Kulturë

Shkrimtarja indiane Meena Kandasamy, laureate e çmimit “Hermann Kesten”

Çmimi i PEN Qendrës gjermane për këtë vit shkon për Meena Kandasamy, autore dhe poete indiane, veprat e së cilës përfshijnë “The Gypsy Goddess” (2014) dhe “When I Hit You: Or, A Portrait of the Writer as a Young Wife” (2017). Ajo gjithashtu ka botuar antologji të poezive të saj, më së shumti të “Ms Militancy” (2010) dhe“#ThisPoemWillProvokeYou and Other Poems” (2015). “Sinqerisht, nuk jam e sigurt se si ta përjetoj atë”, ka thënë laureatja në një deklaratë pak pasi mori vesh se kishte fituar çmimin

PEN Qendra në Darmstadt të Gjermanisë shpalli fituesin e çmimit “Hermann Kesten” të hënën. Çmimi i këtij viti shkon për Meena Kandasamy, një autore dhe poete indiane, veprat e së cilës përfshijnë “The Gypsy Goddess” (2014) dhe “When I Hit You: Or, A Portrait of the Writer as a Young Wife” (2017). Ajo gjithashtu ka botuar antologji të poezive të saj, më së shumti të “Ms Militancy” (2010) dhe “#ThisPoemWillProvokeYou and Other Poems” (2015).

“Sinqerisht, nuk jam e sigurt se si ta përjetoj atë”, ka thënë laureatja në një deklaratë pak pasi mori vesh se kishte fituar çmimin.

Përfituesit e mëparshëm përfshijnë Günter Grass dhe Harold Pinter, dhe pesha e kuptimit të këtij çmimi në të vërtetë ende po rritet”, ka thënë ajo, duke shtuar se e shikonte këtë çmim “jo vetëm si një pohim të asaj që kam bërë, por edhe të historisë dhe përgjegjësisë që ne të gjithë kemi si shkrimtarë dhe artistë përparimtarë në Indi sot”.

Zëvendëspresidentja e PEN Qendrës gjermane, Cornelia Zetzsche, e quajti Kandasamyn “një luftëtare e patrembur për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, për fjalën e lirë dhe kundër shtypjes së njerëzve pa shtëpi dhe pakicave në Indi: jo një ‘Zonjë e këndshme’, por më shumë një 'Ms. Militancy', si titulli i një prej librave të saj”. Zetsche i referohej librit me poezi të Kandasamyt të vitit 2011 të titulluar “Ms Militancy”.

“Me empati, saktësi analitike dhe zjarr letrar, Kandasamy kalon nëpër strukturat patriarkale, feudale dhe identifikon në fjalime dhe shkrime dhunën ndaj grave, pasojat e kapitalizmit të shfrenuar dhe masakrën e fermerëve në Indinë jugore”, shtoi Zetzsche.

Ministrja e Artit dhe Kulturës, Angela Dorn, e shtetit të Hessen-it, që sponsorizon çmimin, e lavdëroi gjithashtu autoren indiane duke thënë se Kandasamy u rebelua në librat e saj kundër pabarazisë dhe shtypjes. “Ajo u jep zë viktimave të dhunës dhe flet gjithmonë kur intelektualët, disidentët dhe akademikët përballen me shqetësime”.

Kandasamy u lind më 1984 në Chennai nga prindër që ishin profesorë universiteti. Ajo ka shkruar poezi që në adoleshencë dhe e quan veten “aktiviste, poete, romanciere dhe përkthyese kundër kastave”. Sipas faqes së saj të internetit, shkrimi i saj synon të zbërthejë traumën dhe dhunën, duke vënë në pah rezistencën militante kundër kastës, gjinisë dhe shtypjes etnike.

Romanet e Kandasamyt janë përzgjedhur në listën e ngushtë për Çmimin e Grave për Fiksion, çmimin ndërkombëtar “Dylan Thomas” dhe çmimin letrar “Hindu”. Këtë vit ajo u zgjodh anëtare e Shoqërisë Mbretërore të Letërsisë të Mbretërisë së Bashkuar.

Kandasamy ka qenë e zëshme për shtypjen e autorëve në Indi, duke përfshirë poetin Varavara Rao, i cili ishte arrestuar në vitin 2018 për gjoja nxitje të dhunës. Ajo foli gjithashtu në mbështetje të GN Saibaba, poet dhe profesor në Universitetin e Delhit, i cili është në burg për lidhjet e tij të dyshuara me organizatat e krahut të majtë.

PEN Qendra në Gjermani do t'ia dorëzojë çmimin në një ceremoni në Darmstadt më 15 nëntor të këtij viti. Fituesja do të marrë një shumë prej 20 mijë eurosh. Këtë vit PEN Qendra po e nderon gjithashtu faqen e internetit “Weiter Schreiben” me një çmim special për inkurajim të autorëve në mërgim dhe shkrimtarëve nga zonat e konfliktit si platformë për të shprehur mendimet e tyre.

Çmimi “Hermann Kesten” nderon personalitete, të cilat në frymën e Statutit të Shoqatës PEN mbrojnë të drejtat e autorëve dhe gazetarëve të përndjekur. Fituesit e mëparshëm përfshijnë: Günter Grass, Anna Politkowskaya, Liu Xiaobo, Harold Pinter dhe Can Dündar. / DW