke e fuqizuar tutje potencialin industrial të këtij sektori gjithnjë në pajtim me zotimin dhe angazhimin për zhvillimin e ekonomisë kulturore në vend.

“Niveli i mbështetjes publike për prodhimin e filmave ngrihet në 80 për qind ndërsa për filmbërësit debutues deri në 100 për qind”, ka thënë ministri Çeku. Ka treguar se krijohet skema e rabatit për tërheqjen të investimeve të huaja në Kosovë që parasheh rimbursimin e 30 për qind të investimit të produksioneve e huaja që prodhojnë filma në territorin e Republikës.

“Fuqizohet institucioni i Qendrës Kinematografikë të Kosovës duke arritur edhe autonominë menaxhuese, financiare, vendimmarrëse dhe programore. Themelohet rrjeti i kinemave publike të Kosovës si njësi përbërëse e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe në të njëjtën kohë nis rregullimi i themelimit të kinemave publike dhe private”, ka sqaruar ai. Ka përmendur se “KosovaFilmi” si një njësi e veçantë në kuadër të QKK-së mandatohet për mbrojtjen e trashëgimisë kinematografike të Kosovës. Ka përmendur edhe ndryshimet në strukturën e QKK-së ku do të ketë këshill profesional.

Deputetja e Kuvendit në radhët e VV-së, Adriana Matoshi, ka folur gjatë për sukseset ndërkombëtare të kinematografisë vendore gjatë viteve të fundit, shumicën prej të cilave i ka përmendur edhe në disa seanca paraprake. Ka bërë thirrje që të votohet projektligji.

“Ftoj secilin prej jush që të japë votën në favor të këtij projektligji, të investojë në të ardhmen e kinematografisë së vendit tonë dhe t’i tregojë botës se jemi të përkushtuar për të mbështetur artin dhe kulturën e vendit tonë. Tani është koha për veprim. Le të bashkohemi dhe të votojmë Projektligjin e kinematografisë”, ka thënë ajo.

Ne emër të Komisionit parlamentar për arsim, shkencë, kulturë e inovacion, deputeti Ardian Gola, si kryesues i Komisionit, po ashtu ka bërë thirrje që të votohet pro projektligjit.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë se parimisht mendon se me ligjin e ri shfuqizohet komplet aspekti vendimmarrës dhe i zhvillimit të politikave të institucionit nga një grup më i madh i njerëzve, siç ka qenë bordi i dikurshëm i institucionit.

“Bordi (i QKK-së v.j.) tani ka vetëm një rol minor apo kozmetik këshillëdhënës, i cili jo domosdo mund të merret parasysh nga një drejtor të cilit i janë lënë të gjitha kompetencat ekzekutive për menaxhimin e mbi 1 milion e 500 mijë eurove aktualisht e që nesër mund të jetë një më i madh i ndarë në raport me filmbërësit”, ka thënë ajo. Ka thënë se e shqetëson ajo se “KosovaFilmi” është futur dhe është minimizuar si një njësi brenda Qendrës Kinematografike të Kosovës.

“Njëkohësisht kriteret për zgjedhjen e drejtorit që janë përmes një konkursi publik janë bazuar në aspektin minimal të kritereve e që mendoj se kjo lë hapësirë pastaj që të mos kemi rekrutim të personave të duhur dhe kredibil kur flasim për një qendër në nivelin kombëtar të kinematografisë së Kosovës”, ka thënë deputetja Hoxha. Pavarësisht kritikave, ajo ka votuar pro projektligjit.

Përpjekja për të draftuar Ligjin aktual të Kinematografisë është një histori përplasjesh e dështimesh përmbi një dekadë. Një pjesë e komunitetit të kinematografëve nuk pajtohen as me versionin e ri.

Janë nëntë vërejtje që shoqata e artistëve të filmit “Pro Arte” muajin e kaluar ia ka përcjellë kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Komisionit Parlamentar për Arsimim, Shkencë, Teknologji, Inovacion e Kulturë dhe krejt shefave të grupeve parlamentare. Në kërkesë Shoqata kërkon që Kuvendi ta refuzojë këtë projektligj.

Historia e projektligjeve në këtë fushë është e vjetër. Katër vjet punë kishte marrë hartimi i Projektligjit për Kinematografinë që u tërhoq nga leximi i dytë në Kuvend, më 4 gusht 2016. Me gjithë emërimin e dy komisioneve, një nga ish-ministrat e Kulturës, Memli Krasniqi, e një tjetër nga pasardhësi i tij në këtë pozitë, ish-ministri Kujtim Shala, pas serisë së përplasjeve e reagimeve midis komunitetit të kineastëve dhe angazhimit të ekspertëve ndërkombëtarë, puna s’ishte finalizuar me sukses.

Në reagimin e vet shoqata “Pro Arte” ka shkruar se draftligji pretendon të shpallë kinematografinë interes të veçantë me qëllim të rritjes së buxhetit për qëllime “krejt jo të sinqerta dhe joprofesionale, jo për krijimin dhe zhvillimin e kinematografisë, por për qëllime të krijimit edhe të një burimi alternativ të buxhetit publik, i cili pastaj do të zhvatej nga klanet e interesit, të cilat tashmë janë pozicionuar rreth MKRS-së dhe ministrit të Kulturës”. Në pikën e dytë të kërkesës Shoqata ka paraqitur se draftligji pretendon të përkufizojë veprën kinematografike vendore si “’vepër ku regjisori ose producenti është kosovar, si dhe kapitali vendor është i rëndësisë së madhe’, e që, sipas dispozitave të ligjeve evropiane përkufizohet krejt ndryshe”. Sipas Shoqatës, në vendet evropiane “origjinën e filmit e përcakton shteti i veprimtarisë së shtëpisë filmike me kapitalin mbi 50 për qind, si dhe me krijuesit kryesorë të veprës kinematografike të cilët janë: skenaristi, regjisori, producenti, montazheri dhe kompozitori”. Sipas Shoqatës, relativizimi i përkufizimit të filmit vendor si kapital i rëndësisë së madhe krijon mundësinë e manipulimit me subvencione duke konsideruar si film vendor çdo projekt të huajin në të cilin mund të jetë i angazhuar ndonjë producent apo punëtor i filmit nga Kosova. Kritikat e Shoqatës shkojnë deri tek akuzat se projektligji është hartuar nga një “grup amatorësh anonimë i shokëve të ministrit të Kulturës”.

Më 2016 ishin 39 kineastë që kishin firmosur kërkesën për tërheqjen e atij versioni të projektligjit nga Kuvendi. Ndër arsyet e shumta që ishin përmendur në reagimin e Shoqatës së Producentëve të Kosovës ishte edhe afati për realizimin e projektit që, sipas tyre, është plotësisht i gabuar dhe i pamundshëm që të arrihet. E një prej pikave më të diskutueshme të atij projektligji ishte përbërja e jurisë që do të vlerësojë projektet kinematografike që subvencionohen nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Kjo çështje kaherë e ka ndarë në dysh komunitetin artistik, duke bërë që disa të përkrahin idenë që juria duhet të përbëhet nga shtetas të Kosovës e disa të tjerë që kërkojnë edhe anëtarë me shtetësi të huaj.