Kulturë

Serbët ndihmuan osmanët ta pushtojnë Ballkanin

Një vit më vonë, më 1396, Mbreti hungarez, Sigismundi i Luksemburgut, mblodhi aristokratë nga mbarë Europa për të depërtuar në zemrën e Perandorisë Osmane, në Bullgarinë e sotme. Qëllimi ishte të dëboheshin osmanët. Në Betejën e Nikopolit në Danub forcat serbe të prira nga Stefan Llazareviqi, i biri i Princit Llazar të vrarë shtatë vjet më parë, ndikuan që të fitojnë trupat osmane
 

Një studim i ri i prof. dr. Oliver Jens Schmitt shpluhuron disa mite të historisë serbe. Sipas Schmitt, serbët u kanë dhënë osmanëve ndihmë vendimtare për ta pushtuar Ballkanin

Në kulturën serbe të kujtesës s’ka vend për dilema: serbët, sipas këtij rrëfimi të etabluar, më 1389 mbrojtën krishterimin në Betejën e Fushë-Kosovës kundër osmanëve. Në një studim të ri të botuar së fundi në “Zeitschrift für Balkanologie” (Revista për Ballkanologji) profesori i historisë në Universitetin e Vjenës, Oliver Jens Schmitt, shpluhuron disa mite të historisë serbe dhe arrin në përfundimin se elitat serbe pas vitit 1389 u kanë dhënë osmanëve ndihmë vendimtare për ta zaptuar Ballkanin. Një përmbledhje të studimit të tij Schmitt e ka botuar të hënën në gazetën austriake “Der Standard”.

Sipas Schmitt, një shikim i burimeve dhe librave të historisë mjafton për të konstatuar se në të gjitha çastet vendimtare të historisë osmane nga viti 1389 deri më 1459, kur u zhduk despotati (principata) serbe, shtresa aristokrate serbe ua mbajti anën osmanëve dhe intervenoi kundër kundërshtarëve të krishterë të osmanëve. Më 1395 princi ortodoks i Vllahisë Mirçea (Plaku) u përball me Sulltanin osman, Bajazitin I. Fitorja osmane u bë e mundshme nga aristokratët serbë, të cilët i shërbenin ushtrisë osmane si vasalë, mes tyre sidomos Marko Kraleviqi. Në kujtesën serbe Kraleviqi është hero i luftës kundër osmanëve, në realitetin historik ai luftoi dha ra për palën tjetër, për osmanët, shkruan Schmitt.