Kulturë

“Fokus Award” sjell në Shqipëri botën e fotografisë dhe maestron Francesco Cito

Fotografitë e 180 artistëve nga 23 shtete të ndryshme në botës do të ekspozohen në Tiranë e në Fier. Ata sjellin tregimin mbi “rezistencën, luftën, vdekjen dhimbjen dhe tragjedinë”. Kryefjalë e këtij edicioni është prania dhe ekspozita e maestros italian, Francesco Cito, një prej fotoreporterëve më të shquar botërorë

Edicioni i 13-të i Festivalit të fotografisë “Fokus Award” këtë vit sjell artin italian përkrah atij shqiptar, por edhe atë ndërkombëtar. Këtë vit, koncepti i tij ndërtohet mbi “rezistencën, luftën, vdekjen dhimbjen dhe tragjedinë”. Për dy ditë, në katër lokacione në Tiranë e Fier, fotografitë do të sjellin copëza arti edhe nga shtetet e Lindjes së Afërt e të Mesme. “Tjetri” është tema e çmimit të sivjetmë. Gjashtë kategori të tjera do të jenë në dispozicion për fotografitë më të mira të këtij edicioni nga artistët e 23 shteteve të botës.

Festivali i vetëm i fotografisë në trevat shqiptare për edicionin e sivjetmë ka rezervuar datat 23 dhe 24 shtator.

Veçanti e këtij edicioni është pjesëmarrja e njërit nga fotoreporterët më të mirë në botë, italianit Francesco Cito. Ka mbi pesë dekada që i është përkushtuar fotografisë e veprat e tij kanë zënë në mediat e njohura botërore. Ndër shkrepjet e tij janë edhe ato nga zonat e konflikteve.

Fotografitë e 180 artistëve nga shtete të ndryshme në botë do të ekspozohen në Tiranë e në Fier. Ekspozita “Historia mbetet” e Francesco Cito do të zë vend në galerinë “Kalo” në Tiranë. Në galerinë “Vilson Kilica” në Fier do të qëndrojnë të hapura dy ekspozitat me fotografi në dy katet e objektit, ndërsa një tjetër me fotografi të autorëve italianë do të vendoset në Teatrin e Fierit. Ekspozita personale e italianit Francesco Cito do të hapet të premten, ndërsa të tjerat një ditë pas. Ekspozimit të veprave të fotografit Cito i pason edhe një ligjëratë e tij për punën e deritanishme si fotograf e cila mbahet në qendrën “Aba” në Tiranë.

Francesco Cito nuk kishte lënë pa raportuar për Shqipërinë. Në vitin 2000, kishte lansuar një reportazh për “Kodin e Kanunit”, për ligjin e hakmarrjes në shoqërinë shqiptare. Në vendin e tij shpesh kishte gjurmuar edhe rastet e mafisë. Publikimet e tij numërojnë media të njohura në Itali e Evropë, teksa e gjatë është lista e çmimeve që ka fituar. Në vitin 1995 për serinë Dasma napolitane” mori çmimin e tretë në prestigjiozin “World Press Photo Contest” e një vit më vonë, po në këtë garë, mori çmimin e parë për raportin “Siena, Palio”. Ndër të tjera ,më pas në vitin 2006 në “Bariphotocamera & Camera Commercio” e në “Canon – Mondadori”. Instituti për Historinë Bashkëkohore Italiane i kishte dhënë çmimin “Atri” për paqen dhe lirinë për angazhimin e tij në ndjekjen e luftës palestineze. Cito ishte emëruar Mjeshtër i Fotografisë Italianë nga Federata Italiane e Fotografisë. Bashkëkombësi i tij i njohur po aq sa Fico, fotografi Ferdonando Scianna e kishte vlerësuar si “një nga fotoreporterët më të mirë në botë”.

Sa është e rëndësishme mbajtja e këtij Festivali, për organizatorët aq e rëndësishme është edhe pjesëmarrja e fotografit të njohur italian. 73-vjeçari italian, Cito, karrierën prej fotoreporteri e fotografi e kishte zhvilluar në revistat angleze “Sunday Times” e “Observer”. Kishte qenë një nga fotoreporterët e parë në vitin 1980 që kishte arritur në Afganistan duke udhëtuar në këmbë për 1200 kilometra, ndërsa pas asaj kohe kishte punuar edhe në një reportazh mbi mafinë e Napolit, qytetit nga ai vjen, që ishte shpërndarë në gjithë botën. Kishte qenë i vetmi fotoreporter që kishte raportuar për dorëzimin e Beddawit, ndërsa lista e vendeve nga ku ka raportuar përfshin edhe Libanin e Palestinën. Nga aty ishte plagosur tri herë, dy herë nga ushtarët izraelitë dhe një herë nga palestinezët sa po punonte për revistën gjermane “Stern”. Francesco Cito ka qenë një nga fotografët e parë që kishin raportuar zbarkimin amerikan në Arabinë Saudite pas pushtimit të Kuvajtit në vitin 1990.

Image
Fotografi e Francesco Citos nga seria “Conflitti” që bën bashkë imazhe që ai i ka shkrepur në Liban, Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës, Afganistan, Kuvajt, Bosnjë, Kosovë dhe Shqipëri

Veçanti e edicionit të 13-të të “Fokus Award” është edhe pjesëmarrja dukshëm më e madhe se edicionet e kaluara, e rrjedhimisht edhe shtrirja e ekspozimit të punës në katër lokacione, që më parë kishte qenë vetëm në një. Nën temën “Tjetri” artistët garojnë me fotografitë e tyre në kategoritë “Fashion&Lifestyle”, “Press&News”, “Street”, “Wedding”, “Nature”, “Portrait”, ndërsa kategoria kryesore është “The Other” që merr titullin e temës së edicionit përkatës. Fituesit përzgjidhen nga juria e përbërë prej fotografëve profesionistë Francesco Cito dhe Roberto Colacciopo nga Italia, Armando Babani nga Shqipëria, Arton Humolli nga Kosova, Tima Jam nga Anglia dhe Achilleas Tziakos nga Greqia.

Për organizatorët, kjo është ngjarja më e madhe fotografike vjetore në Shqipëri e rajon, e cila bashkon gjithë trevat shqiptare e më gjerë.

“Është e rëndësishme pasi në Kosovë e Maqedoni nuk ka festival të fotografisë kështu që në Shqipëri ky festival është më i madhi dhe i bashkon të gjitha regjionet shqiptare bashkë me prezencën ndërkombëtare të pjesëmarrësve”, ka thënë Burim Myftiu, njëri nga kuratorët e Festivalit, bashkë me Elton Koritarin nga Shqipëria dhe Osman Demirin nga Maqedonia.

Numrin më të madh të artistëve pjesëmarrës e ka shteti nikoqir e artistët nga Kosova pas atyre italianë. Shkas për këtë, Myftiu ka thënë të jetë vëllazërimi i Festivalit me Federatën e Fotografisë Italiane “FIO”. Një artist në listën e pjesëmarrësve në garë është nga Ukraina.

“Janë paraqitur disa nga Ukraina, por juria ka përzgjedhur vetëm një. Fotografitë janë artistike dhe nuk kanë të bëjnë me luftën atje”, ka treguar Myftiu.

Artistët pjesëmarrës vijnë edhe nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Irani, Kroacia, Greqia, Zvicra, Indonezia, India, Suedia, Polonia, Austria, Ukraina, Turqia, Egjipti, Franca, Serbia, Iraku, Suedia, Meksika e Mbretëria e Bashkuar.

Vlora Demiri është kuratore udhëheqëse e këtij edicioni, ndërsa kuratorë të tjerë janë Arben Alliaj, Burim Myftiu, Saimir Ahmeti, Elton Koritari, Osman Demiri.

“Në këndvështrimin e botës moderne, ky koncept krijohet mbi rezistencën, luftën, vdekjen, dhimbjen, tragjedinë dhe duket se aty ku ndodhin këto, tjetri mund të shfaqet në çdo moment. Duke u zhytur thellë e kuptojmë që në fakt në mes meje dhe tjetrit ekziston një paradoks që na bën të kuptojmë se pavarësisht se janë koncepte të poleve të kundërta, në të njëjtën kohë plotësojnë njëra-tjetrën“, thuhet për këtë edicion të Festivalit në tekstin kuratorial nga Vlora Demiri.

“Fokus Award” mbështetet nga Ministria e Kulturës e Republikës Shqipërisë dhe nga Bashkia Fier.