“23 fotografi për 23 vjet çlirim” është quajtur ekspozita e organizuar të dielën në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Autori i kësaj ekspozite tha se e ka risjellë Prishtinën e vjetër përmes fotografive të realizuara. Në ekspozitën me fotografi e cila zgjati vetëm tri orë, u prezantuan fotografi të vjetra, bashkëngjitur me të rejat, për të treguar sa kanë ndryshuar disa nga pjesët e qytetit ndër vite.
Në kuadër të shënimit të 23-vjetorit të çlirimit të Prishtinës, është hapur ekspozita me 23 fotografi që e paraqesin kryeqytetin në kohë më të vjetra.
Në sheshin “Zahir Pajaziti” të dielën për një kohë të shkurtër, u prezantuan fotografi të vjetra, bashkëngjitur me ato të rejat për të treguar sa kanë ndryshuar disa nga pjesët e qytetit ndër dekada.
Organizatori i ekspozitës, Enes Berveniku, ka thënë se me fotografitë ka dashur që të dokumentojë zhvillimin e qytetit, që të rinjtë të kenë një sfond më të qartë të identitetit të tyre.
“Ekspozita përmban fotografi të vjetra të Prishtinës, të bashkëngjitura me fotografi të reja, por në vende aktuale, për shembull në qoftë se ka qenë një fotografi e vitit 1950, kom shku e kom fotografu sivjet edhe nga këndi i njëjtë, e kam bërë krahasimin me anë te fotografive se qysh ka qene edhe qysh është”, ka thënë ai.
Sipas tij, ky aktivitet shërben si pikënisje ku të rinjtë kanë mundësi të shohin se si është dukur vendi i tyre më parë.
Ndërsa për moshat e shtyra, ka thënë se kjo ekspozitë merr kuptimin e nostalgjisë dhe memories kolektive.
“Pa dyshim që vlen shumë, sepse të rinjtë, shumica e të rinjve domethënë – këtë punë e bëjnë qe 7 vjet. Nuk e dinë Prishtinën e vjetër, ose nuk janë interesuar, ose nuk u është servuar, nuk u ka dalë përpara Prishtina e Vjetër, edhe të moshuarit e kanë harruar. Ata e kanë parë po e kanë harru. E për të moshuarit ky është si njëfarë lloj i rikujtimi, kurse për rininë është njëfarë njoftimi me Prishtinën e Vjetër”, ka thënë ai.
Qytetarët të cilët vizituan ekspozitën janë shprehur të emocionuar teksa shihnin ndryshimin e shumë vendeve në fotografi.
Ata theksuan se disa nga vendet kanë qenë më mirë sesa që janë tani.
“Më shumë po mundohem t’i krahasoj si ka qenë dhe si ka ndryshuar tash. Kryesore e mbaj mend si kanë qenë, pasi kam qenë student këndej prej viteve të ’70-ta... Ka vende ku më mirë është si ka qenë, shembull pjesa e Parlamentit më mirë ka qenë siç është tani. Ka të tilla që meritojnë të kthehen e me mendu si ka qenë... ndoshta duhet menduar që mos me ndërru çdo gjë, sepse jo të gjitha meritojnë të ndërrohen. Ka vende ku diçka duhet ndërruar, por ka vende ku meriton me lënë në të vjetrën”, ka thënë Ibrahim Hajrizaj.
Kurse për Enes Havollin, ngjarja tregoi se sa ka ndryshuar qyteti ndër dekada.
“Këto foto më të vjetra se që jam unë vetë, disa prej tyre s’po më kujtohen... Është interesant që njerëzit t’i shohin ndryshimet, si po ndryshojnë vendet, si po merr tjetër pamje çdo ditë vendi, sidomos kur jeton jashtë Kosovës dhe vjen kohë pas kohe dhe sheh që asgjë s’është e njëjtë dhe ka ndryshuar çdo gjë... Shumë ndryshime janë për të mirë, kanë marrë formë të mirë dhe besoj se veç shkon e bëhet më mirë”, ka thënë ai.
Kjo ekspozitë, e cila përfshin kujtime vizuale të kulturave dhe komuniteteve të ndryshme, është mbështetur nga Komuna e Prishtinës. Për shkak të motit, ekspozita ka zgjatur vetëm tri orë.