Kulturë

Filharmonia në Izmir të Turqisë me vepra botërore e shqiptare

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, të dielën do të prezantohet me koncert në Izmir, në Sallën e Madhe të Qendrës Prestigjioze të Artit, “Ahmed Adnan”. Filharmonia është mysafire e Festivalit të 16-të Ballkanik të Kulturës dhe Valleve Tradicionale në Izmir

Orkestra Filharmonisë së Kosovës të dielën do të mbajë koncert në një prej festivaleve të njohura të Turqisë. Institucioni më i lartë i muzikës klasike në vend, pos veprave botërore, para audiencës do të prezantohet edhe me krijime vendore.

Orkestra të dielën do të prezantohet me koncert në Izmir, në Sallën e Madhe të Qendrës Prestigjioze të Artit, “Ahmed Adnan”. Filharmonia është mysafire e Festivalit të 16-të Ballkanik të Kulturës dhe Valleve Tradicionale në Izmir.

Koncerti do të nisë me interpretimin e uverturës “Coriolan” nga Ludwig van Beethoven dhe koncertin për piano në A-mol nga Robert Schumann me soliste, pianisten e mirënjohur turke Yeşim Gökalp. Ndërsa pjesa e dytë e koncertit për publikun do të sjellë një panoramë të muzikës simfonike shqiptare me vepra nga Çesk Zadeja, suitën simfonike “Skënderbeu”, të Lorenc Antoni, “Në Prizrenin e vjetër”, Valton Beqiri, “Loja”, Hajrullah Syla, “Uverturë shqiptare” dhe versionin orkestral të “Bareshës” nga Rexho Mulliqi me solist Shkumbin Bajraktarin në klarinetë. Por Orkestra nuk do të ndalet me kaq.

Në këtë koncert i cili do të dirigjohet nga Gridi Kraja, do të interpretohet edhe premiera botërore e veprës “Sinfonietta” e kompozitorit Kreshnik Aliçkaj. Koncerti përkrahet nga Komuna Metropolitane e Izmirit dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.

Sipas të dhënave, Qendra e Artit “Adnan Saygun” nisi të ndërtohej në janarin e vitit 2000 me iniciativën e kryetarit të atëhershëm të Izmirit, Ahmet Prishtina, politikan turk me origjinë shqiptare. Salla e Madhe e kësaj qendre arti, veçohet për akustikën më të avancuar në Turqi dhe është shtëpia e Orkestrën Simfonike Shtetërore të Izmirit.

Prej vitit 2008, qëkur u hap për publikun, kjo sallë ka mirëpritur emra të njohur të muzikës në botë prej Itzhak Perlman, Ricardo Muti, Maxim Vengerov, Fazil Say deri tek ikonat e muzikës xhaz si Chick Corea, Richard Bona e Aziza Mustafa Zadeh. Aty kanë mbajtur koncerte edhe orkestra me nam si Filharmonia e New Jorkut dhe ajo e teatrit milanez “La Scala”. Koncerti i Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës do të nisë prej orës 20:00.

Solisti Shkumbin Bajraktari ka thënë se me javë të tëra janë përgatitur për këtë koncert të rëndësishëm.

“Përgjegjësia është rritur edhe më shumë se për koncertet tona dhe besojmë se do ta përfaqësojmë shtetin tonë sa më mirë dhe ashtu siç duhet”, ka thënë Bajraktari në emisionin “Express” të KTV-së.

Sa i përket rolit që ka ai në interpretimin e “Bareshës” ka thënë se do ta ketë një sfidë të veçantë duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një vepër shumë të njohur shqiptare.

“Shpresoj që vitin tjetër do të jemi më aktivë me performancat e Filharmonisë së Kosovës jashtë vendit”, ka thënë Bajraktari.