Kulturë

Filharmonia dhe Obiliqi shkëmbejnë energji me “Frymë”

Sapo përmendet emri i Obiliqit, njëra anë e tij janë tymtarët e smogu që asocojnë me këtë qytet. Ana tjetër: qyteti me peshë prej nga vjen energjia elektrike për gati krejt vendin. Por koncerti i parë i Filharmonisë së Kosovës në këtë qytet, ka qenë bash siç është ilustruar në posterin e tij, me instrumentistët që aterojnë nëpërmjet balonave që duken si poçe elektrike. Por energjia midis Filharmonisë dhe Obiliqit me koncertin e titulluar “Frymë” ka qenë në shkëmbim të ndërsjellë. Institucioni më i lartë i muzikës në vend, aty ka gjetur diçka që s’e ka në Prishtinë

Në një sallë ku instrumentistët marrin trajtimin dinjitoz, akustika është e përkryer dhe hapësira nuk është improvizim – siç ndodh rëndom në sallat e kryeqendrës – Filharmonia e Kosovës vazhdon shtrirjen duke shënuar decentralizimin muzikor.

Image
Nën dirigjimin e Baki Jasharit e Lirjona Sylejmanit, koncerti “Frymë” i dha vulë domosdoshmërisë së shtrirjes nëpër qytete tjera. U ripotencua thirrja e njëjtë: nevoja e një objekti ku instrumentisët nuk improvizojnë, por trajtohen ashtu siç e meritojnë.

Obiliqi ka qenë adresa e dytë pas Suharekës dhe pritja qe e veçantë. Shtëpia e kulturës “Xhavit Haziri” me kapacitet prej 200 ulësesh u bëri nikoqirllëk instrumentistëve të Orkestrës Frymore, me infrastrukturën prej të rrallave në Kosovë e veçmas me komoditetin që instrumentistëve u mungon në Prishtinë. Është inauguruar para dy vjetësh e gjysmë.

Orkestra ka bërë përzgjedhjen e duhur të programit: për krijimet e huaja ka shkuar me ato të njohurat si “Piratët e Karaibeve”, “Oregon”, “Arabesque”, “Bossa Nova” e “Fanfare Nueve”. Ndërkaq, pjesa e dytë e koncertit ka qenë edhe më e afërt për publikun, në mesin e të cilëve ka pasur edhe të tillë që me Filharmoninë janë takuar sefte.

Në shtëpinë e kulturës “Xhavit Haziri” u dëgjuan edhe “Pranvera filloi me ardhë” e “Hej ju male”, interpretuar nga Denik Prizreni, si aranzhmane të Kreshnik Aliçkajt, “Hapi sytë e zezë” me ndërhyrjen e Avni Krasniqit, sikurse edhe “Agimet shqiptare” e Avni Mulës, interpretuar prej Adelina Palojës. Në fund kumboi vepra e cila me klarinetistin, Shkumbin Bajraktari ka rrugëtuar në disa koncerte tashmë, “Baresha” e Rexho Mulliqit e cila e përmbylli koncertin që u duartrokit gjatë nga publiku.

Image
“Ajo çka karakterizon Obiliqin është salla e mrekullueshme, qendra kulturore, e cila na ka befasuar me infrastrukturën komplekse që u nevojitet evenimenteve të tilla...”, ka thënë drejtori i Filharmonisë, Baki Jashari

Nën dirigjimin e Baki Jasharit e Lirjona Sylejmanit, koncerti “Frymë” i dha vulë domosdoshmërisë së shtrirjes nëpër qytete të tjera. U ripotencua thirrja e njëjtë: nevoja e një objekti ku instrumentisët nuk improvizojnë, por trajtohen ashtu siç e meritojnë. Mirëpo, në të njëjtën kohë u dha edhe sinjali që shpesh kushtet infrastrukturore i zotërojnë qytetet jashtë Prishtinës. Kështu bëhet edhe më e dukshme nevoja e daljes nga qendra dhe shtrirja në lokalitete më të vogla, e që nëpërmjet koncertit të së enjtes mbrëma u dëshmua se interesimi për ngjarje kulturore te ta nuk mungon. U zhvendos edhe narrativa për Obiliqin qytet i smogut, por prej të cilit vjen energjia, drita. Po aty zbarkoi muzika klasike, në një vend që s’ka shkelur më parë.

Image
Për sopranon Adelina Paloja, koncerti qe emocion i veçantë. Jo veç për faktin e këndimit të veprës “Agimet shqiptare”, por edhe për performimin në vendlindje, ku edhe nisi rrugëtimin muzikor

Për sopranon, Adelina Paloja, koncerti qe emocion i veçantë. Jo veç për faktin e këndimit të veprës “Agimet shqiptare”, por edhe për performimin në vendlindje, ku edhe nisi rrugëtimin muzikor.

“Unë qysh nga fillimi e kam parë shumë interesante iniciativën e Filharmonisë për të lëvizur nëpër qytete që s’shquhen fort për organizime të muzikës klasike. Ku më bukur se këtu ku kam kaluar një pjesë të jetës sime shumë të vlefshme dhe hapat e parë muzikore qysh në moshën 6-vjeçare, ku babai më ka dërguar nga këtu në kryeqendër”, ka thënë Paloja.

Ka përmendur se Obiliqi zotëron sallën e cila ka akustikën dhe infrastrukturën e duhur. Ka potencuar se vepra së cilës i ka dhënë jetë ka tekst të fuqishëm, mjeshtëri të autorit dhe e ka ndier maksimalisht.

Jashari: Gjetëm shtëpinë që s’e kemi në Prishtinë

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, e ka cilësuar si rast të rëndësishëm koncertin në Obiliq. Ka treguar se Kamenica e Mitrovica janë destinacionet e radhës për koncertet në lëvizje.

“Ajo çka karakterizon Obiliqin është salla e mrekullueshme, qendra kulturore, e cila na ka befasuar me infrastrukturën komplekse që u nevojitet evenimenteve të tilla, aq më shumë Filharmonia që ka kërkesa komplekse”, ka thënë Jashari.

E ka pranuar se në këto performanca sheh shpresë për sigurimin e infrastrukturës në objektet kulturore në kryeqendër.

“Ne këtu gjetëm një shtëpi tonën që e kemi ëndërruar e që s’e kemi në Prishtinë. Është bërë edhe e tepërt të thuhet që 23 vjet pas luftës ne ende lëngojmë nga mungesa e objekteve kulturore në kryeqendër. Ja disa metra larg Prishtinës e kemi një sallë të mrekullueshme”, ka thënë Jashari.

Image
Në shtëpinë e kulturës “Xhavit Haziri” u dëgjuan edhe “Pranvera filloi me ardhë” e “Hej ju male”, interpretuar nga Denik Prizreni, si aranzhmane të Kreshnik Aliçkajt

“Kjo është ngjarje historike”

Veterani i aktrimit në këtë komunë, Fatmir Bislimi, ka thënë se koncerti i Filharmonisë së Kosovës në qytetin ku vepron, ka peshë të shumëfishtë.

“Kjo na ka befasuar ne artdashësit dhe jemi shumë krenarë që e kemi mbërritur ta shohim Filharmoninë e Kosovës në Obiliq. Kjo është ngjarje historike, po ndodh për herë të parë”, ka thënë ai.

Si fatmirësi e ka vlerësuar edhe faktin e posedimit të një shtëpie të kulturës model për qytetet e tjera, e që kjo edhe ua ka lehtësuar performancën instrumentistëve.

“Është shumë e nevojshme me sensibilizu këtë mes, se ne kur japim shfaqje këtu ne e kemi plot sallën, pastaj pse mos me e sensibilizu për muzikë serioze. Unë mendoj që kjo është e qëllueshme, por sikur të përsëritej do të ishte shumë mirë”, ka thënë ai.

Image
Në fund kumboi vepra e cila me klarinetistin, Shkumbin Bajraktari ka rrugëtuar në disa koncerte tashmë, “Baresha” e Rexho Mulliqit, e cila e përmbylli koncertin që u duartrokit gjatë

Në qytetin e prejardhjes e ndoqi koncertin edhe valltari i ansamblit të këngëve dhe valleve, “Shota”, Besnik Grajçevci, i cili ka vlerësuar se Obiliqi është ndriçuar me koncertin e Filharmonisë.

“Kam emocion sepse është histori më vete, krejt këto çka sot ndodh dhe Obiliqi e ka për herë të parë institucionin më të lartë të shtetit, kjo e ka një adresë, ajo është liria e Kosovës”, ka thënë ai duke çmuar profesionalizmin e instrumentistëve.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi ka thënë se prania e Filharmonisë ka qenë nderim për qytetin.

“E veçantë për ne është se pikërisht ka qenë për herë të parë, tani me kompletimin e shtëpisë së kulturës janë krijuar edhe mundësitë që të kemi edhe programe me Filharmoninë. U jam mirënjohës të gjithëve për pranimin e ftesës”, ka thënë Gashi.

Programi “Filharmonia në lëvizje” kishte filluar me koncertin në Suharekë më 14 tetor, teksa pas Obiliqit destinacionet e radhës pritet të jenë Kamenica e Mitrovica. Ndërkaq shtëpia e kulturës “Xhavit Haziri”, është përuruar në qershorin e vitin 2019, duke shënuar 20-vjetorin e çlirimit të Obiliqit dhe mbetet një nga qendrat shembull të kulturës në Kosovë.