Kulturë

“Autostrada Hangar” prezanton “instalacionin” e hapësirës së saj

Nga një depo e kampit ushtarak gjerman në Prizren e kthyer në qendër arti bashkëkohor, “Autostrada Hangar” është vendi ku komuniteti artistik e publiku mblidhen për të krijuar e parë artin që ofrohet. Që nga zanafilla e saj, “Autostrada Biennale” është bazuar në krijimin jo veç të artit, por edhe të ambientit ku do të ushtronte veprimtarinë. Orenditë e pjesët e tjera janë produkt i stafit bashkë me 60 vullnetarë të angazhuar. Pikërisht kjo është arsyeja e ekspozitës “Tregimi i Autostrada Hangar” si pasqyrim për gjithë procesin e transformimit të hapësirës boshe në vendin unik e shumëdimensional.

Gjithçka është punuar në kuadër të programit për edukim të “Autostrada Biennale”. Që në kontaktet e para me hapësirën ku organizata ushtron veprimtarinë bëhet i qartë misioni i saj: edukimi, prodhimi dhe ekspozimi. Ulëset e tavolinat prej druri, raftet e librave e ato të dyqanit, kuzhina lëvizëse, kabina për muzikë e skena prej metali, deri te vazoja për pemën e ullirit, janë ato që e përmbushin hapësirën. Disa nga veprat e edicionit të tretë të “Autostrada Biennale” qëndrojnë të varura në sektorin për ekspozim tek mbahen për fije metalike që zgjaten nga pjesa e sipërme e objektit. Mysafirët mund të shohin artin e Flaka Halitit, Edona Kryeziut, “Haveit”, por edhe të artistëve joshqiptarë. Në fokus të së shtunës mbrëma ka qenë ekspozita që vjen si rrëfim që nga projeksioni i hapësirës deri te produktet finale.

Posterë të mbështjellë me material të fortë janë vendosur në tavolinat ekspozuese që ishin punuar gjatë kampit në kuadër të programit të edukimit. Fotografitë gjatë punëtorisë, bashkëngjitur me ato të produkteve finale përkatëse, shfrytëzimi i tyre e pamjet nga trajnimet e mbajtura për multimedia dhe teknologji janë përcjellë edhe me përshkrim sqarues.

Kështu bëhet e ditur se tavolinat janë krijuar nga mbetjet metalike të veprës “Urgjenca e vet humbi në kthim mbrapa (duke mbetur gjithmonë me vonesë)” nga artistja Flaka Haliti e krijuar për edicionin e tretë të “Autostrada Biennale”. Për shkak të strukturës së veçantë metalike, tavolinat paraqesin një dizajn unik. I gjithë koncepti i “Autostrada Hangar” është krijuar mbi bazën e riciklimit dhe kthimit në përdorim të materialeve të mbetura nga veprat e artit të edicioneve të kaluara të saj. Vetë hapësira ka qenë inspirim për krijimin e një vepre të re të artit nga artistja Flaka Haliti të titulluar “Nën diell – Shpjego çfarë ndodhi”, e cila ishte ekspozuar edhe gjatë edicionit të bienales nomade “Manifesta 14” në Prishtinë.

Skena e vendosur në njërën anë të hapësirës është punuar nga materialet e ricikluara të edicionit të dytë të “Autostrada Biennale”. Pjesët metalike të saj, shkruhet se kanë shërbyer si urë për t’iu mundësuar qasje vizitorëve në shtratin e lumit që ndan Prizrenin në dysh gjatë edicionit të dytë . Tani të transformuara në skenë, ato përdoren për ngjarje të ndryshme si konferenca, koncerte, prezantime dhe panele diskutimi.

Kabina e posaçme përdoret si hapësirë integrale e hapësirës gjatë performancave muzikore me DJ. Ajo është transformuar nga vepra artistike e kolektivit “Iramamama” nga Xhakarta. Raftet e dyqanit janë po ato që kryejnë edhe funksionin e minibiliotekës. E punuar nga materiali i drurit dhe e ndarë në katër pjesë, secila nga to ka nga 12 rafte në anën e përparme për vendosjen e librave dhe nga ana e pasme ato janë projektuar për vendosjen e rrobave dhe materialeve të tjera sipas nevojës.

“Kuzhina është e punuar nga materiali i drurit dhe është e përbërë nga katër module të cilat janë të pajisura me të gjitha mjetet e teknikës së bardhë për përgatitjen e ushqimit. Ajo është e dizajnuar në atë mënyrë që të lëvizë dhe të jetë funksionale në katër vende të ndryshme të hapësirës, përfshirë edhe atë jashtë. Ajo është krijuar nga ‘Autostrada Hangar’ dhe nga pjesëmarrësit në punëtorinë e dytë të mundësuar nga Ambasada e Luksemburgut”, shkruhet në njërin nga posterët e ekspozitës. Ndërkohë, në tërësi, hapësira ka dy kate që shfrytëzohen nga stafi, por një pjesë e saj shfrytëzohet edhe si punëtori për tekstil. Karakteristikë e saj është ndarja me xhama që mundëson transparencë të plotë.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, bashkëthemeluesja e “Autostrada Hangar”, Vatra Abrashi, ka treguar se si i kanë përdorur materialet e mbetura nga edicionet e saj për t’i futur në funksion në të ardhmen.

qe një kohë ishte material i mbetur, u bë substanca kryesore e krijimit të ‘Autostrada Hangar’. Pra 50 për qind e materialeve të përdorura për krijimin e hapësirës ishin materiale të ricikluara nga edicionet e kaluara të Bienales. Ky fakt dëshmon përkujdesjen tonë ndaj mjedisit dhe kontribuon në qëllimin tonë afatgjatë që t’i mësojmë dhe t’i inspirojmë gjeneratat e reja që të mendojnë në mënyrë kritike për mbrojtjen e mjedisit dhe të vijnë me alternativa të ndryshme kreative të prodhimit dhe jo vetëm të konsumimit”, ka thënë Abrashi para të pranishmëve.

Punëtoria kishte filluar në marsin e vitit të kaluar dhe kishte zgjatur rreth një vit. Në marsin e këtij viti ishte hapur hapësira në të cilën sot e ushtron aktivitetin e saj kjo organizatë. Abrashi ka thënë se nëpërmjet ekspozitës kanë dashur të përçojnë storien inspiruese për të rinjtë.

“Punëtoritë janë zhvilluar në tri departamente: departamenti për dru, metal dhe tekstil, i dyti ka qenë për media dhe komunikim, ndërsa i treti për teknologji. Fillimisht kanë ndjekur në veçanti e më pas janë bërë bashkë për të punuar si ekip. Më herët e kemi pasur ekspozitën jashtë të artistes Agnes Denis, që ka qenë ‘Fusha e lulediellit’. Kemi mbledhur luledielli së bashku me tre aktivistë”, ka thënë Abrashi.

Historia e “Autostrada Hangar” ka filluar shumë më herët se hapësira e saj. Një pjesë e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren u kthye në vendin me potencial të jashtëzakonshëm edhe për shkak të bashkëpunimit mes partnerëve aty. Ajo është krijuar për të rritur ndërveprimin e komunitetit artistik me audienca të ndryshme gjithëpërfshirëse. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se përshkruesi më i mirë i aktivitetit është shndërrimi i projektit në institucion. Sipas tij, këtu qëndron fuqia e “Autostradës... “dhe përbën thelbin e reformës në sektorin e kulturës që sipas tij po e bën Ministria. “Duke e rritur financimin substancialisht për ata që bëjnë punë, duke e zhvilluar një ligj të ri i cili do të krijojë më shumë hapësirë për kreativitet dhe prodhim e më pak për burokraci, dhe përfundimisht duke investuar maksimalisht në nxitjen e nismave të shoqërive civile, pra skenat e pavarura, por edhe përmes krijimit të institucioneve të reja publike të kulturës”, ka thënë ministri Çeku derisa ka përmendur edhe një herë themelimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor. Sipas tij, vendi po shndërrohet në lider rajonal të këtij arti.

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka konsideruar me fat qytetin që ai udhëheq pasi pjesë e tij është edhe “Autostrada Hangar”. “Duke qenë si qytet i tolerancës e bashkëjetesës nuk ka si të mos jetë qytet i kreativitetit dhe i improvizimeve. Prandaj ne të gjithë krenohemi me ‘Autostrada Biennale’ dhe e përgëzoj ekipin që e ka themeluar dhe po e zhvillon këtë projekt. Në cilësinë e kryetarit jam mësuar që bashkëpunëtorëve t’u them ‘më shpejt, më shpejt’, por këtu po duhet t’u them ‘më ngadalë’ pasi po lëvizni shumë shpejt dhe të tjerët nuk po munden t’ju përcjellin”, ka thënë Totaj para të pranishmëve.

Ekspozita është mbështetur nga Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ). Përfaqësuesja e saj në Kosovë, Rudina Qerimi, është shprehur se ekspozita për transformimin e një hangari në hapësirë kreative të hapur për të gjithë tregon një model për ata që kanë vizion dhe ide të ngjashme.

Funksionet e çdo objekti të punuar për t’u kthyer në përdorim në këtë hapësirë është dëshmuar edhe më tej. Program me muzikë është shpalosur për të argëtuar numrin e madh të njerëzve të pranishëm. Koncert jazzi është mbajtur nga treshja franceze “Trio Contraccordiano / Le FlonFlons”. Në vokal ka performuar Claude Vadasz i shoqëruar me muzikë nga Thibault Dille në fizarmonikë, Christophe Hache në bass dhe Jeremie Ternoy në piano. Para të pranishmëve kanë sjellë frymën e këngës franceze, e nëpërmjet saj edhe e kanë udhëtuar publikun në këtë frymë. Kanë kënduar këngët e famshme si “Indifférence”, “La mer”, Les amoureux des bancs publics” e “C'est un mauvais garçon”. Në një udhëtim për në Paris, publikun e kanë nxjerrë për disa minuta në udhëtim nëpërmjet këngës “Couleur Cafe” për ta rikthyer këngën franceze të viteve ’60.

Kënga “L’amour toujours” ka qenë dedikim për dashurinë, derisa këngëtari francez Claude Vadasz ka ftuar publikun në vallëzim me këtë këngë. “E kam shijuar performancën këtu në Kosovë dhe sidomos sonte në Prizren. Kam qenë në Kosovë vitin e kaluar për të performuar në Prishtinë dhe në Pejë, në ‘Peja Jazz’. Përveç kësaj jemi këtu në kuadër të shkëmbimit kulturor mes Francës dhe Kosovës. Sonte kemi performuar këngë të famshme të kompozitorëve të famshëm në Francë”, ka thënë Vadasz për KOHËN.

Performanca e suksesshme me muzikë elektronike nga Adrian Berisha ka qenë tjetër dëshmi për një hapësirë funksionale. “Autostrada Bienale” është në përgatitje të edicionit të katërt të saj që mbahet gjatë korrikut të vitit të ardhshëm. Nga organizatorët është bërë e ditur se do të jetë edicioni i saj më i madh deri më tani.