Kulturë

Portugalia, stacioni i radhës i “Siparantumit”

Kori “Siparantum” ka kohë që ka depërtuar përtej kufijve jo vetëm vendorë, por edhe më gjerë. Formacioni koral që është dëshmuar në salla prestigjioze ndërkombëtare, do të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Koreve “Lisbon Sings” në Portugali që mbahet prej 9 deri më 14 nëntor.

Kori “Siparantum” garon në kategoritë “A1 – Choirs of Mixed Voices – Difficulty Level I” që është kategoria më e vështirë e festivalit dhe gara në kategorinë “S – Sacred Choral Music a cappella”. Përpos pjesëmarrjes në program garues, kori do të jetë pjesë e koncertit “Friendship Concert”, i cili do të mbahet në sallën e Universitetit të Lisbonës. Lajmi është bërë i ditur nga kori “Siparantum”, ku thuhet se pjesëmarrës janë 22 kore nga 17 shtete të botës.

“Nga data 09-14 nëntor ne do të jemi në Festivalin Internacional të Koreve ‘Lisbon Sings’ - Portugali, aktivitet ky që është pjesë e ‘WORLD'S BEST CHOIRS Rankings of the Top 1000 Choirs and Ensembles’, ku ne tashmë vetëm jemi pjesë e saj. Përpos sfidave dhe sakrificave që ballafaqohemi, falë punës, përkushtimit maksimal dhe dashurisë për vendin tonë, ne po ia dalim suksesshëm”, thuhet në njoftimin e lëshuar në rrjete sociale.

Siç është bërë e ditur, formacioni koral nga Peja do të paraqitet në këto koncerte me vepra të epokave të ndryshme stilistike të kompozitorëve shqiptarë.

Grumbullimi vullnetar i prirë nga dirigjenti e kompozitori Memli Kelmendi ishte prezantuar edhe në festivalin ndërkombëtar të korit “We are Singing Ljubljana” me tri koncerte me karakter jogarues.

Në maj të këtij vitit “Siparantum” ishte në garë në dy kategori të Festivalit Evropian të Muzikës për të Rinj në Belgjikë. Korit nga Peja i është ndarë Çmimi i parë në kategorinë “F” dhe atë “G”. Kësisoj, në të dyja kategoritë ku ka garuar formacioni ka triumfuar. Në edicionin e 70-të të “Europian Music Festival for Young People” prej 29 prillit deri më 2 maj kanë marrë pjesë 50 kore nga vende të ndryshme të botës.

“Siparantum” ka hyrë zyrtarisht në rangimin për koret më të mira në botë, që bën bashkë një mijë kore. Është radhitur në pozitën e 460-të dhe ka 896 pikë. Në mars të 2021-s mori pjesë në Festivalin Evropian për të Rinj, me traditë prej shtatë dekadash, që edhe atë vit virtualisht bashkoi 100 kore. Në tetorin e vitit të kaluar, Kori nga Peja, që për herë të parë bëri që një kor nga Kosova të marrë pjesë në garën “Zlatna lipa” në Kroaci, mori “Pllakatin e Artë”. Kurse në nëntor, në garën më të madhe në botën e muzikës korale që mbajti edicionin e saj të 11-të në Gent dhe Antwerp të Belgjikës, për herë të parë e vendosi emrin e Kosovës në atë që konsiderohet si Olimpiada e muzikës korale. U kthye në shtëpi edhe me çmim. Mori medalje si Kori më i mirë në kategorinë dedikuar muzikës bashkëkohore.