Kulturë

Thesaret botërore: Prej bukës franceze e bletëve deri te gjuetia e arinjve

Baguette - buka franceze - UNESCO

Çfarë i lidh bukët franceze baguette, bletët dhe gjuetinë e arinjve? Të gjitha i bashkohen listës së “thesareve njerëzore” të UNESCO-s

Në pamje të parë duket se nuk kanë ndonjë lidhje baguettet franceze, vallet rituale furyu-odori të Japonisë, një pjatë e ftohtë noodle e Koresë së Veriut me emrin “naengmyeon”, festat e ariut të Pirinejeve dhe artet tradicionale marciale të Kamboxhias, “Kun L’bokator”.

Por të gjitha këto sapo janë njohur si pjesë e trashëgimisë kulturore jomateriale të njerëzimit. Vendimi është marrë nga një komitet prej 24 anëtarësh të UNESCO-s, i cili u takua këtë javë në Rabat për të shqyrtuar nëse 56 thesaret e propozuara njerëzore meritojnë t’u bashkëngjiten edhe 600 thesareve të tjera, tashmë pjesë e listës.

Konkurrentët e tjerë përfshijnë lojërat tradicionale të kuajve në Gjeorgji, pastën me spec djegës të Magrebit të njohur si “harissa”, rakinë e kumbullës “Šljivovica” të Serbisë, thirrjen orale të devesë në Arabinë Saudite dhe Oman dhe një lahutë të Azisë Qendrore të quajtur “Rubāb”.

Franca e përshëndeti njoftimin se “njohuria artizanale dhe kultura e bukës së baguette” ishte futur në Listën e UNSECO-s. Delegatët francezë, të cilët po merrnin pjesë në konferencën e UNESCO-s tundën bukët e gjata dhe brohoritën.

Kjo “himnizon mënyrën e jetesës franceze: baguette është një ritual i përditshëm, një element strukturues i vaktit, sinonim i kulturës sonë të ndarjes së gjërave me të tjerët dhe të qenit i këndshëm”, ka thënë shefja e UNESCO-s, Audrey Azoulay, ish-ministre franceze e Kulturës.

Rreth 320 baguetta – të përshkruara nga Emmanuel Macron si “250 gramë magji dhe përsosmëri” – shiten çdo sekondë në Francë. Bukët e gjata të rreshkura përjashta dhe të buta brenda në mes, kanë qenë pjesë e jetës së përditshme franceze për të paktën 100 vjet.

Por numri i furrave artizanale në vend ka rënë nga 55 mijë sa ishin në vitin 1970 në 35 mijë, e kjo për shkak të përhapjes së furrave industriale dhe të pikave të shitjes jashtë qytetit.

“Është e rëndësishme që këto aftësi dhe zakone sociale të vazhdojnë të ekzistojnë në të ardhmen”, ka thënë Azoulay.

Katër prej aseteve të tjera në UNESCO – një stil të qeramikës kiliane, punimet me gurë të lashtë “Ahlat” nga Turqia, qeramika e etnisë Chăm të Vietnamin dhe një fustan në formë kambane nga Shqipëria, e njohur si xhubleta – konsiderohen aq të kërcënuara sa të kenë nevojë urgjente për mbrojtjen ndërkombëtare.

Pjesa tjetër, ndonëse disi më pak e rrezikuar, nga qeveritë që i parashtrojnë vazhdojnë të konsiderohen si të denja për t’u njohur si pjesë e “njohurive dhe aftësive të nevojshme për mjeshtërinë tradicionale dhe praktikat kulturore që do të transmetohen brez pas brezi”.

Ndoshta ajo për të cilën njihet më së shumti UNESCO-ja është vlerësimin i vendeve si Stonehenge, Taj Mahal dhe piramidat egjiptiane për “vlerat e jashtëzakonshme universale për njerëzimin”.

Por muzika, artizanati, ushqimi, pijet, ritualet, vallet dhe zakonet në Listën e trashëgimisë jomateriale, sipas UNESCO-s, përbëjnë “një trashëgimi të gjallë, e cila, e transmetuar brez pas brezi, u jep komuniteteve një ndjenjë identiteti dhe vazhdimësie, e cila konsiderohet thelbësore për respektimin e diversitetit kulturor dhe të krijimtarisë njerëzore”.

Konventa e vitit 2003 është nënshkruar deri më tani nga 180 vende – edhe pse jo nga Britania e Madhe – gjë që shpjegon pjesërisht pse ritualet unike britanike, si kërcimi Morris, pirja e çajit dhe “rrotullimi i djathit” (një soj loje tradicionale ku garuesit rrotullohen teposhtë bregut) nuk kanë marrë ende njohje nga UNESCO-ja.

Kultura “chai” e Azerbajxhanit dhe Turqisë dhe “teknikat tradicionale të përpunimit të çajit dhe praktikat sociale” në Kinë, megjithatë, janë në shqyrtim të këtij viti, siç është edhe “njohuria e mjeshtërve të rumit të lehtë” të Kubës.

Konkurrentët e tjerë përfshijnë festimet e 15 gushtit të dy komuniteteve malësore në Greqi, gostisë Al-Mansaf në Jordani, bluzën e qëndisur “altiţă” të Rumanisë dhe – më shumë në mënyrë prozaike – bletarinë në Slloveni, zilet e kambanave në Spanjë dhe “kulturën e panairit” në Belgjikë.

Tashmë në listë janë ecja koreane në litar, gastronomia franceze dhe deveja mongoliane, së bashku me pjatat e famshme, përfshirë picën napolitane, kuskusi afrikano-verior, brumin e thartë dhe të rrafshuar maltez, si dhe biskota kroate me xhenxhefil.

Procesi i kërcimit në Echternach të Luksemburgut, një procesion ekscentrik tradicional 500-vjeçar i Ditëve të Rrëshajave në të cilin me mijëra njerëz, të përcjellë nga e njëjta melodi, kërcejnë një lloj vallëzimi përgjatë gjithë rrugës deri te varri i Shën Willibrord, është gjithashtu pjesë e listës.

Po kështu, është edhe gara vjetore kositjes së barit në Kupres në Bosnjë-Hercegovinë, festimet tradicionale të shegës në Azerbajxhan, të njohura si “Nar Bayrami”, kultura e saunës së Finlandës, reggae e jamaicas dhe dieta mesdhetare.

Në vitet e kaluara Komiteti ka ratifikuar pothuajse të gjitha nominimet dhe do të bëjë të njëjtën gjë këtë vit. Shqyrtimet e tij, të cilat transmetohen drejtpërdrejt dhe të cilat duhet thënë se janë shumë më pak argëtuese se shumë nga specialitetet gastronomike, zakonet dhe instrumentet që ata po shqyrtojnë, vazhdojnë deri të shtunën.

Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Mirjetë Sadiku