Kulturë

“Everything Everywhere All at Once” kryeson për “Oscars 2023” me befasi

OSCAR

Epika aksion “Multiverse” dominon në listën e ngushtë, përderisa “All Quiet on the Western Front” dhe “The Banshees of Inisherin” janë nominuar secili me nëntë kategori. “Tár” dhe “Top Gun: Maverick” janë, po ashtu, pretendues në kategorinë kryesore

Komedia e zhanrit aksion “Everything Everywhere All at Once”, me Michelle Yeoh si pronare lavanderie që lufton me të ligën duke u lidhur me versione të ndryshme të vetvetes në universe paralele, kryeson listën e nominimeve për çmimet “Oscar” të këtij viti.

Nuk ka dyshime se Yeoh dhe pjesa tjetër e ekipit të filmit “Everything…” Jamie Lee Curtis, Stephanie Hsu dhe Ke Huy Quan, i meritojnë nominimet në kategoritë për filmin më të mirë, çmimin për regjisorin më të mirë (për Daniel Kwan dhe Daniel Scheinert), çmimin për dizajn kostumesh, montazh, këngë origjinale e muzikë më të mirë origjinale

Nominimi i yllit Yeoh nga Malajzia në anën tjetër e bën atë kandidaten e parë aziatike të nominuar në kategorinë për aktoren më të mirë për çmimin “Oscar”.

Menjëherë pas tij vijnë filmat: “The Banshees of Inisherin” – komedia e zezë e Martin McDonaghit me protagonistë Colin Farrell dhe Brendan Gleeson si ish-miq të ngujuar në një ishull të vogël irlandez – dhe drama e bujshme e Netflixit, “All Quiet on the Western Front”, e regjisorit Edward Berger, e cila rrëfen për një ushtar idealist gjerman të dërguar në llogore.

Në nominimet, të cilat u publikuan të martën në Beverly Hills, filmi “Banshees” u nominua për filmin, regjinë, montazhin më të mirë, skenarin origjinal, aktorin kryesor (për Farrell), aktorin dytësor (për Gleeson dhe Barry Keoghan), aktoren dytësore (për Kerry Condon), realizimi më i mirë dhe skenari më i mirë.

Ndërkohë filmi i Bergerit, i cili të enjten e kaluar u nominua në 14 kategori të BAFTA-s, nuk pati ndonjë nominim në kategoritë e aktrimit, por u nominua në nëntë kategori të tjera, përfshirë edhe atë për filmin më të mirë.

Nominimet që befasuan më së shumti përfshijnë “Tár”, të nominuar në gjashtë kategori. Drama “Tar” e regjisorit Todd Field flet për një dirigjente të fuqishme, portretizuar nga Cate Blanchett. Në këtë listë hyn edhe “Top Gun: Maverick” me protagonist Tom Cruise, i cili befasoi me nominimin në gjashtë kategori, përfshirë atë për skenar të adaptuar, megjithëse vetë Cruise mbeti jashtë listës.

Në vend të tij, në listën e ngushtë për aktorin më të mirë janë: Colin Farrell, (për “The Banshees of Inisherin”), irlandezi Paul Mescal (për “Aftersun”), Austin Butler (për “Elvis”), Brendan Fraser (për “The Whale”) dhe Bill Nighy (për “Living”).

Kategoria për aktoren më të mirë ishte befasuese, me Blanchett dhe Yeoh që konkurrojnë kundër Ana de Armas për rolin si Marilyn Monroe në filmin “Blonde”, Michelle Williams për “The Fabelmans” dhe Andrea Riseborough për filmin “To Leslie”.

Nominimi i Riseboroughut shënon një sukses të jashtëzakonshëm për një fushatë të famshme virale e cila ka marrë vrull gjatë dy javëve të fundit.

Blanchett, Kate Winslet, Gwyneth Paltrow, Amy Adams, Jane Fonda dhe Jennifer Aniston janë disa nga emrat që kanë bërë të pamundurën për të rrëmbyer rolin e Riseborough si një e alkoolizuar e cila fiton lotarinë. Një dramë e vogël, e cila ka fituar më pak se 30 mijë dollarë që nga lansimi i heshtur vitin e kaluar.

Ndërkohë, nominimi i Williamsit, pas refuzimit që së fundi i bëri, “Screen Actors Guildit”, sugjeron që votuesit e Akademisë mund të ndihen më pranë dramës autobiografike të Steven Spielberg, sesa filmave të tjerë.

“Fabelmans” përfundoi me shtatë nominime për “Oscar”, përfshirë: Çmimi për filmin më të mirë, çmimin e regjisë, skenarin më të mirë, aktorja më e mirë, aktori në rol dytësor (për Judd Hirsch), muzika më e mirë edhe realizimi më i mirë.

Pak përpara tij, me tetë nominime, vjen filmi biografik i Baz Luhrmannit, “Elvis Presley”, i cili u nominua në gjashtë kategori, përfshirë edhe atë për filmin më të mirë dhe aktorin më të mirë.

Surpriza të tjera përfshijnë skenarin e Kazuo Ishiguro për “Living”, përshtatur nga Ikiru, klasikja e Akira Kurosawas e 1952-s. Nëse ai ia arrin ta rrëmbejë këtë çmim, kjo do ta bënte atë personin e tretë që do të fitonte një çmim “Oscar” dhe një “Nobel” (pas George Bernard Shaw dhe Bob Dylan).

“Empire of Light” e Sam Mendes u injorua plotësisht nga votuesit, përfshirë edhe kthesën kryesore nga Olivia Colman.

“Till”, drama e mirënjohur e Chinonye Chukwu për nënën e Emmett Till, u përjashtua gjithashtu, me një mohim të parashikuar për yllin Danielle Deadwyler që dështoi për t’u materializuar. Jashtë nominimit në këtë kategori mbeti edhe Viola Davis e “The Woman King”. Kjo do të thotë se nëntë nga 10 aktorët ose aktoret kryesore të nominuara i përkasin racës së bardhë.

Regjisorja e “The Woman King”, Gina Prince-Bythewood, mbeti gjithashtu jashtë nominimit, që do të thotë se lista e ngushtë për Çmimin regjisori/ja më e mirë e këtij viti përbëhet tërësisht nga burrat: McDonagh, Daniels, Spielberg, Field dhe Ruben Östlund, të cilët bënë fituesin e “Palmës së Artë”, “Triangle of Sadness”.

Megjithatë, ishte një vit i mirë për votuesit e “Oscar” që pëlqenin hitet e suksesshme. Përveç vlerësimit për “Top Gun: Maverick” dhe “Everything Everywhere”, vazhdimi i “Black Panther”, “Wakanda Forever”, u nominua në pesë kategori, përfshirë atë për performancën mbështetëse të Angela Bassett dhe për këngën origjinale të Rihannas, “Lift Me Up”.

Ndërkohë thyesi i rekordeve, “Avatar: The Way of Water” i regjisorit James Cameronit është nominuar për katër kategori të “Oscar”.

Nominimet u shpallën nga Allison Williams e “Girls” dhe filmit horror të kukullës “M3gan”, së bashku me yllin britanik Riz Ahmed, i cili luajti në filmin fitues të metrazhit të shkurtër të vitit të kaluar dhe u nominua për aktorin më të mirë më 2021.

Pothuajse 9 mijë e 500 anëtarë të Akademisë kanë të drejtë të votojnë për çmimet e 95-ta vjetore – numri i tyre u rrit ndjeshëm pa10s përpjekjeve të fundit për ta përzier demografinë e tyre. Sidoqoftë, që nga viti 2022, 81 për qind identifikohen si të bardhë dhe 67 për qind prej tyre janë burra.

Çmimet “Oscar” të këtij viti do të zhvillohen më 12 mars në Hollywood, në një ceremoni me nikoqir Jimmy Kimmel, me të cilin producentët shpresojnë se mund të ndihmojë në rikthimin e vlerësimeve në rrugën e duhur pas disa vjetëve katastrofikë.

Shfaqja e vitit të kaluar pati tre prezantues kryesorë: Amy Schumer, Wanda Sykes dhe Regina Hall. Kimmel drejtoi shfaqjen në 2017 dhe 2018.

Puna e tij në vitin 2018 grumbulloi 26.6 milionë; deri në vitin 2021 ajo kishte rënë në 10.4 milionë – një rekord për shikueshmërinë më të ulët. Gjatë ceremonisë së vitit të kaluar ky numër u rrit për 58 për qind, pra në 15.4 milionë, e kjo falë Will Smithit që goditi në skenë prezantuesin Chris Rock.

Duke synuar që një ngjarje e ngjashme të mos përsëritet këtë vit, prodhuesit thuhet se po përpiqen të joshin shikuesit me një spirancë të fortë, një kthesë të kundërt në vendimin e vitit të kaluar për të anuluar prezantimin e drejtpërdrejtë të tetë çmimeve dhe duke përmirësuar tapetin e kuq.

Çmimet e sivjetme BAFTA, të cilat zhvillohen gati një muaj para “Oscars”, më 19 shkurt, do të kenë gjithashtu disa ndryshime, me një vend të ri (Royal Festival Hall), prezantues të ri (Richard E Grant) dhe mbulim më të madh të prapaskenave, udhëhequr nga Alison Hammond.

Marrë nga: “The Guardian”. Përktheu: Mirjetë Sadiku