Kulturë

“Prizreni” në frymë unike melodish pushton Prishtinën

Përzierja stileve të ndryshme muzikore është ajo që iu shtua repertorit të orkestrës frymore “Prizreni”. Programi i dytë i ri i këtij formacioni themeluar para tre vjetësh, iu prezantua mbrëmjen e së premtes në “Kino Armatë”, publikut në Prishtinë, përderisa do vazhdojë të performohet edhe në vende të tjera
 

Ka nisur me margaritarë të muzikës shqipe, ka vazhduar me rock, jazz e funk dhe ende pa përfunduar, publiku ka qenë në këmbë. Orkestra frymore “Prizreni”, në koncertin në Prishtinë ka shpalosur programin unik, një repertor veprash të njohura, por që vijnë mjeshtërisht me ngjyrime të reja, në versionet për këtë formacion. “Prizreni” ka kohë që e ka kaluar testin para publikut vendor. Tash synon të thyejë kufijtë

Përderisa melodia e instrumenteve frymore tingëllon fuqishëm, publiku merret me vete sa nëpër këngët e njohura shqiptare, sa në ato të huajat. Uljet dhe ngritjet e melodive sjellin adrenalinë në një thurje njëorëshe të muzikës popullore, rock, funk e jazz.

Kur 23 anëtarët e orkestrës nuk kursejnë në asnjë moment frymën kushtuar performancës, publiku nuk rezistoi dot deri në fund të koncertit pa u ngritur në këmbë. Madje edhe pa u bërë pjesë e vetë performancës, duke bërë tok melodinë e nxjerrë nga duart me atë që grupi përformues e kishte planifikuar në program. Ky moment ishte ai kur të pranishmit dhe orkestra u bënë një, dhe qëllimi i tyre qe përjetimi i melodive të bukura së bashku, pa pasur role të ndara të paktën në një moment. Ishte pikërisht ai çast kur kush sa mundte kontribuonte që atmosfera të mbërrij kulmin, kush me zë, kush me duartrokitje, kush me instrument.