Kulturë

“Minatori” i para një shekulli, i zhvendosur në kohë, thërret për rebelim

“Husino’s Miner” titullohet performanca e cila shtatoren e minatorit të viteve ‘20 të shekullit të kaluar në Husino të Tuzllës në Bosnjë-Hercegovinë e sjell në kohën e sotme, tek e formëson si mozaik pasqyrash, të cilat asosojnë me thirrjen për vetëreflektim. Koncepti lidhet me ngjarjen e vërtetë, kur minatorët u rebeluan keqas kundër shtypjes së tyre. Edhe minatori i sotëm kërkon rebelim por në një tjetër kontekst

Skulptura prej copave të pasqyrave “kopjon” atë të minatorit në fshatin Husino në Tuzëll të Bosnjë-Hercegovinës tek zhvendoset në kohë dhe i flet së tashmes. Origjinalja i dedikohej rebelimit të minatorëve në vitet ’20 të shekullit të kaluar. E risjell në formë performancën audiovizive me titullin “Husino’s Miner”, jehona e asaj që përfaqëson një monument i tillë, jehon në një tjetër kontekst. E thotë prerazi: “E kaluara ime është e ardhmja jote”, siç është edhe nëntitulli i performancës 25-minutëshe të autorit Branko Shimiqit, e shfaqur pasditen e së mërkurës në teatrin “Dodona” të Prishtinës, në kuadër të edicionit të pestë të “Kosovo Theatre Showcase”.

Minatori, si ai i shtatores origjinale, si ky me pasqyrë, në njërën dorë mban pushkën, ndërsa në tjetrën kazmën. Historia e një shekulli më parë lidhet me grevën e minatorëve të rebeluar e të armatosur kundër skllavërisë industriale. Në këtë kryengritje morën pjesë diku 7000 minatorë nga vende të ndryshme të Bosnjës qendrore. Revolta u shtyp me dhunë me ç’rast shtatë punëtorë mbetën të vdekur dhe katërqind prej tyre u arrestuan.

Nisur nga kjo, shtatorja e Husinit mbeti simbol i rebelimit dhe shembull i luftës së klasave kundrejt padrejtësisë dhe shtypjes. Sot ajo vjen si thirrje për revoltim, por në një shoqëri bashkëkohore revolta ka kuptim ndryshe nga ai i njëqind vjetëve më parë. Autorët e performancës synojnë të revoltohen duke e endur skulpturën e tyre të Husinos nëpër vendet e ndryshme të Evropës, aty ku minatorët e atëhershëm nuk kishin mundur të shkonin dhe atje ku sot të rinjtë kanë ikur për një jetë më të mirë.

Skulptura i ngjan një topi diskoje që vazhdimisht i ndryshon ngjyrat, varësisht nga drita që bie mbi të. Diskos i ngjan edhe muzika. Krejt kjo, shtatoren e transformon edhe në koncept. Herë pas here në sallë dëgjohet edhe një zë, i cili, teksa shtatorja i përsërit vazhdimisht rrotullimet, flet për temën e kapitalizmit, tranzicionit, ikjen e fuqisë punëtore e shumëçka tjetër.

Dalibor Brkiq, realizues teknik i kësaj shfaqjeje, ka thënë se vepra është dëshmi e ndryshimeve që kanë ndodhur nga e kaluara tek e tashmja dhe se ajo sjell më vete edhe dyshimin nëse sot do të mund të organizohej një rebelim.

“Jam i lindur në Husino, në të njëjtin vend ku ndodhi rebelimi i minatorëve njëqind vjet më parë. Aty ka lindur edhe autori i kësaj vepre, Branko Shimiq. Paraardhësit tanë ishin minatorë, ndërsa sot nuk ka asnjë minator në Husino, në këtë territor të Bosnjës. Aty nuk ka më rebelim dhe ka shumë dallim midis kohës së tyre dhe kohës sonë. E pyes veten dhe të gjithë të tjerët nëse është i mundur rebelimi sot. Dhe si mund të bëhet ai”, ka thënë Shimiq. Për të, rebelimi i sotëm është i domosdoshëm. Por jo në kuptimin e rebelimit të dikurshëm.

“Na duhet një rebelim. Sigurisht ne nuk do të shkojmë me pushkë e me kazmë në dorë sikurse paraardhësit tanë, por disa ide ishin që ta marrim këtë monument të Husinos në Tuzëll dhe ne deshëm që ta çonim atë në Evropë për t’i parë qytetarët tanë që kanë ikur atje për një jetë më të mirë”, ka thënë

Agata Tomshiq, që jeton në Itali. Është aktore dhe dramaturge.

“Më pëlqeu shumë, sepse merr diçka nga e kaluara dhe vënia në të tashmen na bën të reflektojmë për të dhe për mundësinë se si ta ndryshojmë nëpërmjet imagjinatës së teatrit. Unë vij nga Italia dhe jetoj në qytetin e Ravenës, qytet i mozaikëve. Kjo skulpturë është një lloj i mozaikut dhe unë me të vërtetë e shijova atë”, ka thënë Tomshiq, pasi e ka parë performancën. Në publik ka qenë edhe Lundrim Sadiku për të cilën kjo ka qenë një shfaqje e veçantë.

“Ka qenë një ndër shfaqjet më interesante që kam parë deri tash për arsye se në teatrin e Kosovës zakonisht nuk jepen shfaqje të tilla të artit të zhanrit bashkëkohor. Elementet audiovizuale të instilacionit kanë qenë shumë mbresëlënëse për mua”, ka thënë ai.

“Husino’s Miner” është një prej shfaqjeve mysafire të edicionit të pestë të “Kosovo Theatre Showcase”, që ka nisur të martën dhe sjell shfaqje vendore e të huaja, debate, diskutime, shumëçka tjetër që lidhen me teatrin. Do ta vazhdojë aktivitetin deri më 30 tetor.