Kulturë

Dokumentari mohues i gjenocidit serb synon Zveçanin, aktivizohen institucionet

Në të njëjtën frymë sikurse dhe dokumentarët paraprakë, kur krejt janë kundër serbëve hyjnorë, vjen edhe dokumentari i radhës i regjisorit serbo-kanadez, Boris Malagursi. Me “Republika Srpska: Borba za slobodu”, që cilësohet si mohues i gjenocidit në Srebrenicë, ka nisur turneun nëpër Serbi, përderisa synon edhe Kosovën. Për të martën ka caktuar shfaqjen në Zveçan. Institucionet e vendit po merren me të, por ende nuk ka vendim të prerë nëse do ta ndalojnë shfaqjen

Recetat e dokumentarëve të Boris Malagurskit që veten e quan regjisor serbo-kanadez, tashmë i kanë përbërësit e njohur: heroizmin serb, viktimizimin, fqinjët agresorë të serbëve dhe urrejtjen shekullore të popujve të rajonit e të krejt botës ndaj serbëve. Kaherë, krejt veprat e këtij regjisori, bashkëpunëtor i zellshëm i “Sputnikut” rus, janë cilësuar propagandë edhe nga kritika e huaj. Por atij s’i bëhet vonë.

Me krejt pak “mëlmesa” të tjera duket ta ketë punuar edhe dokumentarin e radhës, “Republika Srpska: Borba za slobodu” (Republika Srpska: Lufta për liri). Kësaj radhe, të paktën prej asaj që shihet në “trailerin” prej 1 minutë e 18 sekondash, serbët e Bosnjë-Hercegovinës janë viktima e ushtria serbe rezistoi heroikisht.

Pas një turneu që kishte nëpër Evropë me këtë dokumentar, Malagurski me shtetësi kanadeze, javën që vjen planifikon ta shfaqë dokumentarin nëpër Serbi. Të martën e ka rezervuar një shfaqje edhe në shtëpinë e kulturës “Trepça” në Zveçan në mes të një turi që nis sot (e premte) në Beograd. E institucionet e Kosovës janë aktivizuar për këtë rast. KOHA të enjten ka provuar të komunikojë me Malagurskin. Ende nuk ka marrë përgjigje.

Pesë vjet më parë qe përfshirë edhe në fushatën institucionale të Serbisë kundër Kosovës në UNESCO. Kishte realizuar dokumentarin, “Kosova - moment në civilizim”. Për dokumentarin e për propagandën e tij, ishte cilësuar si nxitës i urrejtjes ndërtnike. Më 31 maj të 2018-s në orën 11:30 i ishte ndaluar hyrja në Kosovë në pikën kufitare në Jarinje. I ishte dhënë dokumenti nëpërmjet të cilit i refuzohej hyrja në territorin e Republikës së Kosovës nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Traileri” i dokumentarit të tij të ri hapet me dy fjali të regjisorit serb Emir Kusturica, i njohur për qasjen e tij.

“Të jesh serb do të thotë të jesh i lirë. Dhe kjo është ajo që i shqetëson shumë njerëz”, thotë Kosturica, i cili po sikurse Malagurski është i njohur për manipulim të historisë nëpërmjet kinematografisë.

“Traileri” tregon se si urrejtja ndaj serbëve është e vjetër. “Nxitja e urrejtjes vinte njëlloj nga tendat osmane dhe nga gjykatat evropiane. Të jesh serb është e lavdishme, por edhe e shtrenjtë”, thuhet në dokumentar. Aty bëhet e ditur se qe ish-lideri i boshnjakëve Alija Izetbegoviq që “i hapi portat e konfliktit”. E krejt në fund të asaj që jepet në “trailer”, Republika Srpska nuk është veç një etnitet politik. “Është minimumi i nevojshëm që serbët të mbijetojnë në tokën ku kanë jetuar përherë”.

Filmi i Malagurskit sivjet është dhënë në Zvicër, Gjermani, Belgjikë, Holandë e Suedi. Në Frankfurt, Malagurski ishte marrë në pyetje nga Policia, por më pas ishte lejuar të shfaqej filmi.

Në anën tjetër, në Kanada, ku ai ka shtetësi, së voni është iniciuar një peticion nëpërmjet të cilit kërkohet të mos lejohet dhënia e filmit. Peticioni është organizuar nga Ekipi Ndërkombëtar i Ekspertëve të Institutit Kanadez të Hulumtimeve të Gjenocidit. Arsyetimi është i qartë: filmi “bën një përpjekjeje anticivilizuese për të barazuar viktimat e gjenocidit dhe kriminelët, duke rishikuar faktet historike, shkencore dhe gjyqësore për gjenocidin në Bosnjë-Hercegovinë”. Aty përmendet se më 2007 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e ka njohur si gjenocid atë që forcat serbe e kanë bërë në Srebrenicë, ku më 1995 u vranë mbi 8 mijë boshnjakë. Më pas Radovan Karaxhiqit me 20 mars të vitit 2019 nga Mekanizmi Ndërkombëtar për Tribunalet Penale, një gjykatë e Kombeve të Bashkuara, e cila merret me rastet që kanë mbetur të papërfunduara nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime në ish-Jugosllavi, nga 40 vjet, ia bëri dënimin të përjetshëm. Këtë dënim Karaxhiq e ka marrë në moshën 73-vjeçare. Është gjetur përgjegjës për luftën e Bosnjë-Hercegovinës, midis të tjerash edhe për Masakrën e Srebrenicës.

Por Malagurski synon që të martën qytetarët e Kosovës në Zveçan të shohin një film ku bota paraqitet si agresore ndaj Serbisë. Dokumentarin tenton ta shfaqë në shtetin ku më 1998 dhe 1999 Serbia vrau mbi 10 mijë civilë.

Institucionet e Kosovës janë duke u marrë me rastin.

“Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës jemi në proces të shqyrtimit të kësaj situate, pasi e kemi kuptuar nga mediat për një ngjarje që planifikohet të zhvillohet në Zveçan. Do të vendosim bazuar në Ligjin për kinematografi, pasi aty sqarohet se si janë procedurat për t’u shfaqur para publikut një vepër kinematografike”, ka thënë Lum Çitaku, zëvendësues i drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Sipas Ligjit për kinematografi në Kosovë, krejt ata që pretendojnë të shfaqin filma brenda territorit duhet pajisur me leje.

“Për çdo film vendës apo të huaj që synohet të shfaqet publikisht, para se të ketë shfaqjen e parë në Kosovë, distributori, përkatësisht shfaqësi duhet të marrë lejen për shfaqjen publike të filmit”, shkruhet në nenin 9 të Ligjit për kinematografi. Leje jepet nga Komisioni i Vizionimit në kuadër të Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Regjisori Agim Sopi ka thënë se arti nuk duhet të jetë në shërbim të propagandës. Sipas tij, pa leje të Komisionit të Vizionimit nuk mund të shfaqet asnjë film, pasi duhet verifikuar nëse nxit urrejtje gjinore, racore, etnike apo çfarëdo tjetër.

“Në kushte ligjore dhe normale Policia do të duhej të shkojë dhe t’ia kërkojë lejen për shfaqje, pasi ashtu e kërkon ligji”, ka thënë ai. Ka treguar se për filmin e tij “Agnus Dei”, i cili është dhënë në dhjetëra festivale ndërkombëtare, fillimisht është dashur të merret leje nga secili shtet ku është shfaqur.

Sa u përket planeve që “Republika Srpska: Borba za slobodu” në Zveçan, KOHA ka edhe zyrtarët për informim të Ministrisë së Kulturës dhe direkt ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku. Asnjëri prej tyre nuk u janë përgjigjur pyetjeve.

Shteti të paktën deri tash nuk ka pasur kontroll në shtëpinë e Kulturës në Zveçan e as edhe në asnjë tjetër ku serbët janë shumicë. Madje, aktualisht del të jetë i vështirë edhe organizimi i zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore ku bën pjesë edhe Zveçani.

Boris Malagurski në jo pak raste ia ka dalë që fushatën e tij ta shtrijë edhe në qendra evropiane. E bëri këtë më 2017 nëpërmjet Qendrës Kulturore të Serbisë në Paris, ku kishte dhënë premierën botërore të filmit dokumentar “Kosova - moment në civilizim”, pikërisht në kohën kur Kosova synonte anëtarësimin në UNESCO dhe nuk e arriti shkaku i tri votave. Dokumentari hapet me një lloj krahasimi midis shqiptarëve dhe pjesëtarëve të ISIS-it. Nis me pamjet kur i ashtuquajturi Shteti Islamik i shkatërron tempujt antikë. Më pas ngrihet pyetja: “A e keni ditur se kjo po ndodh edhe në Evropë?”. Shfaqjen pamjet e trazirave të vitit 2004. Kur asokohe KOHA kishte raportuar për këtë dokumentar, Malagurski kishte reaguar.

“Në vitet ‘90, Millosheviqi ishte mjaft i bindur se dominimi ushtarak i Serbisë ishte një garanci se gjërat do të shkonin në mënyrën e tij, pavarësisht se çfarë. Ai e kishte gabim. Sot, politikanët shqiptarë të Kosovës janë të bindur se të kesh mbështetjen e SHBA-së do të thotë se ata nuk duhet të kujdesen për asgjë që thotë apo bën Serbia... Por kohët ndryshojnë”, kishte thënë ai. Kishte shkuar edhe më tej me tërheqje paralelesh. Sipas tij, amerikanët ishin aleatë të Sadam Huseinit në luftën midis Irakut dhe Iranit, por gjërat më pas kishin ndryshuar.

“Kohët po ndryshojnë më shpejt se më parë. Miqtë mund të bëhen lehtësisht armiq, por është më e vështirë për armiqtë të bëhen miq”, kishte thënë ai. Në deklaratën e tij krejt politike, kishte thënë se “është koha të heqim dorë nga urrejtja, të mos shikojmë më qendrat e jashtme të pushtetit për t’i zgjidhur çështjet tona dhe të guxojmë të ëndërrojmë, të bashkohemi kundër pushtuesve të vërtetë që kanë shfrytëzuar urrejtjen tonë”. “Është në interesin tonë. Gjithçka tjetër nuk është, sado që politikanët përpiqen ta shesin atë”, kishte thënë ai.

Tash, në dokumentarin e radhës Malagurski ia mësyn ta futë në Kosovë edhe regjisorin Emir Kusturica, qoftë nëpërmjet ekranit. E para një dhjetë vjetësh të zëshme qenë kërkesat në Kosovë që ai të shpallej “persona non grata”. Kjo pasi më 2013 paralajmëroi se po shkruante skenarin e filmit bazuar në raportin e Dick Martyt, që pretendon se liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë bërë tregti me organe të njerëzve. Ani pse filmi – së paku deri më tani nuk është realizuar – paralajmërimi i tij asokohe bëri bujë. Kusturica, veç tri ditë para se Rusia të niste agresionin në Ukrainë, më 21 shkurt, doli se kishte pranuar ofertën e ministrit të Mbrojtjes të Rusisë, Sergej Shojgu, që ta marrë pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Qendror të Armatës së Rusisë. Vetë deklaroi së e kishte pranuar ofertën, më pas e ndërroi deklaratën, akuzoi se ishte keqinterpretuar.

Boris Malagurski edhe kundërshtimet që u bëhen filmave të tij, i fut në punë për propagandë. S’i lë pa i shpërndarë nëpër profilet e tij, tek i paraqet si sulme.