Kulturë

“Luani i Artë” për dokumentarin “All the Beauty and the Bloodshed”

Dokumentari i regjisores amerikane Laura Poitras, “All The Beauty And The Bloodshed”, është fituesi kryesor i Festivalit të 79-të të Filmit në Venecia, i cili me ceremoninë e madhe të çmimeve, të shtunën mbrëma ka përmbyllur maratonën dyjavore filmike. Ky është i dyti film joartistik në historinë e Festivalit që merr “Luanin e Artë”. Cate Blanchett dhe Colin Farrell janë kurorëzuar si aktorët më të mirë, në Sala Grande në Palazzo del Cinema.

“All The Beauty And The Bloodshed” ishte në garë me 22 filma të tjerë dhe bëhet i dyti dokumentar që merr çmimin e festivalit më të vjetër të filmit. “Sacro GRA” fitoi më 2013.

“All The Beauty And The Bloodshed” ka në fokus aktivisten dhe fotografen 68-vjeçare Nan Goldin, përkatësisht përpjekjet e saj për të rrëzuar familjen Sackler të dinastisë farmaceutike “Purdue Pharma”, e cila ishte përgjegjësja më e madhe e numrit të pabesueshëm të vdekjeve nga përdorimi i “Oxycontin”. Goldinit iu dha të përdorte Oxycontin, me ç’rast shumë shpejt kishte krijuar varësi. Më vonë ajo gjen shërim me një ilaç zëvendësues dhe nisur nga kjo, Goldin bën një hulumtim dhe punë të madhe për të kërkuar llogari nga familja Sackler.

“Regjisorja fituese e ‘Oscarit’, Laura Poitras, filloi xhirimet tre vjet më parë, ndërsa Goldin po organizonte një protestë kundër ‘Purdue Pharma’, që prodhon ‘OxyContin’. Për Goldin, beteja është thellësisht personale, sepse ajo u bë e varur menjëherë pasi nisi ta përdorte këtë ilaç. Varësia e saj zgjati disa vjet dhe ajo mezi i shpëtoi të qenit një nga gjysmë milion amerikanë që kanë vdekur nga mbidoza”, shkruhet në shpjegimin që i bëhet dokumentarit.

Laura Poitras është regjisore dhe producente amerikane e filmave dokumentarë. Deri më tani ajo ka marrë çmime të shumta, përfshirë çmimin “Oscar” për filmin më të mirë dokumentar i cili sjell historinë për Edward Snowdenin, “Citizenfour”, më 2015. Me “My country” u nominua për të njëjtën kategori më 2007. Ajo ka fituar edhe çmimin “George Polk” 2013 për raportimin e sigurisë kombëtare në lidhje me zbulimet e NSA-së. Raportimi i NSA-së nga Poitras, Glenn Greenwald, Ewen MacAskill dhe Barton Gellman, kontribuoi në çmimin “Pulitzer” të vitit 2014, për Shërbimin Publik të dhënë së bashku për “The Guardian” dhe “The Washington Post”.

Juria e përbërë nga Julianne Moore, Mariano Cohn, Leonardo di Costanzo, Audrey Diwan, Leila Hatami, Kazuo Ishiguro dhe Rodrigo Sorogoyen ka shpallur edhe fituesit e kategorive të tjera kryesore, me ç’rast Çmimi i madh i jurisë shkoi për “Saint Omer” të francezes Alice Diop. Në kategoritë kryesore Çmimin për aktoren më të mirë e mori Cate Blanchett për rolin në filmin “Tar”, ndërsa Colin Farrell u shpërblye për rolin e tij në filmin e Martin McDonagh, “The Banshees of Inisherin”. Regjisori i po këtij filmi, McDonagh, u shpall fitues i Çmimit për skenarin më të mirë, të cilin e fiton për herë të dytë pas “Thre Billboards Outside Ebbing Missouri” në vitin 2017.

“Luani i Argjendtë” për regjisorin më të mirë shkoi për italianin Luca Guadagnino të filmit “Bones and All”, ndërsa Çmimin special të jurisë e mori regjisori iranian Jafar Panahi i filmit “No bears”. Në ndërkohë Çmimi që mban emrin Marcello Mastroianni dhe i cili jepet për aktorin më të mirë të ri e fitoi Taylor Russell për rolin në “Bones and All”.

Si më i vjetri i këtij lloji, themeluar qysh më 1932, Festivali i Filmit në Venecia njihet si më i rafinuari në krahasim me festivalet e tjera të mëdha të filmit, si ai i Berlinit, ai i Cannes. Është i pari festival i madh që në gjirin e tij mori filma nga “Netflix”, përderisa sivjet u rikthye në plotësi me magjinë e filmit.