Kulturë

“Virgjëresha shqiptare” zbërthen traditën e sakrifikimit të grave

Nga rrugëtimi ndërkombëtar, së fundmi “Virgjëresha shqiptare” është kthyer aty ku më së miri kuptohet në thelb esenca e filmit. Filmi kthen dekada pas jetën në Malësinë e Shqipërisë për traditën që vijon edhe sot në atë anë. Jeta në patriarkat, ku gratë nuk kanë të drejtë të marrin vendime as për rrjedhën e jetës së tyre, ndryshon kur ato kthehen në burrnesha. Ky epitet në fakt e dëshmon se ato mund të kenë po ato aftësi, edhe më shumë, por që janë të kufizuara në margjinat e të qenit grua.

“PriFest” ka përmbyllur të shtunën shfaqjet e filmave për edicionin e 14-të me “The Albanian Virgin” (Virgjëresha shqiptare) që ka qenë premierë e tij në Kosovë. Premierën botërore e pati në edicionin e 37-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë më 8 tetor të vitit të kaluar dhe që atëherë sukseset nuk iu ndalën. Shfaqjet e filmit numërojnë shumë shtete. Hyrja para kinemasë “Armata” ka qenë e stërmbushur, ashtu edhe salla e saj ku shumë nga publiku kanë mbetur në këmbë.

Kasta e aktorëve regjistron Rina Krasniqin në rolin kryesor, Astrit Kabashin, Alban Ukajn, Blerta Syla-Surroin, Mimoza Azemin, Gresa Pallaskan, Nik Xhelilaj, Shkurta Sylejmani e të tjerë. Skenarin e filmit e ka shkruar gjermania Katja Kitendorff dhe është i zhanrit dramë.

Skena e parë e filmit “The Albanian Virgin” nën regji të Bujar Alimanit hapet pranë një liqeni ku e vetmja vajzë që luan është Luana. Ajo fiton mbi gjithë bashkëmoshatarët djem, por dëbohet më pas me dhunë vetëm me arsyetimin se është vajzë. Ajo kthehet në shtëpi dhe sapo burrat e shtëpisë kthehen, ia kumtojnë lajmin se do ta fejojnë për djalin e quajtur Flamur. Në fakt, ajo tashmë veçse kishte simpati për Agimin, të cilin e takon çdo ditë. Të ardhur nga qyteti në fshat, ai dhe familja e tij janë të shkolluar, e Luana tashmë kishte gjetur dikë për ta mësuar të shkruajë e të lexojë. Njohuritë e saj i praktikon përmes një libri që është i ndaluar të lexohet. Ngjarja zhvillohet në kohën e komunizmit në Shqipëri. Pasi atë nuk mund ta dërgojnë në shtëpi, vendi i tyre i fshehtë është një shkëmb në një zonë mali ku ata takohen e Luana praktikon leximin.

Është babai i saj, Gjoni, që e zbulon dhe menjëherë i kërkon që të mos e takojë më, pasi për të familja e Agimit janë të huaj. I kërkon asaj t’i lexojë ligjet e Kanunit dhe t’i bindet atij. Pikërisht filmi është pasqyrim i jetës së robëruar të grave e bindjes ndaj burrave të tyre që përcaktohen me këto ligje popullore. Përmes dy orëve, filmi paraqet kohën kur nusja mund të blihej – çmimi i Luanës ishte caktuar të jetë 1400 grosh. Me kë dhe kur do të martohet vendosin burrat, derisa ndeja shtrohet dhe gratë u shërbejnë atyre. Vajza për të cilën po merreshin vendime jetësore, krejt çfarë mund të bëjë është vetëm të mbushë tavolinën plot për kremten me rastin e arritjes së marrëveshjes.

Zef Shala, babai i Agimit, e kërkon Luanën tek babai i saj. Siç edhe ishte gjithmonë traditë e shqiptarëve, mikpritja është një nga virtytet kryesore të secilit. Zefit i bën konak, edhe pse konsideron se ata nuk janë familje e denjë për vajzën e tij, pasi “nuk janë të bindur ndaj Kanunit”. Ani pse ajo nuk e ka parë kurrë Flamur Fikun, ajo do të martohej me të. Njërën prej ditëve ai shkon tek ata për drekë dhe takon djalin e pashëm të cilin do ta dashuronte e kalonte gjithë jetën me të, deri në vdekje, siç përcaktohet me Kanun. Por ai ishte në dijeni për lidhjen e saj me Agimin.

Takimi i parë nuk ishte aq i këndshëm për ta. Ishte rikujtim i Luanës për rregullin se kur martohen, dhëndrit i jepet një plumb, akt i cili i jep të drejtën ta vrasë gruan nëse ajo e turpëron burrin. Luanën e konsideron të çnderuar. Më pas ia vret edhe të atin gjoja për mosmikpritje. Mirëpo më pas nxehen gjakrat dhe fillojnë diskutimet për të marrë hak.

Sapo vërtetojnë se Luana është e virgjër, vendosin ta martojnë me Flamurin përkundër dëshirës së saj. Arsyeja – ndalimi i gjakut mes dy familjeve. Ajo ishte detyruar të martohej me vrasësin e babait të saj. Pikërisht ditën e martesës ajo vendos të arratiset me Agimin dhe me prindërit e tij për në Gjermani. Ishte koha kur sistemi i komunizmit ndalonte daljen nga shteti. Duhet të kalojnë Bunën në Shkodër për të depërtuar më tej. Sapo nisin notin vërsulen breshëritë e armëve drejt tyre dhe vriten prindërit e Agimit.

Pasi Luana kupton se nuk ka rrugëdalje tjetër, merr armën që ta vrasë veten, por i parafytyrohet babai i vrarë që nuk e lë ta bëjë një gjë të tillë. Pasi kupton se as një gjë të tillë nuk mund ta bëjë, shkon te prifti për t’u bërë burrneshë. Betohet se për sa kohë të jetojë do të jetë burrë dhe se do të marrë hak për gjakun e babait të saj. Heq rrobat e vajzërisë, pret flokët dhe merr armën në krah. Derisa Flamuri me burrat presin nusen, para tyre shfaqet me pamjen krejt tjetër. Po aty, informon se do të marrë hak për gjakun e babait dhe ua jep besën se për 30 ditë do të jenë të paprekur, por jo edhe pas këtij afati kohor.

Hakmarrja për vrasjen e babait është misioni i saj prej burrneshe. Ajo thotë se nuk është kthyer në burrë pse ka frikë të martohet, por që të tjerët nuk janë aq burra sa për të marrë hak për babanë e saj. Veten e vlerëson si trashëgimtarin dhe burrin e vetëm të Gjon Markajt dhe nuk do të ndalet pa marrë hak. Ajo tashmë do të zinte vendin e babait të saj në shesh të burrave. Pasi edhe vetë veçse është e tillë, i jepen çelësat për ta liruar Agimin. Pasi kishte mësuar të përdorte edhe armën, shkon ta takojë Flamurin dhe e vret atë në shtëpinë e tij, para syve të familjes. Te koka i lë armën, siç është zakoni i Kanunit. Këmisha me gjakun e babait që rri varur në një nga dhomat e shtëpisë digjet vetëm kur merret hak për gjakun e tij, dhe atë e bëri Luana e cila kërkon që tash e tutje ta thërrasin Xhek.

Në varrimin e Flamurit takon babanë e tij dhe i kërkon ta presë për të marrë gjak sa të kryejë punët e shtëpisë. Edhe Luanës i jepet kohë 30 ditë. Ajo fillon të kryejë punët e shtëpisë e madje edhe e jep motrën e saj për nuse. Një ditë, vëllai në moshë të re i Flamurit i shkon tek shtëpia për ta vrarë, por s’e vret dot. Ardhja në familje e një djali do të ishte vazhdim i gjakmarrjes më tej ndërmjet dy familjeve, e vetë fëmija do të ishte vetëm “formalisht” gjallë. Kështu edhe ndodhi, foshnja e sapolindur e motrës së saj është djalë dhe është vazhdimësi në rendin e gjakmarrjes. Foshnja i dërgohet në shtëpi familjes në rend për të marrë hak, por babai i Flamurit e kthen atë dhe ia fal gjakun.

Skenat e filmit kanë qenë shpesh të shoqëruara me këngën “Më jep një pikë ujë”, versionin origjinal të së cilës e ka kënduar Aziz Dervishi.

Aktorja Rina Krasniqi, që luan personazhin kryesor në film, Luanën, ka thënë se ka qenë ndjenjë e jashtëzakonshme dhe privilegj shumë i madh që filmi të shfaqet këtë edicion të “PriFestit”.

“Unë jam e prekur shpirtërisht pasi kemi pritur një vit që filmi ta ketë premierën kosovare në shtëpinë e vet, në vendin e vet, me njerëzit që e përjetojnë ngjarjen shumë më ndryshe dhe janë më qenësorë. Jam ende shumë e emocionuar, por është shumë privilegj, të gjithë jemi shumë të lumtur”, ka thënë ajo. Roli i gruas që përballet me gjithë sfidat e patriarkatit, ka thënë të ketë qenë mjaft i vështirë, por edhe i lehtë pasi e ka përmbushur shpirtërisht dhe profesionalisht.

“Nuk duhet ta harrojmë se gratë janë shtyllat e shoqërisë tonë dhe ato që kanë bërë gjithë këto sakrifica shpesh harrohen dhe nuk përmenden mjaftueshëm. Ka qenë e rëndë në një mënyrë, por në anën tjetër edhe shumë shpirtçliruese në shumë aspekte, aq më shumë kur luan me një kastë të aktorëve të mrekullueshme”, ka thënë Krasniqi.

Producentja Anita Elsani ka thënë se filmi u dedikohet grave të forta shqiptare.

“Faleminderit shumë që keni ardhur sonte për të parë filmin. Nuk flas shumë mirë shqip, por është nder për mua të marrim pjesë në këtë festival. Filmi u dedikohet grave të forta, kështu që është dedikim edhe për Vjosa Berishën”, ka thënë ajo. Regjisori Fatos Berisha është shprehur i lumtur që filmi ta ketë premierën në “PriFest”.

“Jam shumë i lumtur që erdhi koha për këtë shfaqje, është e fundit dhe me këtë film e mbyllim shfaqjen e filmave për edicionin e 14-të, i cili siç e dimë ka qenë shumë i veçantë për ne”, është shprehur ai para të pranishmëve.

Viti 1990 shënon lojën e njëjtë që ishte në hapje të filmit, por ku numri i vajzave kishte qenë shumë më i madh se i djemve. Luana pi një gotë raki me ish-të dashurin si ndejë mes dy burrave, e aty merr edhe lajmin se Agimi ka një vajzë.