Njëri nga çmimet “Nobel” ka shkaktuar diskutime të pafundme: Çmimi “Nobel” për letërsi, i cili do të shpallet sot (e enjte), që numëron numrin më të madh të polemikave në krahasim me kategoritë e tjera. Disa emra fituesish janë jo pak kontrovers, por pretendentët e sivjetmë nuk duken të jenë të tillë
Ka ceremoni çmimesh, ku aktorët godasin njëri-tjetrin në skenë dhe ka të tilla ku drejtuesit bëjnë ngatërrime të turpshme të fituesit... Dhe pastaj janë çmimet “Nobel”, ceremoni shumë serioze dhe mjaft pompoze të cilat janë aq larg nga drama, sa mund të jetë edhe një laborator kimie.
E megjithatë, një nga çmimet “Nobel” ka shkaktuar diskutime të pafundme: Çmimi “Nobel” për letërsi, i cili do të shpallet sot (e enjte) .
Çmimet “Nobel”, të cilat datojnë që nga viti 1901, shkencëtarëve, ekspertëve dhe shkrimtarëve u japin njohje për kërkimin dhe punën e tyre novatore dhe zbulime të cilat e ndryshojnë botën dhe prej të cilave konsiderohet se ka përfituar njerëzimi.
Në shumicën e rasteve, të themi për çmimet në mjekësi, fizikë dhe kimi – edhe nëse zgjedhja e ekspertit ose ekipit të ekspertëve të dhënë mund të konsiderohet kontroverse midis atyre që konkurrojnë për titullin – publiku i gjerë vështirë se do të ishte në gjendje të gjykonte për këtë çështje, duke qenë se këto kërkime janë shpesh shumë teknike dhe pothuajse të paqarta për ata që nuk janë të njohur me këto fusha.
Por kur bëhet fjalë për letërsinë, gjasat janë që një numër i madh njerëzish të kenë lexuar autorët e marrë në konsideratë çdo vit nga Akademia Suedeze për çmimet prestigjioze. Aq më tepër sepse çmimi “Nobel” nuk u jepet librave individualë, por veprës së një shkrimtari.
Kjo është ndoshta arsyeja pse “Nobeli” për letërsi numëron numrin më të madh të polemikave në krahasim me kategoritë e tjera.
Këtu është një listë (e redaktuar) e polemikave më spektakolare dhe më skandaloze të bëra rreth çmimit “Nobel” për letërsi, e cila është larg nga përfshirja e të gjitha debateve që kanë shkaktuar këto çmime.
2019: Peter Handke, mohues i gjenocidit në Bosnjë
Ndoshta një nga çmimet më të diskutueshme të letërsisë lidhet me shkrimtarin austriak Peter Handke, një mohues i njohur i gjenocidit boshnjak gjatë luftës në Ballkan në vitet 1990 dhe një mbështetës i ngushtë i ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq.
Qindra njerëz protestuan në vendin ku po mbahej ceremonia, në Suedi dhe pothuajse 60,000 nënshkruan një peticion duke kërkuar që Akademia Suedeze të revokojë çmimin. Qeveritë e Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës dhe Turqisë lëshuan reagim zyrtar kundër çmimit, ndërsa ambasadorët e Shqipërisë, Bosnjës, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë bojkotuan ceremoninë e ndarjes së çmimeve.
2016: “Hippie pleq dhe të dërrmuar” dhe Bob Dylani
Kur Akademia Suedeze njoftoi se fituesi i çmimit “Nobel” për letërsi në vitin 2016 ishte kantautori amerikan Bob Dylan, publiku reagoi me plot dyshim: a është Dylan edhe romancier?
Vetë Dylan heshti kur u dha njoftimi dhe nuk u paraqit për ta marrë çmimin. Edhe pse Dylan ka shkruar tekste dhe poezi të bukura dhe ka shënuar një fazë revolucionare të muzikës amerikane, përshtypja është se ai vështirë se do të pretendonte çmimin “Nobel” në letërsi.
Edhe fansat e tij u hutuan nga zgjedhja e Akademisë Suedeze.
“Unë jam një fans i Dylanit, por ky është një çmim nostalgjie i konceptuar keq, i nxjerrë nga prostatat e këputura të hippive pleq dhe të dërrmuar”, ka thënë romancieri skocez Irvine Welsh. Ndarjen e këtij çmimi për Dylanin, romancieri libanez Rabih Alameddine e ka krahasuar me dhënien e tri yjeve Michelin për znj. Fields – një zinxhir dyqanesh amerikane që shet biskota.
2010: “Mbreti i kontroverseve” Mario Vargas Llosa
Kur mendon për Vargas Llosën, mendon më shumë për opinionin e tij politik sesa për librin e tij.
Autori peruan, i quajtur “mbreti i kontroverseve”, është padyshim një nga romancierët dhe eseistët më të rëndësishëm të Amerikës Latine dhe një nga më të mëdhenjtë. Por ai është gjithashtu një shkrimtar që braktisi angazhimin e tij fillestar ndaj socializmit për politikën e krahut të djathtë dhe kandidoi për t'u zgjedhur president i Perusë në vitin 1990. Për shumë njerëz, fitorja e tij ishte një zgjedhje mjaft kontroverse.
1902-1906: I shtiruri Leo Tolstoy
Përpara se Leo DiCaprio të bëhej objekt i disa memeve si i nominuar i përhershëm i “Oscar”, por asnjëherë fitues i tij (diçka që më në fund ndryshoi në 2016), ishte një tjetër Leo, i cili çdo vit i mbushte shpresat për të fituar një çmim të madh në fushën e tij, por që në fakt nuk iu realizua kurrë: Leo Tolstoi.
I konsideruar si një nga shkrimtarët më të mirë që ka jetuar ndonjëherë dhe një nga mjeshtrit e letërsisë ruse, Tolstoi me siguri ka punuar shumë për t’u njohur si i tillë, duke shkruar disa nga veprat më të gjata të shkruara ndonjëherë dhe disa nga më të mirat.
Thashethemet thonë se Akademia Suedeze nuk ia dha kurrë këtë çmim Tolstoit për shkak të historisë së vështirë dhe armiqësore midis Suedisë dhe Rusisë. Ajo që është e sigurt është se Tolstoi vdiq në vitin 1910 pa marrë kurrë këtë njohje shumë prestigjioze.
Ai është në shoqëri të mirë: autorë me famë botërore si James Joyce, George Orwell, Graham Green, Mark Twain dhe shumë të tjerë nuk e morën kurrë çmimin.
Favoritët e sivjetmë
Këtë vit emrat e pretendentëve për çmimin “Nobel” nuk janë kontrovers.
Ndër favoritët që pritet të fitojnë janë: shkrimtari i dashur japonez Haruki Murakami, nigeriani Chimamanda Ngozie Adichie dhe britaniko-amerikani me origjinë indiane Salman Rushdie, i cili kohët e fundit ishte viktimë e një sulmi brutal me thikë nga dora e dikujt që thuhet se kishte lexuar vetëm dy faqe të romanit të tij “Vargjet Satanike”.
Por, edhe pse çmimet ia dolën të rrinin larg polemikave këtë vit, shumë po pyesin nëse na duhet ende çmimi “Nobel” për letërsi.
Duke marrë parasysh që ky institucion, i vjetër më shumë se një shekull, është dukur sikur ka tentuar të bëhet më gjithëpërfshirës dhe të ecë me kohën, a duhet t'i japim ende të njëjtin nivel respekti me të cilin e kemi shpërblyer për dekada?
Marrë nga “Euronews”. Përktheu: Mirjetë Sadiku