Kulturë

Serbia synon “Oscar” me filmin për “vuajtjet e serbëve në Kosovë e Metohi”

 

Filmin e refuzuar në disa festivale evropiane, Serbia synon ta çojë drejt çmimit të madh. “Mrak” është rrëfimi për një familje serbe në “Kosovë e Metohi” në kohën e “pogromit të Marsit”

Filmi “Mrak” (Errësira) do të jetë kandidati i Serbisë për edicionin e 95-të të çmimit të madh “Oscar”. Ky film, siç shkruajnë mediat serbe, shpalos “ditët e errëta të një familjeje serbe, të izoluar dhe të pambrojtur në Kosovë”.

“Filmi ‘Errësira’ përcjell disa ditë të një familjeje serbe në një enklavë të ndarë e të pambrojtur në Kosovë e Metohi. Nëpërmjet tensionit, atmosferës, gjuhës mjeshtërore filmike me elemente të horrorit, filmi na shpie në botën se frikës dhe të paqartësisë ku tri gjenerata të një familjeje tentojnë të bëjnë jetë normale. Për shkak të emocioneve të fuqishme të temës dhe personazheve, Komisioni konsideron se filmi do të komunikojë suksesshëm me publikun ndërkombëtar dhe me anëtarët e Academy Awards”, thuhet në përshkrimin që Komisioni vlerësues ia ka bërë filmit të përzgjedhur të Serbisë për të kandiduar në kategorinë e “Filmit më të mirë ndërkombëtar”. Në garë për t’u bërë kandidati i Serbisë për nominim kanë qenë pesë filma, përderisa “Errësira” familjen që “përballet me tmerre” një muaj pas trazirave të marsit 2004, ka marrë 11 vota.