Kulturë

Zgjedhja e udhëheqësit artistik të Teatrit mbërrin në Gjykatë

Zana Hoxha nëpërmjet kërkesëpadisë ka kërkuar që të anulohet vendimi i Këshillit Drejtues dhe i Ministrisë së Kulturës, nëpërmjet të cilit Kushtrim Mehmeti është zgjedhur udhëheqës artistik. Po ashtu, ka kërkuar që të anulohet krejt konkursi dhe të shpallet konkurs i ri publik
 

“Ky proces ende nuk ka përfunduar dhe epilogun do ta ketë në gjykatë”, kishte paralajmëruar Zana Hoxha në ditën e pestë të këtij muaji, kur u bë e ditur se Kushtrim Mehmeti është zgjedhur udhëheqës artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Tashmë Hoxha – e cila kishte kandiduar për këtë pozitë, ka bërë kërkesëpadi në Gjykatën Themelore të Prishtinës. I akuzon Ministrinë e Kulturës dhe anëtarët e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës për disa shkelje ligjore, përfshirë favorizimin e Mehmetit

Procesi i zgjedhjes së udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës ka mbërritur në Gjykatë. Regjisorja Zana Hoxha, që ishte kandidate në konkursin për këtë pozitë, ka bërë kërkesëpadi në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Hoxha i akuzon Ministrinë e Kulturës dhe anëtarët e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës për disa shkelje ligjore, përfshirë favorizimin e Kushtrim Mehmetit i cili është përzgjedhur në këtë pozitë. Pos kësaj, Hoxha ka kërkuar edhe masë të përkohshme të sigurisë që nëse miratohet nga Gjykata do të pezullohet krejt procesi i përzgjedhjes së udhëheqësit artistik derisa Gjykata të dalë me vendim për këtë konkurs.

Vitin e kaluar ishte hapur konkursi i pestë për të plotësuar pozitën që kishte mbetur bosh për më shumë se tre vjet. Më 26 tetor ishte mbajtur testi me shkrim. Regjisori Besim Ugzmajli ishte tërhequr nga gara paraprakisht. Në garë kishin mbetur regjisorët Sokol Plakolli, Donjeta Hyseni, Kushtrim Mehmeti e Zana Hoxha, bashkë me aktoren Arta Muçaj. Telashet kishin filluar menjëherë pas testimit. Sipas procesverbalit të asaj dite, anëtarja e Këshillit Drejtues të TKK-së, Gresa Pallaska, kishte shprehur dyshimet për parregullsi. Ishte bazuar në faktin se përgjigjet e kandidatit Kushtrim Mehmeti ishin të ngjashme me çelësin e testit dhe për këtë arsye Pallaska ishte tërhequr nga vlerësimi i testit me shkrim. Pas kësaj në MKRS ishin ankuar Sokol Plakolli dhe Zana Hoxha. Komisioni për shqyrtimin e ankesave kishte ardhur në përfundim se testi me shkrim duhej përsëritur. Ankesat e Hoxhës dhe të Plakollit ishin miratuar pjesërisht. Si bazë për këtë miratim ishte marrë procesverbali i vlerësimit të testeve.