Kulturë

“Daily Archived” në përditshmërinë që bëhet art

Dy prej personazheve të veprave të Arbnor Karalitit janë kolegët e tij artistë me të cilët ka ndarë hapësirën, ku ka realizuar po këto piktura
 

Pikërisht në vendin ku i realizuan veprat për afro dy muaj, në “Paper Gallery”, Lumturie Krasniqi, Arbnor Karaliti dhe Yll Xhaferi janë rikthyer të enjten mbrëma për ta hapur ekspozitën me po ato vepra. Aty është përditshmëria e tyre prej këndvështrimit artistik, proces të cilin e ndanë me publikun

Ashtu siç asocion edhe titulli, “Daily Archived” është vërtet një arkivim në baza ditore dhe e natyrshme, artistët e bëjnë këtë nëpërmjet artit. Janë tri këndvështrime, po aq artistë dhe përditshmëria e titullit hyn në lojë edhe te zbërthimi i procesit të punës.

Lumturie Krasniqi, Arbnor Karaliti dhe Yll Xhaferi për dy muaj qenë bërë bashkë në “Paper Gallery” në atë që u cilësua si studio e hapur, bënë art aty, publiku qe i lirë t’i shihte në proces pune. Treshja ka qenë bashkë edhe të enjten mbrëma, kur u hap ekspozita me veprat e realizuara gjatë procesit të asaj periudhe.