Të dielën mbrëma Filharmonia e Kosovës ka mbajtur koncertin e radhës në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Risi për publikun ka qenë premiera botërore e “Koncertit për kitarë” e kompozitorit Kreshnik Aliçkaj, e cila erdhi në interpretim mjeshtëror të kitaristit Petrit Çeku, nën drejtimin e dirigjentit izraelito-gjerman Maayan Franco
Koncerti i parë simfonik i Filharmonisë së Kosovës për këtë vit solli para publikut në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë kitaristin kosovar me famë botërore, Petrit Çeku.
Me premierën e koncertit për kitarë dhe orkestër të Kreshnik Aliçkajt filloi mbrëmja e së dielës.
Çeku e dirigjenti izraelito-gjerman, Maayan Franco, u pritën nga publiku me duartrokitje frenetike, ku secili nga të pranishmit ka pritur me padurim interpretimin.
Nuk janë të shpeshta rastet kur publiku ngrihet në këmbë duke duartrokitur me të filluar koncerti.
Kjo për Aliçkajn është një shenjë që vepra e tij u prit shumë mirë, sikurse edhe interpretimi i Çekut.
“Ishte një ndjenjë shumë e mirë. Vepra ishte premierë, gjithashtu e falënderoj orkestrën, dirigjentin dhe kitaristin tashmë me famë botërore, Petrit Çeku, i cili ka treguar gatishmëri dhe e kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë. Interpretimi ishte superior, siç di vetë Petriti”, ka thënë Aliçkaj.
Hapësira që iu dha kitarës si pjesë e orkestrës ka bërë që të ndihet harmonia e përsosur dhe secila notë në vendin e vet. Petrit Çeku nga kritika në mediat e huaja shpesh përshkruhet si interpretues që zbërthen magjinë e muzikës e sidomos të kitarës. I tillë ishte edhe në koncertin e së dielës mbrëma. Shkathtësia e tij del edhe më tepër në pah kur luan solo.

Pjesët solo të Çekut të cilat duken sikur të ishin kompozuar veç për të, e mbanin çdonjërin në cep të karriges.
Tutje, orkestra e Filharmonisë i bashkohej pavërejtshëm.
“Pasi që premierat janë gjithmonë të vështira, është premierë edhe për instrumentistët, edhe për dirigjentin, edhe për vetë kompozitorin, mendoj që vepra është realizuar shumë mirë. Përndryshe nuk ka qenë e lehtë që ta shkruaj një vepër të tillë për arsyen se edhe nëpër botë ka shumë pak vepra të shkruara për kitarë dhe orkestër simfonike, për shkak se kitara është një instrument mjaft i ndërlikuar për shkrim, gjithashtu për shkak të forcës së tingullit që e ka”, ka shpjeguar kompozitori Aliçkaj.
Pas koncertit për kitarë dhe orkestër nga Aliçkaj, mbrëmja vazhdoi me “Koncertin e Aranjuezit” të Joaquín Rodrigos, po në interpretimin mjeshtëror të Çekut.
Dirigjenti izraelito-gjerman, Maayan Franco, i mahnitur nga mikpritja e publikut kosovar, ka folur edhe për performancën bashkë me Çekun, të cilën e përshkruan si një ëndërr të kthyer në realitet.
Duke e njohur punën e tij, kjo mbrëmje për Francon ishte po aq e veçantë sa për çdonjërin që kishte zënë një karrige në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.
“Publiku kosovar është aq mikpritës sa është e pabesueshme. Nuk merr çdoherë duartrokitje frenetike që në fillim të performancës. Vetë koncerti filloi me duartrokitje disaminutëshe, kjo që është e pazakontë. Kompozimi është një vepër mjaft interesante e shkruar së voni në 2019-n. Në përmbajtje ka pak folklor, specifikisht muzikë folklorike kosovare brenda formave tradicionale të muzikës klasike”, ka thënë ai. Dirigjenti ka treguar se te kjo vepër i pëlqen shumë mjeshtëria e kompozitorit që i jep mjaft hapësirë kitarës që të marrë frymë.
“Pati shumë shpesh pjesë ku kitara kishte mundësi të frymojë brenda orkestrës, e që ishte fantastike”, ka thënë Franko për kompozimin e Aliçkajt.
E tek ka folur për Çekun nuk i ka kursyer lëvdatat. Nuk hezitoi as ta quajë gjeni, e bashkëpunimin me të, të lehtë.
“Nëse flasim për kitarën na duhet të flasim për Petritin, i cili është me të vërtetë një gjeni. Ishte hera e parë që e takova atë, sigurisht që kam dëgjuar për të edhe më herët, por të punoja me të ishte një ëndërr. Është një muzikant fantastik, një njeri i mrekullueshëm, fleksibil dhe i lehtë për bashkëpunim”, ka treguar ai.
Për 45 minutat e fundit të koncertit, Orkestra e Filharmonisë nën dirigjimin e Francos solli para publikut simfoninë e nëntë të Antonín Dvořák ,“Nga Bota e Re” me po të njëjtin emër erdhi edhe i tërë koncerti.
Simfonia e nëntë në e-mol e Dvořák është një prej më të njohurave të tij. E kishte kompozuar në 1893-tën, duke ju referuar Amerikës si “Bota e Re”. Në Amerikë edhe e kishte shkruar veprën.
Të pranishmit në sallën ku u mbajt koncerti patën rastin që nga Orkestra e Filharmonisë ta dëgjonin atë, si një nga veprat më të rëndësishme në repertorin e muzikës klasike.
Punën e palodhshme nuk e lë pa e përmendur edhe drejtori i institucionit Baki Jashari, i cili e ka përshkruar programin si të pasur dhe interpretimin e jashtëzakonshëm të Çekut dhe Orkestrës.
“Ky ishte koncerti i parë sivjet më serioz, edhe pse ne i patëm dy prezantime me orkestrën frymore të Filarmonisë dhe ky ishte koncerti i parë simfonik për vitin 2023. Ishte koncert mjaft i lodhshëm për shkak se në program patëm vepra të stileve të ndryshme. Vepra bashkëkohore dhe Rodrigo të realizuara mjeshtërisht nga kitaristi ynë me famë botërore, Petrit Çeku”, ka thënë Jashari.
Filharmonia e Kosovës e filloi vitin me një koncert të suksesshëm e shumë të vlerësuar nga publiku, me synimin që të vazhdojë kësisoj.