Kulturë

Daut Berisha – piktori i jashtëzakonshëm i elitës në Paris

Simbolikat e trajtave e pasuria e ngjyrave të Daut Berishës u panë në shumë vende të botës e u bënë pjesë e muzeve e koleksioneve private. Piktori që kaherë ishte zhvendosur në Francë vdiq të hënën dhe u varros të mërkurën. Gjatë karrierës ishte bërë një lloj murgu i profesionit të tij. Me aspak paraqitje në media e krejt pak pjesëmarrje në hapësirat publike shqiptare, Daut Berisha ishte bërë pjesë e elitës së artistëve në Francë
 

Arti i tij nuk qe i zakonshëm. As jeta e tij. Qëndronte larg publikut, por shpejt u bë pjesë e elitave në Paris. I pazakonshëm është edhe amaneti, njashtu sikurse guri i varrit. Kërkoi të përcillej nga një grusht njerëzish, të mos shpallej njoftim për vdekjen e tij. Lamtumira e fundit iu dha të mërkurën në Prishtinë, ku vdiq dy ditë më parë në moshën 76-vjeçare. Në epitaf s’ka emër. Shkruan: “Berisha e Kuqe”

Qysh në fillet e karrierës do të kalonte kufijtë e Jugosllavisë që bashkonte gjashtë republika e dy krahina. Si 30-vjeçar do t’ia dilte që të ekspozonte hiç më pak se në Paris.

Simbolikat e trajtave e pasuria e ngjyrave të Daut Berishës u panë në shumë vende të botës e u bënë pjesë e muzeve e koleksioneve private. Piktori që kaherë ishte zhvendosur në Francë vdiq të hënën dhe u varros të mërkurën. Lajmi për vdekjen e tij në moshën 76-vjeçare u bë i ditur pasditen e së mërkurës. Gjatë karrierës ishte bërë një lloj murgu i profesionit të tij. Me aspak paraqitje në media e krejt pak pjesëmarrje në hapësirat publike shqiptare, Daut Berisha ishte bërë pjesë e elitës së artistëve në Francë.