Kulturë

“Kosovo Theatre Showcase” prezanton skenën teatrore para dhjetëra mysafirëve nga bota

Janë mbi 70 mysafirë nga 20 shtete të ndryshme që këtë javë do të shohin produksionet kryesore teatrore të Kosovës. Përtej kësaj, në edicionin e sivjetmë më të madhin deri tash, do të mbahen një numër diskutimesh, punëtori, performanca e ngjarje të tjera rrjetizuese për komunitetin e teatrit. Nga 25 deri më 29 tetor, Prishtina, Gjilani e Ferizaj do të jenë nikoqirë të shfaqjeve e ngjarjeje të tjera që lidhen me botën teatrore në “Kosovo Theatre Showcase”

Aktorë, regjisorë, kritikë e profesionistë të tjerë të teatrit nga vende të botës do të jenë mysafirë të edicionit të pestë të “Kosovo Theatre Showcase”. Janë mbi 70 mysafirë nga 20 shtete të ndryshme që këtë javë do të shohin produksionet kryesore teatrore të Kosovës. Përtej kësaj, në edicionin e sivjetmë më të madhin deri tash, do të mbahen një numër diskutimesh, punëtori, performanca e ngjarje të tjera rrjetizuese për komunitetin e teatrit. Nga 25 deri më 29 tetor, Prishtina, Gjilani e Ferizaj do të jenë nikoqirë të shfaqjeve e ngjarjeje të tjera që lidhen me botën teatrore. Mysafirët do të kenë mundësinë që të shohin një mozaik të skenës teatrore vendore. Siç tashmë është bërë traditë, kritikë e gazetarë shkruajnë dhe raportojnë për “Kosovo Theatre Shoëcase” në disa prej platformave e mediave të njohura sa i përket artit e sidomos teatrit.

Edicioni i sivjetmë do të hapet me shfaqjen “Babai dhe babai” me tekst të Jeton Nezirajt e regji të Kushtrim Koliqit, që do të jepet të martën mbrëma në Muzeun Etnologjik në Prishtinë.

Ngjarja e organizuar nga qendra “Multimedia” do të vazhdojë të enjten me panele diskutimi e performanca gjatë ditës. Kurse në mbrëmje në teatrin “Oda” do të jepet shfaqja “The Handke Project” nën regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt e tekst të Jeton Nezirajt. Kjo shfaqje, e shpërblyer si më e mira në Festivalin e Teatrove në Ferizaj, pas premierës në Kosovë, në qershor është dhënë dy herë radhazi edhe në teatrin “Bitef” në Beograd. Muajin e ardhshëm do të jepet edhe në Bosnjë- Hercegovinë e po ashtu në Dortmund të Gjermanisë. Shfaqja zhvesh shkrimtarin austriak Peter Handke si një mohues të gjenocidit të kryer nga Serbia në Bosnjë e po ashtu edhe në hapësira të tjera të ish-Jugosllavisë. Mbrëmja do të vazhdojë me muzikë nga Edona Reshitaj me bend.

Shfaqjet si “Kosovo For Dummies” në Gjilan, “Ora e vdekjes” në Prishtinë, “The Sworn Virgin” po ashtu në kryeqytet, “Memorandumi” në Ferizaj e disa të tjera do të jenë pjesë e “menysë” së këtij viti.

Diskutimet do të prekin rolin e teatrit në ditët e sotme, artin teatror në përgjithësi e po ashtu për arsye rrjetëzimi do të ketë edhe takime që janë quajtur “International Theatre Market”.

Drejtori artistik i “Kosova Theatre Showcase”, Jeton Neziraj, ka thënë se edicioni i sivjetmë do të sjellë në Kosovë mbi 70 mysafirë të ndryshëm, që vijnë nga 20 shtete të ndryshme të botës, duke përfshirë edhe nga Tajvanin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Malta.

“Në këtë drejtim, po, ky është edicioni më i madh deri më tani. Sa i përket programit, ai është mjaft i pasur dhe përfshin dy shfaqje të qendrës ‘Multimedia’ dhe dy të organizatës ‘Integra’, nga një shfaqje të teatrit ‘Oda’, Teatrit të Gjilanit, të Ferizajt, teatrit ‘Dodona’ e të ‘Bokshi Theatre Company’”, ka thënë Neziraj. Ka përmendur edhe dy shfaqjet mysafirë, atë nga Bosnjë-Hercegovina dhe atë nga Serbia. Ka thënë se fatkeqësisht mbyllja e Teatrit Kombëtar sivjet i ka limituar dhe ka qenë pengesë e madhe. Bile ka përmendur edhe një telash tjetër në raport me institucionin më të lartë teatror në vend.

“Megjithatë, përtej kësaj, të them edhe se na ka befasuar arroganca e Këshillit Drejtues të TKK-së në raport me këtë ngjarje. Sinjalet që kemi marrë nga atje kanë qenë se ata nuk duan të vazhdojnë të jenë pjesë e showcase-it, pavarësisht se ekziston një memorandum bashkëpunimi i nënshkruar. Dhe kjo është për të ardhur keq. Megjithatë, nuk është befasuese, pasi që ka vite që ai teatër ka humbur rrugën në oborr”, ka thënë Neziraj.

Ndërtesa e TKK-së është mbyllur në qershor të këtij viti me arsyetimin se paraqet rrezik për punonjësit dhe publikun. Po ashtu, Ministria e Kulturës ka bërë të ditur se ndërtesa do të rinovohet tërësisht. Javën e kaluar KOHA ka raportuar se mbyllja është bërë duke u thirrur në rrezikun e paqenë pasi, sipas raportit të profesorëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë, shumë pjesë të ndërtesës kanë nevojë për ndërhyrje, por ajo nuk paraqet rrezik si tërësi.