Kulturë

“Art Without Limit“ u jep zë kauzave për gjithëpërfshirje

“Art Without Limit“ qysh në hapje në “Kino Armata”, ka dhënë shembull se nuk duhet të ketë kurrfarë pengesash jo vetëm në art. Nëpërmjet filmave, trajton histori e tema të ndryshme por që bashkohen në kauza për personat me aftësi të kufizuara
 

Arti nuk njeh kufij. E këtë e dëshmon “Art Without Limit“, i cili sivjet vjen me edicionin e tretë. Nëpërmjet programit, por edhe në esencë, përkrah personat me aftësi të kufizuara, bëhet zëri i tyre dhe i kauzave të tyre. “Në Kosovë janë rreth 200 mijë persona me aftësi të kufizuara dhe është një komunitet tepër i madh, ku ka njerëz shumë të suksesshëm, kështu që po ua japin një mundësi që njerëzit ta kenë një vend, një platformë, dhe një ambient ku mund të takohen bashkë”, ka thënë drejtoresha e festivalit, Ganimete Sava

E shpejtë është shkrirja e kufijve nëpërmjet artit, dhe “Art Without Limit” e arrin këtë edhe pa e elaboruar fort qëllimin por i mjafton veprimi. Edicioni i tretë i këtij festivali, i cili në esencë ka gjithëpërfshirjen e ngritjen e kauzave në përkrahje të personave me aftësi të kufizuara, e bën këtë nëpërmjet artit.

Salla e kinemasë “Armata”, ka qenë e mbushur plot në hapjen solemne të enjten mbrëma. Nuk janë vetëm temat e filmave ato që harmonizohen me kauzën. Festivali treditor bën bashkë me mbi pesëdhjetë filma nga shtete të ndryshme të botës duke nisur nga Gjermania, Turqia, Pakistani, Argjentina Franca, Australia e të tjera. Por, veçantia e këtij festivali qëndron mu në natyrën e filmave. Secili prej tyre ka në përbërjen e ekipit persona me aftësi të kufizuara, qoftë si aktorë, regjisorë apo çfarëdoqoftë. Nëpërmjet kësaj, “Art without limit” synon të përçojë mesazhin se pavarësisht pengesave, ata janë të barabartë me të tjerët.