Kulturë

Koncerti i Filharmonisë së Kosovës në Izmir – dëshmi e potencialit, hapje bashkëpunimesh

Filharmonia tashmë është kthyer në Kosovë dhe kur kanë kaluar disa ditë prej koncertit në njërën prej sallave me akustikën më të mirë në Turqi, në qendrën e artit “Ahmed Adnan Saygun”, jehona e asaj ngjarjeje nuk është thjesht shpalosje mbresash (Foto: Arben Llapashtica)
 

Janë dy përfundime të para që do të mund të nxirreshin prej koncertit të Filharmonisë së Kosovës në Izmir: dëshmi e suksesit të këtij institucioni edhe jashtë vendit dhe hapje bashkëpunimesh. Orkestra tashmë është kthyer në Kosovë dhe kur janë bërë tri ditë prej debutimit në qytetin turk, jehona e koncertit nuk është thjesht shpalosje mbresash. Të dielën njëra prej sallave me akustikën më të mirë në Turqi, në qendrën e artit “Ahmed Adnan Saygun”. mirëpriti Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës në Festivalin e 16-të Ballkanik të Kulturës dhe Valleve Tradicionale. Pas tri ditëve të përgatitjeve intensive me prova dy herë në ditë, për ata që u ngjitën në skenë e të tjerët në publik, instrumentistët arritën që edhe një herë ta dëshmonin nivelin e tyre. E këtë e bënë me program të pasur e të larmishëm. I ndarë në dy pjesë, programi përçoi frymë evropiane e motive vendore.

Nën dirigjimin e Gridi Krajës, publiku pati rastin të shijonte uverturën “Coriolan” nga Beethoveni dhe koncertin për piano në a-mol nga Schumani. Orkestrës iu bashkua pianistja e mirënjohur turke Yeşim Gökalp. Mjeshtëror është vlerësuar interpretimi i saj. Muzika shqipe u përfaqësua nëpërmjet veprave të kompozitorëve nga Shqipëria e Kosova. Mozaiku i muzikës simfonike shqiptare nisi shtrirjen me suitën e famshme “Skënderbeu” të Çesk Zadesë. Motive nga qyteti antik solli vepra e Lorenc Antonit, “Në Prizrenin e vjetër”. Ndërkaq pas tyre radha ishte te gjenerata e mesme dhe e re e kompozitorëve shqiptarë: Profesori dhe kompozitori Valton Beqiri u prezantua me veprën “Loja” e Hajrulla Syla me “Uverturë shqiptare”. Nuk mungoi as “Baresha” e Rexho Mulliqit, e cila erdhi në versionin orkestral dhe me solistin Shkumbin Bajraktari në klarinetë. Kulmimi qe me premierën botërore të veprës “Sinfonietta” të kompozitorit Kreshnik Aliçkaj.