Kulturë

Heronjtë e punës nga Serbia demaskojnë industrinë e ndërtimit

Descriptive Text

Ngjarja e “Working Class Heroes”, i vetmi film nga Serbia konkurrent në “PriFest”, zhvillohet në një qytet serb, por lehtësisht mund të zhvendoset edhe në Kosovë. Pushteti i oligarkëve, dallaveret me punëtorë, masat formale mbrojtëse, shkelja e të drejtave, fshehja e krimit, thuren nëpërmjet këtyre heronjve që demaskojnë anën e errët të industrisë së ndërtimit. Këtë e bën edhe nëpërmjet elementeve të komedisë

Të drejtat e punëtorëve janë kryefjalë e “Working Class Heroes”, filmi i vetëm nga Serbia, në garën zyrtare të “PriFestit” të sivjetmë. E shoqëron shikuesin në kthesa të shumta dramaturgjike, që nga thellësia emocionale deri te skenat brutale në të cilat punëtorët lëndohen qëllimisht si rrugë për të marrë mëditje e ditë pushimi.

Filmi i regjisorit serb Millosh Pushiq është një shfaqje e ndërlikuar dhe plot kontraste, e cila shpërfaq gjendjen e rëndë të punëtorëve edhe me elemente të komedisë.

“Working Class Heroes” hapet me skenën ku një grua me të birin i largojnë me forcë nga apartamenti i tyre dhe ua nxjerrin në shitje. Në fokus të filmit 100-minutësh është në fakt Lidija Jakshiq (Jasna Gjuriçiq) zyrtare për marrëdhënie me publikun e kompanisë, që në thelb është zbatuese e urdhrave të pronarit mashtrues, Mikit (Aleksandar Gjurica). Dëbimi nga banesa e tyre paraqet ligësinë që e mundëson korrupsioni dhe dështimi i institucioneve shtetërore. Një grup i punëtorëve paraqiten si heronj të vërtetë të klasës punëtore. Ata punojnë në një ndërtesë brutaliste të braktisur që më parë kishte shërbyer si objekt i banesave sociale. Grupi i punëtorëve “heronj” ende të pazbuluar heq myshqet e dheun brenda objektit. E rregullojnë edhe nga jashtë, presin pemët që e kanë karakterizuar ndër vite.

Është kompania e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme e quajtur në film si “Magnus Domus” në qytetin e dytë më të madh në Serbi, Novi-Sad. Ndërtesa disakatëshe prej betoni është pjesë e planit të kompanisë ndërtuese për shpëlarje të parave e punës së paligjshme. Kompania paraqitet si biznes që ndërton pa leje e që edhe mbi jetën e njeriut privilegj parësor është reputacioni i emrit të saj.

Grupi i punëtorëve prej gjashtë burrash, nga më i riu Mali (Stefan Beronja) deri tek më i moshuari me emrin Mile dhe udhëheqësi i tyre Profesori (Boris Isakoviq) nuk janë paguar me vite dhe nuk kanë asnjë kusht themelor pune. Uniforma e punës e masat mbrojtëse janë vetëm formale për të mbuluar kushtet e rënda të punës, pa pajisje mbrojtëse e pa orar të rregulluar. Janë “rekuizita” në reportazhin që po xhirohej për një nga ditët e punës. Njëri nga punëtorët lëndon veten për të marrë pushimin që nuk i është dhënë për asnjë ditë e mëditjet që nuk i janë paguar me muaj. Kjo tentativë i shkon huq pasi “shpërblimi” për të është pagesa modeste për të mos u shfaqur më. Punëtorët e tjerë protestojnë për të marrë atë që u takon duke e kthyer vendpunishten në arenë loje.

një film si ky lehtësisht gjejnë veten shumë vende për sistemin e ndërtimit, ashtu edhe Kosova. Është përgjegjësi Braco që është si ndërmjetësues dhe i ngarkuar nga Lidija dhe Miki për t’i mbajtur ata nën kontroll. Por njëri nga punëtorët me arsim të lartë, që të gjithë e quajnë Profesor, arrin t’i organizojë ata për të shantazhuar Lidijen, luajtur mjeshtërisht prej Jasna Gjuriçiq, e njohur edhe për rolin kryesor në filmin boshnjak,“Quo Vadis Aida?”, të Jasmila Zhbaniqit, e me të cilin mori edhe Çmimin për aktoren më të mirë në “European Films Awards”, ku filmi mori çmimin kryesor, përderisa qe nominuar edhe për “Oscar”.

Fillimisht filmi duket si një dokumentar ku imazhet e kamerës nuk janë stabile. Megjithatë, më pas ai kthehet në një dramë shumë të errët ku gërshetohet zhanri triler me një komedi të hidhur. Punëtorët vazhdimisht përplasen mizorisht me njëri-tjetrin. Njëra nga skenat hapet kur grupi feston për shumën e paktë të parave që Lidija ua ka dhënë. Festën e bëjnë në një dhomë të vjetër në kantierin e ndërtimit, ku jehon kënga popullore dhe alkooli.

Skenarin e filmit e kanë shkruar Dushan Spasojeviq e Ivan Knezheviq, por edhe regjisori Millosh Pushiq.

Shfaqja e “Working Class Heroes” të enjten mbrëma në kinemanë “ABC” ka qenë premierë në Kosovë. Drama vazhdon më tej kur punëtori riosh Kid rrëzohet në vendin e punës nga lartësia. Kryesuesi i ndërtimit e bën të duket si i dehur para policisë derisa i riu lufton për jetën. Derisa vendosin më në fund ta dërgojnë në spital, mbërrin shefi i kompanisë dhe e vret pa menduar dy herë për hir të reputacionit të tij e të kompanisë. Filmi mbyllet me skenën ku edhe ky i fundit vritet. Njëri nga punëtorët ka shenjëzuar vendin ku do të qëllonte me një qese të kuqe që e kishte lidhur për një hu vendosur pingul në tokë. Sapo Miki do të ndalte veturën aty me kërkesën e Lidias, një pjesë e madhe e betonit lëshohet mbi të.

Filmi është si dilemë e etikës morale të individëve, të cilët e gjejnë veten në situata të ndryshme, e sidomos kur është në pyetje mbijetesa e tyre. “Punëtorët e gjejnë veten në një situatë ku të drejtat e tyre nuk respektohen, megjithatë ata vazhdojnë të qëndrojnë në këtë situatë jonjerëzore për shkak të mbijetesës. Filma si ky kanë rëndësi jashtëzakonisht të madhe, sidomos në vende ku të drejtat e punëtorëve lënë shumë për të dëshiruar, dhe kur punëtorët janë në përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar kushtet e tyre të punës”, ka thënë për filmin Rozafa Berisha, antropologe sociale.

Edhe Emin Kadriu e ka vlerësuar filmin si lehtë për të gjetur veten shoqëria e Kosovës.

“Më pëlqeu filmi, pati paraqitjen e punës së rëndë të punëtorëve që punojnë pa kushtet e duhura përmes komedisë. Kushte të tilla të punës besoj që janë edhe në vendin tonë për shkak se shpesh dëgjojmë lajme kur ata vdesin në vendin e punës”, ka thënë ai.

Filmi pasqyron kushtet e punës në të cilën ushtrojnë veprimtarinë për të fituar mbi jetën e cila shuhet çdo ditë. Reputacioni i udhëheqësve ndërtohet mbi sakrificat e punëtorëve.

Për gjashtë ditë radhazi “PriFest” po shfaq filma nga vende të ndryshme të botës, përfshirë disa nga Ukraina. Me moton “For her”, festivali synon që të vazhdojë rrugën e producentes së ndjerë Vjosa Berisha: promovimin e kinematografisë në mënyrë të rrëmbyeshme, bash sikurse dallgët e kanioneve të formuara nga lumi Vjosa.